Ndërkohë Covid detyron mbylljen e pjesshme të stadiumit
Protestat në nivel europian kundër kufizimeve të reja për shkak të Covid janë shtrirë në futboll, me Bayern Munich që ka njoftuar lojtarët e tij të pavaksinuar se do të përballen me shkurtim të pagave të tyre gjatë periudhës në të cilën do të qëndrojnë në karantinë.
Lajmi bëhet i ditur ndërkohë që rastet e të infektuarve me Covid janë rritur dhe një vendim i qeverisë lokale urdhëron që Bayern Munich duhet të kufizojë numrin e tifozëve në stadium në 25% të kapacitetit (18.750 persona), nën rrezikun që ndeshjet të luhen me dyer të mbyllura.
Kufizimet e reja shëndetësore specifikojnë që nëse shkalla e infeksionit 7-ditor nuk bie nën 1000/milion, ndeshjet do të luhen pa tifozë. Ndeshjet që ndoshta do të luhen me dyer të mbyllura në Bundesligë do të jenë ajo kundër Arminia Bielefeld (më 27 nëntor) dhe Mainz (më 11 dhjetor), kurse për Champions League ajo kundër Barcelonës (më 8 dhjetor).
Kufizimet e lojtarëve
Mesfushori i Bayern, Joshua Kimmich. i cili deri më tani ka refuzuar të vaksinohet për shkak të “shqetësimeve personale” është detyruar të qëndrojë për të dytën herë në izolim, për shkak të një ekspozimi të ri ndaj koronavirusit. Ai sapo kishte dalë nga izolimi i parë të martën e kaluar.
Bayern thotë se Serge Gnabry, Jamal Musiala, Eric Maxim Choupo-Moting dhe Michael Cuisance gjithashtu duhet të qëndrojnë në izolim pasi kishin qenë në kontakt me një person i cili kishte rezultuar pozitiv.
Lajmi i pakëndshëm vjen vetëm pak orë para ndeshjes të martën të Champions League përballë Dynamo Kiev, edhe pse Bayern e ka kaluar fazën e 1/16. Për Kimmich, paga e të cilit është rreth 20 milionë euro, një javë në karantinë do të thotë një shkurtim page me rreth 384.000 euro.
Ish-drejtuesi i Bayern, Karl-Heinz Rummenigge, tha për “Sky” se nëse shkurtimet e pagave konfirmohen, ato “duhet të kuptohen si një shenjë se klubi tani po reagon. Sepse duhet të reagojë.”
Gjermania po përballet me një valë të re të virusit me numrin e të infektuarve në rritje. Ata që nuk janë të imunizuar duhet ta vërtetojnë atë me teste negative, edhe për të përdorur mjetet e transportit publik apo për të shkuar në punë. Këta persona gjithashtu ndalohen të shkojnë në restorante, ndeshje sportive apo shfaqje kulturore në rajonet ku shkalla e të shtruarve në spital është e lartë.
Drejtuesi sportiv i Bayern, Hasan Salihamidzic, tha se disa lojtarë në klub nuk duan të vaksinohen. “Qëndrimi im dhe ai i klubit është se ne të gjithë duam të vaksinohemi, sepse kjo është e vetmja rrugëdalje nga pandemia, por duhet të pranojmë se jo të gjithë e shohin kështu. Është një situatë e vështirë”, tha Salihamidzic.
/ Inside World Football