Banka Botërore rishikoi së fundmi ecurinë e projektit “Zhvillimi i Kontabilitetit në Sektorin Publik” i cili sipas kalendarit u mbyll në 31 dhjetor të vitit të shkuar.
Sipas Bankës vetëm 57 për qind e fondeve të projektit janë disbursuar duke lënë kështu një pjesë të mirë të tyre të pa tërhequra dhe shkak për ecurinë modeste të projektit është cilësuar situata e pandemisë. Përtej vlerësimit si i kënaqshëm në mënyrë të moderuar Banka nënvizon se janë disa objektiva të përcaktuara në komponentët e projektit të cilët kanë pasur ecuri të mirë.
“Pavarësisht situatës pandemike Covid-19 në vend, është bërë progres në disa aktivitete kyçe të projektit. Nën komponentin 1, (i) prokurimi i Asistencës Teknike për zbatimin e SNKSP” u finalizua, (ii) u avancua me një analizë të thelluar, përfshirë përditësimin e analizës për hendekun e kontabilitetit publik dhe rishikimin e proceseve të lidhura me biznesin nën të njëjtën kontratë; (iii) filloi hartimi i udhëzuesit kombëtar për sektorin e kontabilitetit publik sipas të njëjtës kontratë; dhe (v) u avancua me përkthimin e SNKSP në shqip. Nën Komponentin 2, (i) u finalizua prokurimi i mekanizmit të trajnimit të “Zhvillimit të Aftësive Profesionale të Kontabilitetit dhe Sektori Publik i Kontabilitetit i Qëndrueshëm; (ii) përfundimi i vlerësimit të nevojave për trajnim dhe trajnimi i 28 trajnerëve për programin e trajnimit të kontabilitetit të sektorit publik (PSA); (iii) nisi programi pilot i trajnimit të sektorit publik dhe detyra të tjera sipas së njëjtës kontratë; dhe (iv) certifikimi ndërkombëtar i 19 pjesëtareve të stafit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për Menaxhimin e Financave Publike”. Nën Komponenti 3, GDFC u mbështet me ekspertizë prokurimi për të plotësuar vendet vakante të përkohshme”, thuhet në dokument.
Por pavarësisht ecurisë pozitive në disa aspekte jo në të gjithë drejtimet është shënuar rezultati i synuar në fillim.
“Megjithatë, për shkak të afatit të kufizuar kohor si efekt i COVID-19, përfundimi i kënaqshëm i rezultateve të mëposhtme, si (i) rishikimi i kuadrit ligjor, udhëzuesve kombëtarë dhe përgjegjësisë institucionale për kontabilitetin e sektorit publik, (ii) trajnimi pilot i PSA dhe programi i zhvillimit të vazhdueshëm profesional, dhe (iii) Kuadri arsimor i PSA, si dhe arritja e plotë e Objektivave të Zhvillimit të Projektit nuk do të ishte e mundur sipas kontraktorëve” thuhet në dokumentin e BB.
Projekti për zhvillimin e kontabilitetit në sektorin publik u miratua nga Bordi i Bankës në maj 2017 dhe u bë efektiv në 21 qershor 2018. Mbyllja e tij e parë ishte parashikuar në 30 qershor 2020 por për shkak të situatës së pandemisë kjo datë u rishikua dhe u vendos 31 dhjetori 2021. Projekti origjinal kishte një fond 1.07 milionë USD nga të cilat u disbursuan vetëm 0.6 milionë USD.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.