Duke nisur nga viti 2035, në Bashkimin Europian nuk do të shiten më furgonë të rinj apo makina me motor me djegie të brendshme.
Republika Çeke, e cila aktualisht mban presidencën e BE, deklaroi se negociatorët e shteteve anëtare, të Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian ranë dakord që shtëpitë automobilistike duhet të reduktojnë me 100% emetimet e dioksidit të karbonit brenda vitit 2035.
Vendimi do të ndalojë shitjen e makinave dhe furgonëve të rinj me benzinë ose naftë në bllokun 27 vendeve anëtare.
Ndalimi është pjesë e paketës për ndryshimet klimatike të BE-së, e quajtur Fit for 55, e cila synon të reduktojë emetimet e dëmshme për klimën me 55% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 1990, dhe të arrijë neutralitetin klimatik deri në vitin 2050.
“Sapo kemi përfunduar negociatat për nivelet e CO2 për makinat”, shkroi në Twitter, eurodeputeti francez, Pascal Canfin, i cili kryeson Komisionin Mjedisor të Parlamentit Europian.
“Vendim historik i BE-së për klimën, i cili konfirmon përfundimisht objektivin 100% të automjeteve me emetime zero në vitin 2035 me faza ndërmjetëse midis vitit 2025 dhe 2030”.
Makinat janë aktualisht përgjegjëse për 12% të të gjitha emetimeve të CO2 në bllokun e BE-së, ndërsa transporti në përgjithësi zë rreth një të katërtën.
Shtetet anëtare të BE-së tani duhet ta miratojnë rregulloren në ligjin kombëtar.
Nuk parashikohet ndalimi i qarkullimit të automjeteve me motor me djegie të brendshme. Në vend të kësaj, shpresohet se të gjitha këto përfundimisht do të zëvendësohen me automjete elektrike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.