Padurimi publik dhe politik për t’iu afruar BE-së na gënjeu të gjithëve, kur shpresuam se hapja e negociatave për marrjen e statusit të vendit kandidat do të ndodhte këtë vit. I ardhur qëllimisht në Tiranë, raportuesi për Shqipërinë, eurodeputeti Knut Fleckenstein nuk emocionohet shumë dhe e ndan mirë padurimin me kushtet e një procesi. Ai e tha qartë se, kjo mund të ndodhë vitin tjetër, ndoshta në qershor, pasi beson që kushtet deri në këtë fazë janë plotësuar.
Kjo shtyrje në kohën e vendimmarrjes së BE-së ka nisur të interpretohet si një “tekë” e Unionit. Por, në të vërtetë, ky lloj perceptimi është duke devijuar gjykimin nga e vërteta e fakteve. Për të arritur në këtë përfundim të gabuar, ka punuar mjaft mirë makineria e propagandës qeveritare, e cila e kurorëzoi qëndrimin me vetë Kryeministrin Rama, i cili në seancën e fundit parlamentare për programin, ironizoi si amator, kur duhet të shpjegonte vonesat dhe mungesën e një përgjigje pozitive për çeljen e negociatave për statusin. Ai tha se BE po shpik kushte njëri pas tjetrit për të cilat nuk është shprehur paraprakisht.
Zoti Rama pretendoi se pas Reformës në Drejtësi, BE i premtoi një datë, por më pas vendosën kusht Vetting-un, e pas Vetting-ut – zgjedhjet (pas çadrës së Opozitës). Kryeministri nuk gënjeu kur i renditi në këtë mënyrë kushtet, sepse kështu ka qenë vërtet kronologjia e ngjarjeve. Por i bën bisht së vërtetës, kur nuk e thotë se këto “teka”, ndodhën prej fajeve të mazhorancës së tij qeverisëse. Megjithëse rreth një vit më parë nisi procesi politik për Reformën në Drejtësi, ai zgjati shumë.
Ishte niveli më i lartë i BE-së i cili, për hir të së vërtetës ndërhyri, duke përdorur si “shantazh” integrimin për të shpëtuar nga gjymtimi politik që po i bëhej projektit, e që po shkonte drejt dështimit. Më pas, edhe Vetting-u, ndodhi vetëm pasi deputetët në sallën e Kuvendit u turpëruan nga kërcënimi se SHBA do t’i përfshinte në listën e zezë. Ndërkohë që gjatë 2016-2017 Shqipëria u kanabizua tërësisht dhe shteti falimentoi ose u bë palë me krimin në këtë fushë. Nuk mund të harrohet se dhe për zgjedhjet, vendi ra në krizë politike dhe pati tentativa për të hyrë në votime vetëm me një palë, pa Opozitën. Vetëm këmbëngulja, por edhe forca e BE-së, i futi palët në marrëveshje. Pra ishte një rrugë ku kushtet nuk i shpiku BE, por loja e pistë e të zgjedhurve shqiptarë. Nuk ishte BE që e kanabizoi vendin, as që bleu ose shiti votën, e as mbolli korrupsionin shumëvjeçarë shtetëror.
Sa për integrimin, presioni i një date nuk funksionoi më shumë sesa frika nga paralajmërimi ndërkombëtar për humbje personale të atyre që kishin në dorë t’i shtynin gjërat përpara. Ndaj strategjia për të fajësuar BE për teka nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, që kushtet për luftën kundër krimit dhe korrupsionit t’i konsiderosh si teka, është lojë e rrezikshme dhe e papërgjegjshme. Por për sa kohë qeveria arrin të gjejë hapësira spekulimi është edhe përgjegjësi e BE-së. Unioni e vuri veten në dyshim me krizën e refugjatëve, krizën financiare, me aftësinë për t’iu përgjigjur terrorizmit dhe forcës së ndikimit rus. Në sytë e vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë BE, kjo u pa si dobësi, por edhe si gropë për të shkarkuar problemet me qeverisjen e brendshme dhe ngadalësinë në procesin integrues.
BE, ndoshta e ka kuptuar dhe duket se po qaset me barrën e një “faji” ndaj vendeve si Shqipëria. Ajo kërkon ta zgjidhë këtë moment të dobët të saj duke krijuar aleanca mirëkuptimi me qeverinë, ose duke shpikur procese dhe modele të vjetra si tregu i ballkanik i përbashkët që, më shumë duken si përkëdhelje për të mos u mërzitur, sesa vepra konkrete. Qasja amorfe duhet të ndryshojë. BE, në procesin e integrimit, duhet të bëhet aleate me publikun dhe jo me qeveritë, të cilat mbeten në këtë histori thjesht partnerë të përkohshëm. Procesi i integrimit ka vetinë që të frymëzojë përparimin e vendit dhe është një instrument në duart e publikut për të matur performancat e qeverisë. Por të dyja këto karakteristika mund të zbehen nëse BE nuk reagon shpejt, pasi po ndihmon të qëndrojnë në fron kapadainjtë e vegjël të Ballkanit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.