Çfarë ndikimi do të ketë për ekonominë e pestë më të madhe të planetit, investimi prej 90 miliardë dollarësh i kompanisë Tata në tregun vendas, shkruan The Economist
Nëse doni të shihni me sytë tuaj majën e kapitalizmit indian, bëni një udhëtim në Tamil Nadu, në jug të vendit.
Fabrikat e reja me panele diellore në çatitë e tyre, shtrihen në një zonë të madhe prej 220 hektarësh. Brenda, raportohet se kompania Tata po prodhon komponentë për versionin më të fundit të celularëve iPhone, për kompaninë Apple, një proces që e lidh Indinë me zinxhirin e furnizimit më të sofistikuar në botë, i cili dikur kalonte nga Kina.
Projekti është pjesë e një rritje të re dhe të madhe investimesh me vlerë rreth 90 miliardë dollarë, që po kryhen nga biznesi më i madh i Indisë, i cili po ripozicionohet duke u përqendruar në tregun vendas dhe duke lënë mënjanë strategjinë e tij 30-vjeçare për t’u përhapur globalisht.
Ambicia e kompanisë Tata për të krijuar fabrika elektronike dhe fabrika gjysmëpërçuese në Indi, mund të transformojë ekonominë e vendit. “Besoj se kjo do të jetë dekada e Indisë”, thotë Natarajan Chandrasekaran, i cili drejton kompaninë Tata Sons, e cila mbikëqyr grupin.
Ndryshimi në strategji pasqyron gjithashtu ndryshimin drastik psikologjik që po ndodh brenda globalizuesve më të zjarrtë të botës së biznesit, teksa ata po përshtaten me prirjet e reja. Këto prirje përfshijnë largimin e prodhimit strategjik nga Kina; ngritjen e një sistemi të ri energjetik dhe politike të re industriale, nisma që në Indi po mbështeten nga kryeministri Narendra Modi.
Kushdo që po ndjek ecurinë e Indisë, ekonomisë së madhe me rritjen më të shpejtë në botë, mund të ketë përshtypjen se ajo drejtohet nga Mukesh Ambani dhe Gautam Adani, dy manjatë të krekosur, konglomeratet e të cilëve pushtojnë titujt e gazetave dhe i kanë bërë ata njerëzit më të pasur të Azisë.
Së bashku, “dy A-të” mund të shpenzojnë mbi 100 miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme. Megjithatë, Tata është në fakt biznesi më i madh i vendit, i matur për nga vlera e tregut (269 miliardë dollarë) dhe fitimet operative (16 miliardë dollarë vitin e kaluar), duke përfshirë gjithçka, nga fabrikat e çelikut, tek softueri.
Dhe planet e saj të reja janë më të mëdha se çdo firmë tjetër individuale, duke përfshirë automjetet elektrike (EVS), elektronikën, bateritë, energjinë e pastër dhe çipat (shih grafikun 1). Sikur kjo të mos mjaftonte, kompania ka blerë edhe Air India.
Shkalla, reputacioni dhe historia e firmës, e bëjnë atë një nga kompanitë më të rëndësishme në botë. Me 800-900 milionë klientë në dhjetë fusha biznesi, ajo punëson pothuajse 1 milion njerëz, më shumë se çdo firmë tjetër në botë, përveç Amazon dhe Walmart.
Nga firmat në botë me vlerë mbi 200 miliardë dollarë që kanë mbetur të pavarura, ajo është më e vjetra, e themeluar në vitin 1868, 18 vite përpara se Johnson & Johnson të bashkohej.
Kur firmat prestigjioze shumëkombëshe hapin selitë e tyre në Indi (qoftë Apple, Starbucks apo Zara), ato kërkojnë të krijojnë partneritet me Tata-n, të vetmen firmë së cilës mund t’i besosh vërtet. Tata drejtohet nga teknokratë që dhurojnë shuma të mëdha për bamirësi, jo nga manjatë që synojnë të hyjnë në listën e më të pasurve të revistës Forbes.
Për të kuptuar se ku po shkojnë Tata dhe India në vitet 2020 dhe 2030, duhet të kthehemi pas në kohë. Kompania ka qëndruar në majë, duke iu përshtatur ndryshimeve teknologjike dhe politike gjatë kohës.
Ajo prodhoi çelik për hekurudhat koloniale dhe pas pavarësisë, u përball me kthesën socialiste të Indisë. Kur ekonomia u hap në fillim të viteve 1990, ajo ndihmoi në rimodelimin e punës në zyra, duke shitur shërbime të jashtme të teknologjisë së informacionit.
