Europa ka mprehur qëndrimin politik ndaj Kinës, duke konsideruar për herë të parë, Pekinin si një “rival sistemik”, shkuan Politico.eu.
Në një komunikim strategjik që përcaktoi 10 propozime për trajtimin e Pekinit, Komisioni Europian gjithashtu kritikoi vende të tilla si Italia, pasi kishin krijuar lidhje të ngushta me programin historik të Kinës ‘Një Brez një Rrugë’, i cili promovon tregtinë kineze përmes infrastrukturës që kalon nga Azia në Europë.
Duke iu larguar qasjes së saj të zakonshme ndaj Pekinit, BE e quajti Kinën “një konkurrent ekonomik në ndjekje të lidershipit teknologjik dhe një rivale sistematike që promovonte modele alternative të qeverisjes”. Ky ton i ashpër në Bruksel përkon me planet franko-gjermane, për të pasur një strategji europiane industriale më mbrojtëse, të mbështetur nga sektorët kryesorë europianë, duke filluar nga telekomi deri në inxhinieri. Në një shenjë se Berlini po e influencon fuqishëm strategjinë, lobi kryesor i biznesit të Gjermanisë, BDI, gjithashtu kohët e fundit ka filluar të përshkruajë Pekinin si një “konkurrent sistematik”.
“Në Europë ka një vlerësim më të madh se ka ndryshuar balanca e sfidave dhe mundësive të paraqitura nga Kina. Në dekadën e fundit, fuqia ekonomike e Kinës dhe ndikimi politik janë rritur me shkallë dhe shpejtësi të pashembullt, duke reflektuar ambiciet e saj për t’u bërë një fuqi udhëheqëse globale” tha Komisioni.
Gjuha e BE-së tregon një ndryshim të dukshëm të strategjisë: Strategjia e fundit BE-Kinë, e miratuar rreth tre vjet më parë, ishte e kujdesshme në kritikat e saj ndaj praktikave tregtare të Kinës, siç janë blerjet strategjike të prodhuesve kryesorë të teknologjisë europiane si pjesë e Strategjisë ‘Made in China 2025’.
“Ajo që duam, është të shmangim përfundimin në një situatë ku ne jemi të detyruar të konkurrojmë me subvencionet publike”, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Jyrki Katainen. “Ne besojmë në ekonominë e tregut social dhe nuk jemi në favor të ekonomisë së subvencionuar”.”Në mungesë të një strategjie europiane, Kina ka arritur të fusë një këmbë në derë në shumë kryeqytete europiane”, tha eurodeputetja holandeze, Marietje Schaake.
“Kina është e aftë të vërë vendet europiane kundër njëri-tjetrit. Psh investimi kinez në një port të Greqisë i mundëson të bllokojë një qëndrim të përbashkët të BE mbi të drejtat e njeriut në Kinë”, shtoi ajo. “Këto ndarje duhet të përfundojnë.”
Misioni kinez në BE ka hedhur poshtë çdo nocion konflikti. “Shpresojmë që BE të mund ta shikojë zhvillimin e Kinës dhe përpjekjet e reja për të nxitur reformën dhe hapjen në një dritë objektive, të arsyeshme dhe të ndershme”, tha ajo.
Një kontinent u nda
Qasja komerciale e Kinës në Europë është një vijë kyçe ndarëse politike në të gjithë kontinentin. Shumë vende të Europës Jugore argumentojnë se Gjermania është hipokrite që ankohet për shkallën e investimeve kineze, kur ishte Berlini që shtyu fort për shitjen e disa prej aseteve të tyre kryesore gjatë krizës financiare. Porti i lumit gjerman i Duisburgut ka qenë gjithashtu një përfitues i spikatur i programit ‘Një Brez një Rrugë’. Fuqia në rritje e Pekinit është bërë veçanërisht e dukshme ndërsa Italia po bëhet vendi i parë G7 që i bashkohet strategjisë ‘Një Brez një Rrugë’.
Flirtimi i Romës me projektin transkontinental të Pekinit, si dhe shitjet potenciale të borxhit italian në Kinë, kanë shkaktuar alarm në Bruksel dhe Uashington, ku zyrtarët kanë frikë se hapa të tillë do të hapnin një derë të pasme, për Kinën për të ndikuar në politikën europiane.
Strategjia e re e Komisionit i jep një goditje të qartë Romës: “As BE, as ndonjë nga vendet anëtare të saj nuk mund t’i arrijnë efektivisht synimet e tyre me Kinën pa një unitet të plotë”, thotë ajo.
Katainen u tha gazetarëve se 13 vende të BE kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me projektin e ‘Një Brez një Rrugë’ së Kinës. Ai bëri të qartë se të gjithë duhet të ndjekin rregulla të qarta.
