BB vë në dukje se përmirësimi i punësimit në Shqipëri fsheh dobësi, po nxit rininë të emigrojë

05/01/2021 11:00 AM 0 komente

Tregu i punës u përmirësua gjatë viteve të fundit. Krijimi i vendeve të reja të punës u përshpejtua me 3% gjatë periudhës 2010-2014 dhe 4% gjatë 2015-2019.

Deri në vitin 2019, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të punësimit në Ballkanin Perëndimor me 53.8% të forcës së aftë për punës, por Banka Botërore, në dokumentin që shoqëron financimin e ri prej 80 milionë eurosh “për qëndrueshmërinë e financave publike dhe rritjen ekonomike flet për emigrim në nivele të larta të të rinjve”.

Sipas analizës më të fundit të Bankës, rritja e punësimit mund të ketë reflektuar pjesërisht formalizmin në rritje të tregut të punës. Pas vitit 2015, qeveria ka ushtruar aksione kundër informalitetit, duke bërë që një pjesë e shtuar e punësimit të jetë vetëm formalizim.

Gjithsesi, pjesa më e madhe e vendeve të reja punës janë gjeneruar nga sektorë me vlerë të ulët, të tilla si fasoni, shërbime administrative dhe sektori i ndërtimit.

Mungesa e mundësive për punësim ishte shqetësimi më i madh për 30% të të anketuarve në Shqipëri nga Eurobarometri 2018, ndërsa 66% e qytetarëve e kanë vlerësuar mungesën e vendeve të punës si pengesën më të madhe për sigurimin e një pune.

Duke pasur parasysh këto sfida shumë shqiptarë të rinj dhe të kualifikuar vazhduan të drejtohen në emigracion, referon Banka Botërore.

Banka vë në dukje se, pandemia Covid 19 e ka goditur më tej tregun e punës. Punonjësit në Shqipëri janë veçanërisht të prekshëm nga kriza për shkak të informalitetit të lartë që ende ekziston.

Pas heqjes së masave të karantinës, punësimi shihet të jetë përmirësuar në tremujorin e tretë të këtij viti, por megjithatë më shumë se 14 mijë e 500 persona janë të papunë në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2019.

Nga të dhënat e brendshme në tremujorin e tretë të vitit 2020, referuar Anketës së Forcës së Punës, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,3%. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2019, numri i të punësuarve gjithsej u ul me 1,2% (14,500 persona), ndërkohë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, ky tregues u rrit me 2,8 % (32,497 persona).

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç ishte 61,3 %. Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2019 në tremujorin e tretë të vitit 2020, është -1,2 %.

Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është -3,7 % në sektorin e bujqësisë, -0,2 % në sektorin e industrisë dhe 0,6 % në sektorin e shërbimeve./B.Hoxha

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of