Ratan Tata, shefi i kompanisë mes viteve 1991 dhe 2012, në dekadën e parë punoi për ta sjellë kompaninë në epokën moderne dhe në dekadën e dytë, e zgjeroi atë në mbarë botën, përmes blerjeve ndërkufitare prej 18 miliardë dollarësh, duke përfshirë Jaguar Land Rover, një prodhues britanik makinash dhe Corus, prodhues çeliku anglo-holandez.
Besimi i kompanisë Tata në mundësitë e pafundme të tregtisë pa kufij, u nda nga shumë të tjerë në atë kohë. Investimet vjetore nga firmat indiane jashtë vendit, u rritën pothuajse 40 herë midis vitit 2000 dhe kulmit në 2008; kjo dukuri u vu re në të gjitha tregjet në zhvillim.
Kina u bëri thirrje shefave të saj që të “prekin botën e jashtme”. Edhe Cemex, gjiganti i çimentos në Meksikë, lidhi marrëveshje të njëpasnjëshme.
Zgjerimi përtej tregut vendas
Pas këtij lulëzimi, fshihet pasiguri dhe optimizëm. Tata shqetësohej se India ishte shumë e korruptuar për të ofruar një fushë loje të barabartë.
Ajo dhe firmat e tjera në zhvillim, besonin se për të përdorur teknologjitë e përparuara, duhej të vendoseshe në Perëndim. Asokohe, moda në Indi ishte “inovacioni Jugaad”: një inxhinieri elementare dhe e lirë, që mendohej se ishte burim avantazhi. Tata krijoi Nano-n, një makinë tepër të thjeshtë për Indinë, që kushtonte 2,000 dollarë.
Kjo epokë ka marrë fund tashmë. Shtrirja gjeografike dobësoi financat e shumicës së blerësve shumëkombësh. Në rastin e Tata-s, rreth dy të tretat e shitjeve të saj ishin jashtë vendit deri në vitin 2012.
Ndërkohë, 70% e kapitalit të saj arriti një kthim prej më pak se 10%, çka tregon një ecuri të dobët. Borxhi neto ishte rritur në dyfishin e fitimit operativ bruto.
Kjo tendosje çoi në një krizë qeverisjeje, pasi zoti Tata pati një mosmarrëveshje me pasardhësin e tij, Cyrus Mistry, familja e të cilit zotëron 18% të kompanisë mëmë të Tata-s (Mistry vdiq në një aksident automobilistik pranë Mumbait, më 4 shtator). Në fillim të vitit 2017, Tata emëroi në krye zotin Chandrasekaran.
Ngritja e zotit Chandrasekaran në majë të biznesit aziatik, reflekton një ndryshim tjetër të mprehtë: vetëbesimin teknologjik të tregjeve në zhvillim.
Në dekadën e kaluar, India ka krijuar ndoshta sistemet më të përparuara të pagesave në botë dhe një skenë të kapitalit sipërmarrës që ka ndihmuar në financimin e më shumë se 100 kompanive teknologjike “njëbrirëshe” private me vlerë 1 miliard dollar,ë ose më shumë.
Kompanitë e shërbimeve, përfshirë Tata-n, janë dyfishuar në madhësi dhe janë shumë më të sofistikuara teknikisht. Dhe megjithëse Tata mund të mos dëshirojë ta pranojë këtë, investimi 10-vjeçar i zotit Ambani prej 46 miliardë dollarësh në Jio, një biznes vendas i telekomunikacionit 5G, ka treguar se mund të investohen shuma të mëdha kapitali në teknologjinë e përparuar, në një ekonomi në zhvillim.
Vetëbesimi më i madh në teknologji ka përkuar me ndryshimin e marrëdhënieve midis rolit të bizneseve dhe shtetit, të mbështetur nga qeveria e Modit. Lëvizja e zinxhirëve të furnizimit larg Kinës, teknologjitë e reja dhe tranzicioni i energjisë, krijojnë mundësi. Por kush do t’i shfrytëzojë ato?
Firmat shtetërore të Indisë nuk janë të zhvilluara. Firmat e huaja shumëkombëshe nuk kanë arritur as industrializim dhe as përparime teknologjike. Tregjet e kapitalit nuk kanë arritur të krijojnë firma të reja me kapital të mjaftueshëm për të ndërmarrë nisma të mëdha me rrezik.
