Reforma e pensioneve, reformat në sektorin financiar, në financat publike dhe në energji janë vlerësuar si nisje e suksesshme e qeverisë shqiptare nga zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore Laura Tuck, e cila i ka lënë porosi qeverisë adresimin e reformave makroekonomike dhe fiskale, me qëllim që të rikthehet rritja ekonomike dhe të krijohen vende të reja pune.
Vizita
Zëvendëspresidentja e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore Laura Tuck përfundoi vizitën 3-ditore në Shqipëri ku zhvilloi diskutime me Qeverinë dhe partnerët e tjerë për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ajo vlerësoi rezultatet e arritura nga partneriteti i fortë i Bankës Botërore me Shqipërinë dhe diskutoi kuadrin e partneritetit të ardhshëm 5-vjeçar me vendin për mbështetjen e përparësive të tij të zhvillimit, rritjes dhe mirëqenies për të gjithë. Kjo ishte vizita e parë e zonjës Tuck në Shqipëri, që kur u bë Zëvendës Presidente e Rajonit në shtator të vitit 2013. “Jam e kënaqur të shoh se Qeveria ka një fillim të mirë me ndërmarrjen e reformave të vështira në sektorin financiar, në financat publike, në energji dhe në sektorin e pensioneve për të adresuar çekuilibrat makroekonomike dhe fiskale, me qëllim që të rikthejë rritjen ekonomike dhe të krijojë vende pune”- tha në përfundim të vizitës Tuck.
Gjatë diskutimeve me Qeverinë, Zëvendës Presidentja Tuck u përqendrua te nevoja për t’u kushtuar reformave afatmesme një vëmendje të vazhdueshme, duke përfshirë administrimin fiskal dhe financiar, ristrukturimin e sektorit energjetik, reformën në klimën e investimeve dhe atë të mbrojtjes sociale. Ajo theksoi se në sektorin e energjisë do të ishte i dobishëm si hap i parë një zgjidhje e ndërmjetësuar e mosmarrëveshjes në lidhje me privatizimine kompanisë së shpërndarjes së energjisë, CEZ.
“Jemi të inkurajuar që Qeveria po ndjek rrugën e arritjes së një zgjidhjeje të shpejtë të ndërmjetësuar. Një zgjidhje e tillë do të ishte më pak e kushtueshme se alternativa të tjera, bën të mundur investimet kaq të nevojshme dhe çon një sinjal pozitiv për investitorët privatë që janë të gatshëm të zhvillojnë potencialet e sektorit energjetik të Shqipërisë.”-tha Tuck. Ajo diskutoi gjithashtu me autoritetet shqiptare Kuadrin e ri të Partneritetit me Vendin, i cili do të përcaktojë asistencë më të madhe të Bankës Botërore gjatë pesë viteve të ardhshme, që do të përfshijë programe që synojnë përshpejtimin e rritjes, krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e mirëqenies.
Takimet
Gjatë vizitës 3-ditore, Tuck u takua me Kryeministrin Edi Rama, Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, Ministrin e Financave Shkëlqim Cani dhe anëtarë të tjerë të Kabinetit, me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, me partnerë të zhvillimit, dhe me përfaqësues të sektorit privat. Ajo mori pjesë gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit të dy huave për zhvillimin e politikave, të miratuara rishtazi që mbështesin përmirësimin e administrimit të financave publike dhe stabilitetin e sektorit financiar.
Zëvendës Presidentja Tuck vizitoi Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme në Tiranë, një zyrë të Asistencës Sociale në Kombinat, ‘zonën e nxehtë” mjedisore të pastruar të Porto Romanos, dhe Impiantin e Pastrimit të Ujërave të Ndotura në Durrës. Ajo pa nga afër se si këto investime, të mbështetura nga Banka Botërore dhe nga partnerë të tjerë të zhvillimit, po ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët. zv.presidentja e BB Laura Tuck tha mbështetja e parë do të ndihmojë sektorin financiar shqiptar, për ta bërë më përfshirës, ndërkohë që mbështetja e dytë lidhet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga sektorin publik drejt privatëve.
“Tek Shqipëria shikojmë një vend me potencial për rritje ekonomike dhe ka koston më të ulët të fuqisë punëtore në kontinent. Gjatë këtyre ditëve kam pasur privilegjin të shoh shqiptarët duke punuar fort. Këtë vit BB ka nisur një diagnostikim sistematik të vendit për të përcaktuar më mirë se si ta ndihmojë vendin në të ardhmen. Ne do të vazhdojmë të mbetemi një mbështetës i fortë për ekonominë dhe begatinë ne vendit tuaj”, u shpreh ajo.
/Shekulli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.