Banka Botërore nxori këto ditë një guidë reference për menaxhimin e investimeve publike, kryesisht për vendet në zhvillim ku bën pjesë edhe Shqipëria. Pjesa e studimeve që kanë paraprirë guidën ka qenë edhe praktika shqiptare e menaxhimit të investimeve publike e cila është ndjekur nga eksperti i Bankës Botërore, Simon Groom.
Zbatimi i Udhëzuesit Reference do të ndihmojë qeveritë të përmirësojnë funksionet dhe kapacitetet e tyre të administrimit të shpenzimeve publike, veçanërisht duke ndihmuar në forcimin e funksioneve përkatëse të ministrisë së Financave, ministrive të linjës dhe agjencive. Ai bazohet në mësimet që dalin nga krahasimet e sistemeve dhe praktikave të vendeve me të ardhura të larta dhe të ulëta.
Analizat kanë treguar që cilësia e qeverisjes publike lidhet me investimet publike dhe rezultatet e rritjes së tyre. Përmirësimi në të gjitha nivelet e qeverisjes përgjatë gjithë ciklit jetësor të një projekti investimi, mund të rrisë në mënyrë domethënëse përfitimet që rrjedhin nga zbatimi i tij.
Studimet rreth investimeve publike kanë treguar se në tregjet në zhvillim, hendeku në efikasitetin e investimeve për shkak të keqqeverisjes është 27% në vendet më të ardhura të mesme dhe në vendet me të ardhura të ulëta, është 40 për qind.
Banka Botërore thotë se investimet publike mund të rrisin efikasitetin duke marrë në konsideratë përcaktimet e mëposhtme;
-Sqarimi i përkufizimit dhe fushëveprimit të investimeve publike;
– Krijimi i një kuadri të shëndoshë ligjor, rregullator dhe institucional për investimet publike, duke u siguruar që është i lidhur me procesin e buxhetimit;
– Alokimi i roleve dhe përgjegjësive për aktorët kryesorë në Menaxhimin e Investimeve Publike në të gjithë qeverinë;
– Forcimi i udhëzimeve për procedurat e vlerësimit, dhe procedurave të seleksionimit të prioriteteve dhe thellimit të metodologjive për vlerësimin e projekteve;
– Menaxhimi i alokimeve të buxhetit me angazhimet shumëvjeçare;
– Përpjekjet për të adresuar zbatimin efektiv, prokurimin dhe monitorimin e projekteve ;
– Forcimi i menaxhimit të pasurive publike;
-Integrimi në Menaxhimin e Investimeve Publike të Partneriteti Publik-Privat ( PPP) në një kornizë të unifikuar ;
-Racionalizimi dhe përparësia e portofolit ekzistues të projekteve të investimeve publike;
– Zhvillimi i një baze të të dhënave për projektet investimeve dhe teknologjisë së informacionit në formën e një sistemi informacioni;
Banka Botërore sqaron se Udhëzuesi i Referencës PIM nuk kërkon të sigurojë përgjigje përfundimtare për çështjet e zakonshme të investimeve me të cilat përballen vendet. As nuk kërkon të sigurojë një model të detajuar, por përmbledh referencat dhe praktikat e mira që duhet të merren parasysh për menaxhimin e investimeve publike në secilin vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.