Cikli i fundit i investimeve të Indisë, një lulëzim infrastrukturor në vitet 2003-‘11, përfundoi me borxhe të mëdha dhe dhimbje ekonomike. Qeveria dhe disa shefa, tani po favorizojnë firmat gjigante. Ato përfshijnë konglomerate dhe kompani të specializuara si JSW Steel dhe HDFC, një bankë që do të jetë pjesë e një mega-bashkimi prej 140 miliardë dollarësh.
Disa firma, si Adani Group dhe Reliance, e përqafojnë këtë rol dhe afërsinë që sjell ai me shtetin. Të tjera janë optimiste se kërkesat e zhvillimit kombëtar dhe biznesi i përgjegjshëm dhe fitimprurës, janë vërtet të pajtueshëm. Kompania Tata është një prej tyre.
Si shef, zoti Chandrasekaran është mjaft i shkathët dhe racional. Ai ka gjithashtu sens humori dhe karakter krejt të kundërt nga zoti Tata, aristokratik dhe enigmatik.
Email-et dërgohen shpejt. Filialet e ndryshme janë udhëzuar që fillimisht të ofrojnë performancë dhe më vonë të marrin kapital. Pjesët më të këqija të Tata-s po eliminohen në heshtje: Tata Sons ka kursyer 10 miliardë dollarë që nga viti 2017, pasi ka dalë nga fusha të dobëta si telekomunikacioni dhe ka rikapitalizuar hallkat e brishta.
Disa nga sektorët e mbetur mbrapa po zhvillohen. Biznesi ciklik i çelikut po lulëzon, dhe pjesa e tregut të Tata-s në automjete është rritur, veçanërisht për automjetet elektrike. Operacioni i pastrimit pothuajse ka përfunduar dhe si rezultat, llogarisim se kthimi i kapitalit të Tata-s ka arritur në 21%, ose 14%, pa përfshirë shërbimet IT. Pjesa e kapitalit me rezultat të dobët është ulur në 48% (shih grafikun 2).
Leva financiare është pothuajse sa gjysma e asaj që ishte. Sipas llogaritjeve tona, një aksion në Tata Sons ka tejkaluar tregun e aksioneve të Indisë me 46 pikë përqindje që nga viti 2017. Një betejë ligjore mbi trashëgiminë përfundoi kur Gjykata e Lartë e Indisë vendosi në favor të Tata-s vitin e kaluar. Në shkurt, zoti Chandrasekaran u emërua për pesë vite të tjera.
Po ndodh edhe diçka e habitshme. Tata po bëhet më indiane për herë të parë që nga vitet 1990. Shitjet në vend arritën në 38% të totalit vitin e kaluar, duke u rritur pothuajse dy herë më shpejt se ato të huaja në dekadën e fundit.
Plani për pesë vitet e ardhshme do ta përshpejtojë këtë, duke shpërndarë rreth 90 miliardë dollarë kapital, kryesisht në Indi dhe kryesisht në projekte që kanë avantazh teknologjik dhe janë në përputhje me axhendën e qeverisë.
Disa janë përpjekje për rritjen e konsumit në Indi, të tjera për rritjen e prodhimit për eksport. Zoti Chandrasekaran parashikon një “mundësi për kompanitë globale që të krijojnë një zinxhir furnizimi me bazë në Indi”.
Sfidat e së ardhmes
Shpenzimet kapitale vjetore të Tata-s do të rriten në 18 miliardë dollarë, më shumë se dyfishi i mesatares së dekadës së kaluar. Kjo do ta bënte atë investitorin më të madh në Indi. Tata dhe kompania Reliance, së bashku përbëjnë 7% të totalit të të gjitha kompanive private.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, bizneset e reja të teknologjisë së lartë, mund të rriten nga një e katërta e kapitalit të punësuar në Tata, në gjysmën deri në vitin 2027. Rreth 77% e investimeve të reja të Tata-s, do të bëhen në Indi. Këto janë ndryshime të mëdha dhe ndoshta transformuese – si për firmën, ashtu edhe për vendin.
Këto para do të derdhen për disa nisma. Njëra është në tranzicionin e energjisë. Filiali i energjisë Tata do të investojë pothuajse 10 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme në gjenerimin e burimeve të rinovueshme.