“Të gjithë shtetet anëtare, gjithashtu operatorët e ‘Brezit dhe Rrugës’ duhet të jenë në përputhje me rregullat tona, në lidhje me konkurrencën dhe transparencën” tha ai. “Nëse nisma Një Brez një Rrugë po siguron financim për projektet, kjo do të thotë që shtetet anëtare duhet t’i paguajnë kreditë, kështu që nuk ka dreka falas”.
10 veprime konkrete
Strategjia propozon 10 veprime konkrete që kanë lidhje me Kinën. Komisioni i bëri thirrje Kinës që reformat të jenë në linjë me Organizatën Botërore të Tregtisë, “në veçanti mbi subvencionet dhe transferimet e detyruara të teknologjisë” dhe do që të përfundojë një marrëveshje mbi Mbrojtjen për Investitorët deri në vitin 2020.
“Për fat të keq, shpejtësia ka qenë shumë e ngadaltë,” tha Katainen për negociatat tregtare me Kinën në përgjithësi. “Ne nuk kemi parë hapje të mëdha nga pala kineze drejt kompanive tona apo pjesës tjetër të botës. Strategjia e Kinës vjen në mes të shqetësimeve në Bruksel se Kina mund të arrijë një marrëveshje me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili siguron qasje të njëanshme në treg dhe përfitime për kompanitë amerikane, duke lënë BE jashtë. Strategjia e Komisionit është më pozitive për një marrëveshje sigurie të aviacionit BE-Kinë, duke thënë se duhet të nxitet “në javët e ardhshme”.
Gjithashtu, është diskutuar se Europa duhet të bëjë më shumë përsa i përket sigurisë rreth Huawei dhe të ardhmen e telekomit.
“Rrjetet 5G do të sigurojnë boshtin e ardhshëm të shoqërive dhe ekonomive tona, duke lidhur miliarda objekte dhe sisteme”, tha ajo. “Për t’u mbrojtur kundër implikimeve potenciale serioze të sigurisë për infrastrukturën kritike dixhitale, nevojitet një qasje e përbashkët e BE-së për sigurinë e rrjeteve 5G”.
Reagimet
Macron pas përgjigjeve të BE ndaj çështjes së përqafimit të Italisë së projektit “Një Brez, një Rrugë”, u përgjigj “Është problemi i Italisë, nuk kam kohë për të humbur. Mendoj se çështjet europiane tashmë janë mjaft të rëndësishme. Unë po mendoj për çështjen e Kinës, me të cilën do të shqyrtojmë, çështjet tregtare dhe industriale, të ardhmen tonë të përbashkët, por besoj se gjithmonë ka ndonjë ndarje kombëtare ose vendore.
Në Këshillin Europian, koha shpërdorohet dhe unë nuk kam kohë për të humbur”, shtoi Macron, shkruan Rai News.
“Koha për naivitet europian ka mbaruar, sepse vendi është ndër rivalët sistemikë të Bashkimit Europian, të cilat janë edhe partnerë ekonomikë” shtoi Presidenti Macron, i cili përshëndeti dokumentin e Komisionit, që e përkufizon Kinën si një “rivale sistemike”.
Sipas Presidentit francez, Këshilli Europian shënoi një kthesë në ndërgjegjësimin e europianëve për sfidat e paraqitura nga Kina. “Ky zgjim ishte i nevojshëm” sepse “për disa vite ne kemi pasur një qasje të rastësishme dhe Kina ka shfrytëzuar ndarjet tona”.
Pesha e Kinës në Shqipëri
Kina mund të rrisë dhe më tej peshën e saj tek Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri dhe në rajon. Një raport i publikuar nga Konferenca për Tregtinë dhe Zhvillimin në Kombet e Bashkuara (UNCTAD) vlerëson se përveç faktit se së fundmi është rritur interesi i përfshirjes në disa projekte të investitorëve nga Kina, ka një projekt infrastrukturor të rëndësishëm që mund t’i japë një tjetër ritëm këtyre investimeve.
“Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri u rritën 2% në 2017 në 1.1 miliardë dollarë, niveli i dytë më i lartë për vendin, me energjinë dhe minierat që mbanin pjesën e luanit. Ndërkohë që dy projekte të rëndësishme në energji si (gazsjellësi Trans Adriatik dhe Hidrocentrali i Devollit) iu afruan përfundimit, investitorë të huaj të vendosur tashmë në vend nisën të zgjeronin praninë në projekte të energjisë së rinovueshme (përfshirë kompaninë austriake Verbund në hidrocentralin e Ashtës apo turqit e Ayen Enerji në hidrocentralin e Poçemit).
Edhe pse pjesa kryesore e investimeve erdhën nga vendet e zhvilluara të Europës në vitin 2017, firmat kineze nisën gjithashtu të investojnë në sektorin bankar, aviacion apo turizëm. Përmasat e investimeve kineze mund të rriten më tepër sapo Pacific Construction of China të nisë punën në Korridorin Blu (Autortrsda Adriatiko-Ioniane)” thuhet në raport.