BB e rendit Kosovën në vendin e 64 në “Të bësh Biznes 2017″

26/10/2016 9:31 AM 0 komente

Raporti i Bankës Botërore (BB) “Të Bësh Biznes 2017” konfirmon progresin e arritur nga Republika e Kosovës në përmirësimin e mjedisit afarist, duke ngritur rankimin e saj botëror në vendin e 60-të nga vendi i 64-të krahasuar me raportin e mëparshëm.

Raporti zyrtar i BB për “Të Bësh Biznes 2016” e kishte renditur Kosovën në vendin e 66-të.

Dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore vlerësojnë qeverisjen dhe lehtësinë e të bërit biznes në disa fusha ligjore, rregullatore dhe operacionale.

Kosova ka shënuar progres në disa indikatorë. Në veçanti është bërë progres i konsiderueshëm në indikatorët për Fillimin e një Biznesi, nga vendi i 27-të në vendin e 13-të në botë; Pagimin e Tatimeve ku nga vendi i 77-të ka kaluar në vendin e 43-të në botë; Tregtia përtej Kufijve ku nga vendi i 59-të është renditur në vendin e 51-të në botë.

Ky përmirësim është arritur kryesisht përmes shkurtimit të afateve, procedurave dhe kërkesave për regjistrimin e bizneseve pranë Agjencisë së Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), funksionalizimin e sistemit elektronik të pagimit të tatimeve pranë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe funksionalizimit të sistemit ASYCUDA nga Doganat e Kosovës.

Këto përmirësime janë rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe Task-Forcës për të Bërit Biznes që udhëhiqet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) si dhe grupeve punuese të specializuara për secilin nga dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore “Të Bësh Biznes” që udhëhiqen nga ministritë përgjegjëse për fushat përkatëse.

Përveç përmirësimit të renditjes botërore në indikatorët përkatës, përmirësimet në këta indikatorë janë ngushtë të ndërlidhur me reduktimin e korrupsionit, prosperitetin ekonomik si dhe efikasitetin e përgjithshëm në qeverisje.

Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me qytetarët dhe bizneset si dhe me mbështetjen e donatorëve partnerë në këtë proces, duke përfshirë Bankën Botërore dhe Programin e USAID Partneritetet për Zhvillim, do të vazhdojnë të fokusohen në reforma më të thella dhe më gjithëpërfshirëse në të ardhmen, duke përdorur rezultatet nga Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2017 si platformë për përmirësim të mëtejshëm.

Qeveria e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët e interesuar të marrin pjesë në anketat e “Të Bësh Biznes” nga Banka Botërore, që janë burim i rëndësishëm i informacionit gjatë përgatitjes së Raportit të Bankës Botërore, në mënyrë që të ndihmojnë qeverinë në vlerësimin e performancës së saj, verifikimin e reformave si dhe rritjen e përgjithshme të sasisë dhe cilësisë së informatave në dispozicion të Bankës Botërore gjatë përgatitjes së Raportit “Të Bësh Biznes” në vitet e ardhshme./ Ekonomia

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of