Një projekt prej 5 miliardë dollarësh do të ndërtojë giga-fabrika në Indi dhe në Europë, për të furnizuar makinat e Tata-s dhe ato të prodhuesve të tjerë. Operacioni i makinave indiane do të nxjerrë në treg dhjetë modele EV. Tata gjithashtu do të rrisë prodhimin e paneleve diellore, një biznes ku sot mbizotëron Kina.
Një tjetër nismë është në fushën e teknologjisë dhe elektronikës. Tata deri tani ka investuar 1 miliard dollarë në prodhimin e elektronikës për klientët indianë dhe globalë, kryesisht në zonën Tamil Nadu.
Ajo synon të krijojë pajisje telekomunikacioni 5G, duke përdorur standardin Openran me softuerë të avancuar, me synim për të sfiduar Huawei-n, kampionin e Kinës.
Kompania po merret edhe me testimin dhe paketimin e gjysmëpërçuesve (faza e fundit, më pak e ndërlikuar e fabrikimit të çipave) dhe zoti Chandrasekaran po mendon të ndërtojë fabrikën e parë të gjysmëpërçuesve me prodhim plotësisht në Indi, në partneritet me një firmë të huaj.
Kjo fabrikë, e cila mund të kushtojë 5 miliardë dollarë ose më shumë, nuk do të prodhonte çipa aq të avancuar sa ato TSMC të Tajvanit, por do të ishte një hap i mirë për Indinë dhe sfida më e madhe për Tata Group.
Ka pasur edhe tentativa të mëparshme nga kompani të tjera: më 13 shtator, Vedanta, një firmë e përqendruar në Indi, dhe Foxconn, nga Tajvani, thanë se do të investonin 19.5 miliardë dollarë në një fabrikë gjysmëpërçuesish në Gujarat.
Nisma e tretë synon konsumatorin indian. Kompania ka shpenzuar 2 miliardë dollarë në një platformë dhe aplikacion dixhital të quajtur “Neu”, që synon të jetë një “super aplikacion” për klientët e Tata-s, duke i lidhur ata me shitjen me pakicë, hotelerinë, kujdesin shëndetësor, transportin dhe shërbimet financiare, si dhe me produktet e automjeteve. Ai ka tërhequr 17 milionë përdorues që nga lançimi i tij në prill – një shifër zhgënjyese, por do të vazhdohet të investohet në këtë fushë për të bërë përmirësime.
Së fundmi, është Air India, kompania transportuese ajrore, që ka kaluar shumë kriza. Ajo është blerë nga shteti për 350 milionë dollarë, pa borxhe, dhe mund të bashkohet me Vistara-n, një sipërmarrje e përbashkët ajrore vendase që zotërohet nga Tata dhe Singapore Airlines.
Ideja është që të krijohet një linjë ajrore e fuqishme kombëtare si Emirates apo Lufthansa, e cila Indisë i ka munguar prej kohësh. Sipas raporteve të shtypit, Tata së shpejti mund të blejë 300 avionë të rinj.
Këto nisma mund të dështojnë. Tata nuk po synon më zgjerimin, dhe ka zgjedhur përqendrimin gjeografik, duke shtuar diversifikimin sektorial.
Por në Indi, dhe në shumë ekonomi në zhvillim, konglomeratet kanë më tepër përparësi: prania e markës, ndikimi te rregullatorët, aksesi i përbashkët në hapësirën e pakët. Sidoqoftë, ato kanë edhe kompleksitet: kompania Holding e Tata-s ka mbi 30 filiale të mëdha operative dhe 286 filiale ligjore dhe zoti Chandrasekaran është në bordin e shtatë kompanive të listuara.
Edhe pse Tata është e madhe, asaj i mungon shkalla globale në industritë individuale. Nisma prej 1 miliard dollarësh në elektronikë, është e barabartë me 8% të kapitalit të kompanisë Foxconn. Investimi prej 5 miliardë dollarësh në bateri, arrin në 40% të firmës kineze CATL.
Kompanitë India Reliance dhe Rafinim, kanë dyfishin e kapitalit të Tata-s, në fushën 5G dhe atë petrokimike. Mungesa e fokusit mund t’i vështirësojë përparimet teknike. Shefi i një prodhuesi të madh çipash është skeptik se India mund të ndërtojë një fabrikë konkurruese globale: “Është shumë shpejt për një ambicie të tillë”.
Një rrezik tjetër është pronësia e Tata-s. Ajo ka tre shtresa. Në krye janë fondet bamirëse vetëqeverisëse që së bashku zotërojnë 66% të Tata Sons. Ato drejtohen nga zoti Tata dhe drejtues të tjerë.
