Insitucionet e BE kanë njoftuar se do të japin 600 mln euro bashkëfinancime për 10 projekte transporti dhe energjie në Ballkanin Perëndimor. Kjo iniciativë merret pas samitit të Vjenës dhe ka për qëllim përmirësimin e ekonomive të vendeve të Ballkanit, sidomos në fushën e sigurimit të energjisë energjetike.
Vlera totale e projekteve mësohet se është rreth 600 milionë euro dhe ato do të zbatohen në Shqipëri, Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë.
Projektet do të bashkëfinancohen në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit të vitit 2015, (IPA) dhe Kuadrit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor të institucioneve financiare Europiane si: BERZH dhe banka gjermane KfW.
Mes projekteve që pritet të zhvillohen me ndihmën e BE-së janë lidhja e interkonjeksionit Shqipëri-Maqedoni dhe seksioni mes Malit të Zi dhe Serbisë për Korridorin Trans-Ballkanik të Elektricitetit.
Mes projekteve më të përfolura infrastrukturore janë lidhja me autostradë nga Nishi në Prishtinë me destinacion final Durrësin si dhe autostrada adriatiko-joniane që duhet të lidhë Kroacinë me Bosnjën, Malin e Zi dhe Shqipërinë me destinacion final Greqinë. (lexo:Rajoni kerkon financime per autostraden Nish- Prishtine- Durres)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.