BE ka paralajmëruar se do të shtrëngojë eksportet e vaksinave anti-Covid të prodhuara në bllok, pas një mosmarrëveshje me AstraZeneca për një reduktim të furnizimit të planifikuar të vaksinave.
Javën e kaluar, AstraZeneca i tha BE-së se ishte mbrapa me objektivin e saj të furnizimit për shkak të problemeve në prodhim. Pfizer-BioNTech gjithashtu ka thënë që furnizimet e vaksinës së saj do të jenë më të ulta, duke ngadalësuar kështu procesin e vaksinimit.
Furnizimi me vaksina është bërë një çështje kritike pasi shtetet kërkojnë të frenojnë një nivel të lartë infeksioni.
Vendimi i BE mund të ndikojë në furnizimet e Britanisë me vaksinën e Pfizer-BioNTech, e cila është zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania. Fabrika belge e Pfizer furnizon Mbretërinë e Bashkuar.
Komisionerja e Shëndetësisë në Bashkimin Europian Stella Kyriakides ka thënë më herët se blloku me 27 anëtarë “do të ndërmarrë çdo veprim që kërkohet për të mbrojtur qytetarët e saj”.
Kompanitë që bëjnë vaksinat e Covid në BE do të duhet të “japin njoftim të hershëm sa herë që duan të eksportojnë vaksina në vendet e treta”, tha ajo. Britania e Madhe tani është larguar nga BE.
“Shtetet anëtare të BE-së janë të bashkuara: zhvilluesit e vaksinave kanë përgjegjësi shoqërore dhe kontraktuale që duhet të mbajnë”.
Bashkimi Europian tashmë është përballur me kritika për shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave, të cilat blen në emër të të gjitha vendeve anëtare.
Pse problemet me AstraZeneca?
Vaksina e saj, e zhvilluar me Universitetin e Oksfordit, është aprovuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe vaksinimet tashmë janë duke u zhvilluar atje.
Ajo ende nuk është miratuar nga BE, megjithëse Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) pritet të japë dritë jeshile në fund të këtij muaji.
Blloku nënshkroi një marrëveshje në gusht për 300 milionë doza, me një mundësi shtese prej 100 milionë më shumë. BE kishte shpresuar që, po sa të jepej miratimi, dorëzimi do të fillonte menjëherë, me rreth 80 milionë doza që mbërrinin në 27 vendet anëtare deri në muajin Mars.
Vaksina e AstraZeneca për Evropën prodhohet kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse vendet e tjera në kontinent janë të përfshirë në prodhimin e saj.
Javën e kaluar, AstraZeneca tha se ka në rendiment të reduktuar. Zyrtarët nuk kanë konfirmuar publikisht se sa e madhe do të jetë mungesa, por Reuters njoftoi se dërgesat do të ulen në 31 milion, një shkurtim prej 60% në tremujorin e parë të këtij viti.
Një fabrikë partnere e AstraZeneca në Belgjikë e përfshirë në prodhimin e “vektorëve viralë”, shpërndarjen e materialit gjenetik në qeliza mendohet të jetë problemi.
Reduktimi i vaksinave nga AstraZeneca dhe vonesat e dërgesave nga Pfizer-BioNTech janë një goditje e madhe për Bashkimin Europian. Vonesat mund të hedhin dyshime serioze mbi zotimin e shefes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për të vaksinuar 70 për qind të të rriturve në BE deri në fund të Gushtit./BBC