Një marrëveshje midis Parlamentit Europian dhe shteteve anëtare të bllokut i ka hapur rrugë “pasaportës dixhitale të Covid-19”, e cila synon të lehtësojë udhëtimet dhe të ringjallë sezonin e turizmit veror.
Marrëveshja u arrit një ditë më parë nga ligjvënësit e Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare, e cila do të lejonte cilindo në bllok të merrte një provë dixhitale të statusit të vaksinimit të koronavirusit, rezultateve të testit COVID ose rikuperimit nga virusi.
E quajtur “certifikata e gjelbër” nga Komisioni Europian, leja e udhëtimit është krijuar për të lejuar udhëtimet pa kufizime brenda BE përpara sezonit të zënë turistik të verës.
“Për disa javë, ne do të kemi një certifikatë të unifikuar europiane dixhitale të Covid-19, e cila do të njihet në të gjithë Bashkimin Europian dhe do të thjeshtojë masivisht udhëtimet ndërkufitare,” tha Jeroen Lenaers, eurodeputet i Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, më i madhi në PE, i cili ka kryesuar iniciativën.
“Është një sukses i madh që ne kemi parandaluar procedura dhe certifikata kontradiktore kombëtare,” shtoi ai.
Si do të funksionojë pasaporta?
Pasaporta e udhëtimit do të jetë një kod QR ose letër e printuar. Duke pranuar pasaportën e përbashkët, vendet anëtare bien dakord të heqin kufizimet shtesë të udhëtimeve, siç janë testimi apo karantina, përveçse në raste kur është e nevojshme.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt rifillimit të lëvizjes së lirë të Bashkimit Europian sa më të sigurt të jetë e mundur, ndërsa siguron qartësi dhe siguri për qytetarët tanë,” tha komisionerja e shëndetit në BE Stella Kyriakides.
Franca, Malta dhe Holanda do të jenë vendet e para të BE-së që provojnë skemën pilot. Kjo do të përfshijë sigurimin që pasaporta dixhitale funksionon siç duhet, dhe kalimet kufitare janë ndërvepruese në të gjitha sistemet e vendeve të ndryshme.
Çfarë përmban marrëveshjen?
EPP tha në një deklaratë se negociatat midis Parlamentit dhe vendeve anëtare ishin të komplikuara “sepse Parlamenti donte t’ua bënte qytetarëve udhëtimin më të lehtë, ndërsa qeveritë kombëtare donin të ruanin kompetencat e tyre kombëtare”.
Meqenëse kontrollet kufitare janë një përgjegjësi kombëtare, vendet anëtare të BE-së hezitonin të hiqnin dorë nga kontrolli.
Disa ngritën gjithashtu shqetësime në lidhje me drejtësinë, me vetëm rreth 10% të qytetarëve të BE-së aktualisht të vaksinuar, edhe pse kjo shifër tani po rritet me shpejtësi në pjesën më të madhe të bllokut.
Plani gjithashtu bëri thirrje që testet të sigurohen falas dhe Komisioni lehtësoi shqetësimet e vendeve anëtare duke u zotuar të linte mënjanë 100 milion euro për të blerë teste COVID në përputhje me certifikatat.
Marrëveshja e së enjtes do të duhet të miratohet në seancën e ardhshme plenare të Parlamentit Evropian të caktuar për 7 qershor, e më pas të vihet në zbatim./DW