Federal Trade Commission njoftoi se rrjeti social Facebook do të paguajë 5 miliardë dollarë për të zgjidhur mosmarrëveshjen në lidhje me shkeljet e privatësisë. Ky është një “sanksion i paprecedentë” – thonë autoritetet amerikane. Aksionet në bursë të rrjetit social ranë në Wall Street në 1,61%.
Marrëveshja e arritur mes Federal Trade Commission dhe Facebook parashikon edhe krijimin e një komiteti të pavarur për privatësinë, duke i dhënë fund mundësisë që Mark Zuckerberg të ketë fjalën e fundit në këtë çështje. Ndër të tjera, Facebook ndalohet të përdorë për qëllime publicitare numrat e telefonit të marra nga përdoruesit e tij për qëllime sigurie.
Marrëveshja është miratuar nga Federal Trade Commission, me tre vota pro nga republikanët, dhe dy kundër të anëtarëve demokratikë.
“Ky sanksion është i paprecedentë në historinë e Federal Trade Commission” – deklaron presidenti i Federal Trade Commission, republikani Joseph Simmons.
“Qëllimi nuk është vetëm ndëshkimi por, mbi të gjitha ndryshimi i kulturës së privatësisë së Facebook, duke ulur rrezikun e shkeljeve” shton z. Simmons.
Në anën tjetër, Bashkimi Europian ka hapur një hetim antitrust për Amazon. BE kërkon të verifikojë nëse gjiganti i blerjeve online ka përdorur të dhënat e ndjeshme të shitësve të pavarur që shesin në “Marketplace” e tij, duke shkelur rregullat e konkurrencës.
Një tjetër lajm i ditëve të fundit është se Komisioni Europian ka gjobitur me 242 milionë euro Qualcomm, prodhuesi i parë në botë për chip, për abuzim me pozicionin dominues në tregun e qarqeve të integruar, të destinuar për 3G. Mendohet se Qualcomm i ka shitur produktet e tij me çmim nën koston e prodhimit, për të kapërcyer konkurrentin e tij ICERA.
Kjo nuk është hera e parë që Komisionerja Europiane për Konkurrencën, Margrethe Vestage, heton Amazon dhe Qualcomm. Në të vërtetë, këto janë faqet e radhës të një serie procedurash që kërkojnë të hedhin dritë mbi sjellje që konsiderohen të paligjshme nga gjigantët e teknologjisë në lidhje me ligjet e Bashkimit Europian. Nga rrjetet sociale te kompanitë që prodhojnë chip-e, te kolosët e web. Më poshtë janë të renditura në rend kronologjik gjobat e dhëna ndaj kolosëve të teknologjisë …
Mars 2019 – Gjobë 1,49 miliardë për Google
Në rend kronologjik është gjoba e tretë e madhe e Komisionit Europian kundër gjigantit të Mountain View. Nën hetim është Adsense dhe sistemet publicitare online. Google akuzohet se ka abuzuar me pozicionin dominues në treg me platformën Adsense duke vendosur një sërë klauzolash në kontratat me website të tretë, duke ndaluar konkurrentët të vendosin reklamat e tyre në këto faqe.
Korrik 2018 – Gjobë 4,3 miliardë për Google
Gjoba e dytë për Google, më e kripura që i është vënë ndonjëherë. Kjo për shkak të pozicionit dominues në lidhje me sistemin e tij operativ Android. Për Komisionin Europian, kjo pengon konkurrencën, duke detyruar prodhuesit e pajisjeve të instalojnë browserin Chrome dhe Google Search si kërkesë për të dhënë licencat e Play Store.
Janar 2018 – Gjobë 997 milionë për Qualcomm
Qualcomm u akuzua nga Bashkimi Europian pasi ka abuzuar me pozicionin dominues, duke i paguar miliarda dollarë Apple që ajo të mos përdorte shërbime nga prodhues të tjerë chip-esh
Tetor 2017 – Gjobë 250 milionë Amazon
Komisioni Europian vendosi që Amazon t’i kthejë Luksemburgut 250 mln euro taksa të shmangura falë një marrëveshje që konsiderohet “State aid”, një praktikë e ndalur nga ligji i BE. Akuza është se ka pasur një trajtim të favorshëm tatimor.
Qershor 2017 – Gjobë 2,4 miliardë Google
Gjoba e parë, gjithnjë për abuzim me pozicion dominues. Bëhet fjalë për një sanksion 2,4 mld euro për krahasuesin e çmimeve online Google Shopping. Sipas Brukselit, shërbimi i shopping i Google ishte më i dukshëm krahasuar me shërbime analoge, por rivale, të pozicionuar shumë më ulët në kërkim. Në nëntor të 2018, 14 shoqëri që ofrojnë shërbime të krahasimit të blerjeve firmosën një letër të hapur për Vestager, duke denoncuar sjelljen e Google mbi këtë çështje, që megjithatë ka mbetur e pandryshuar pavarësisht gjobës.
Maj 2017 – Gjobë 110 milionë Facebook
Antitrust i BE e dënoi Facebook për dhënie “informacionesh mashtruese” në momentin e blerjes së Whatsapp. Në 2014, rrjeti social i krijuar nga Zuckerberg e kishte siguruar Komisionin Europian se nuk mund të lidhte account-in e Facebook me atë të Whatsapp. Por, në gusht 2016, duke përditësuar kushtet e shërbimit, mundësoi lidhjen mes numrave të telefonit të chat dhe profileve të Facebook.
Gusht 2016 – Gjobë 13 miliardë Apple
Kjo është një shifër e madhe që Apple ia paguan qeverisë irlandeze për taksat e prapambetura. Një hetim arriti në përfundimin që Dublini kishte dhënë “State aid” kompanisë që, në periudhën 2003 – 2014, ka pasur avantazhe falë normave lehtësuese të mbështetura në marrëveshjet tatimore me vendin.