Ata janë të pasur me asete (së bashku trustet kanë një vlerë mbi 100 miliardë dollarësh, më shumë se Fondacioni Gates), por të varfër në të ardhura, duke marrë dividentë të barabartë me nën 1% të fitimeve operative të grupit. Më pas vjen Tata Sons, shtresa e mesme, të cilën e drejton zoti Chandrasekaran dhe ka aksione në kompanitë operuese, që janë shtresa e tretë.
Ka disa gjëra që mund ta destabilizojnë këtë strukturë. Vdekja e zotit Mistry dhe e të atit në qershor, mund të çojë në një rivlerësim të 18% të aksioneve që zotëron familja e tyre në Tata Sons.
Ata kanë të drejtë t’ua shesin aksionet kompanisë, gjë që do ta detyronte atë të përpiqet të grumbullojë 27 miliardë dollarë për të financuar blerjen. Zoti Tata është 84 vjeç, dhe megjithëse ende i mprehtë mendërisht, fizikisht është i dobët.
Kur ai të tërhiqet nga trustet, siç ka të ngjarë të ndodhë, është e paqartë se kush do ta trashëgojë udhëheqjen de facto të bordeve. Shpresohet të arrihet një marrëveshje, ose të shfaqet një kandidat i fortë dhe i respektueshëm, i cili nuk përzihet në biznes. Skenari më i tmerrshëm është një luftë për pushtet, ose dikush që ka lidhje me qeverinë.
Rreziku më i madh është vetë qeveria. Kritikët e kryeministrit e kanë akuzuar se ai po nxit “kapitalizmin me mik”. Skena e biznesit të Indisë është pak më pak e përqendruar se ajo e Amerikës: katër grupet më të mëdha, kanë fitime operative prej 1.1% të PBB-së, krahasuar me 1.2% në Amerikë.
Por edhe kompania Tata, e cila e konsideron veten të larguar nga politika, i ka bërë homazh simbolik nacionalizmit populist të zotit Modi. Në vitin 2019, zoti Tata vizitoi selinë e RSS-së, shoqatës hindu-shoviniste që mbështet zotin Modi.
Në të njëjtin vit, zoti Modi mori pjesë në prezantimin e një libri nga zoti Chandrasekaran. Organizatat bamirëse Tata po punojnë më ngushtë me shtetin, për shembull në spitale. Dhe Tata po merr pjesë në skemën e subvencionimit të prodhimit, prej 26 miliardë dollarësh të Indisë (megjithëse këmbëngul se fondet janë shumë të vogla për të ndryshuar vendimet për investime).
Për momentin, kontrolli i fortë i zotit Modi mbi pushtetin dhe vizioni i tij për ekonominë, janë në përfitim të kompanisë. Por kjo mund të ndryshojë.
Ndryshe nga Chaebol që e bëri Korenë e Jugut të pasur, duke e ekspozuar vendin ndaj konkurrencës globale përmes tregjeve të eksportit, disa nga firmat e mëdha të Indisë, po i kushtojnë vëmendje vetëm tregut të brendshëm.
Ato mund të bëhen shumë komode, ose të korruptuara. Ndërsa një grusht gjigantësh diversifikohen në atdhe, ata do të mbivendosen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin, siç po bëjnë tashmë në fushën e energjisë së rinovueshme.
Kur të ndodhë kjo, a mund të jetë kompania Tata e sigurt se do të ketë një trajtim të barabartë? Dhe kur disa prej basteve të reja të Tata-s të dështojnë, a është e sigurt se mund të largohet e lirë, edhe nëse kjo do ta privonte Indinë nga prania në një industri që qeveria e konsideron “strategjike”?
Disa nga arsyet për skepticizmin e zotit Tata për të investuar në Indi në vitet 2000, vazhdojnë të jenë të logjikshme dhe sot. Investimi i dhjetëra miliarda dollarëve në atdhe, është një lojë e rrezikshme.
Megjithatë, nëse del me sukses, Tata dhe të tjerë, më në fund mund ta industrializojnë dhe dixhitalizojnë Indinë, duke e kthyer atë në një burim inovacioni dhe prodhimi për indianët dhe gjithë botën. Pra, për të parë se ku po shkon vendi, ndiqni ecurinë e kompanisë Tata.
Përktheu: Lira Muça
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.