Qeveritë e BE-së ka të ngjarë të marrin edhe një vit kohë për të paguar detyrimet e tyre fiskale, pasi efektet e luftës në Ukrainë kanë shkaktuar një rritje të kostove të energjisë dhe të ushqimeve.
Komisioni do të propozojë një zgjatje të klauzolës së shtyrjes në Paktin e Stabilitetit dhe të Rritjes Ekonomike deri në fund të vitit 2023, një plan që ka marrë mbështetje të gjerë nga anëtarët e bllokut.
Ministri gjerman i financave Christian Lindner, anëtar i Partisë Liberale Demokratike të Lirë, po luan rolin tipik të vendit të tij kur vjen fjala te ҫështjet fiskale, duke kundërshtuar propozimin.
“Skifteri miqësor”, siç e përshkroi veten Lindner dikur, do të shpalosë kundërshtimin e tij në takimet e ministrave të financave të BE-së që do të mbahen këto ditë, megjithëse nuk do të jetë në gjendje që të ndalojë pjesën tjetër të bllokut.
Ҫfarë po ndodh
- Norvegjia duhet të ndajë fitimet “gjigante” që ka bërë së fundi si rezultat i rritjes së çmimeve të naftës dhe gazit, tha dje kryeministri polak Mateusz Morawiecki, duke e përshkruar si “diҫka të ҫmendur” faktin që vendi nordik po përfiton indirekt nga lufta në Ukrainë.
- Ligjvënësit e BE-së kanë nisur përpjekjet e tyre për të ndaluar përfshirjen e gazit dhe të energjisë bërthamore në rregulloren e gjelbër të bllokut, të njohur si Taksonomia. Anëtarët e komisioneve parlamentare të mjedisit dhe të ekonomisë paraqitën kundërshtimet e tyre të premten. Përfshirja e këtyre dy teknologjive është kritikuar ashpër nga ekspertët dhe investitorët, por pasojat e refuzimit të tyre do të ishin të larta.
- Nuk është thjesht bora që mungon në Forumin Ekonomik Botëror në Alpet Zvicerane – do të ndjehet gjithashtu edhe mungesa e personave të pasur dhe të fuqishëm nga Rusia. Takimi i parë fizik në Davos në dy vitet e fundit do të mirëpresë një grup zyrtarësh nga Ukraina, por as edhe një zyrtar të vetëm apo drejtues biznesi nga Rusia, për herë të parë që nga rënia e komunizmit.
- Presidenti austriak Alexander Van der Bellen do të kërkojë një mandat të dytë, pasi ai synon të zgjasë mandatin ceremonial që ka përmbushur gjatë një epoke të turbullt politike. Votimet me shumë mundësi do të mbahen në gjysmën e dytë të vitit. Presidenti i Austrisë zgjidhet në një sistem me dy raunde, me një garë midis dy kandidatëve kryesorë nëse asnjëri prej tyre nuk merr më shumë se 50% të votave në raundin e parë.
- Autoritetet zvicerane kanë zhbllokuar llogaritë që i përkasin EuroChem, kompanisë së miliarderit rus të sanksionuar Andrey Melnichenko, pasi ai ia transferoi kontrollin gruas së tij. Kompania dhe menaxherët e saj kanë garantuar me shkrim se ata do të veprojnë në përputhje të plotë me sanksionet dhe se “asnjë fond apo burim ekonomik nuk do të vihet në dispozicion të personave të sanksionuar”, tha qeveria zvicerane në një deklaratë.
- Një vërshim i postimeve që nxisin dezinformimin në Sllovaki po vënë në qendër të vëmendjes Facebook për lehtësimin e përhapjes së teorive pro-ruse mbi luftën, duke filluar nga pretendimet se Kievi po zhvillon fshehurazi armë biologjike, e deri te dyshimet nëse pushtimi i Vladimir Putinit ka ndodhur në realitet apo jo. Ligjvënësit amerikanë thonë se kompania nuk po bën mjaftueshëm për të adresuar këto probleme.
- Një vit pasi u përpoqën të gjenin furnizime të mjaftueshme për vaksinat kundër Covid-19, disa vende europiane kanë një sasi të madhe të vaksinave dhe po u thonë kompanive të barnave se nuk duan të paguajnë për vaksina të tjera. Zyrtarët e shëndetësisë nga vendet anëtare të BE-së, duke përfshirë Poloninë, Sllovakinë, Bullgarinë, Holandën dhe tre shtetet baltike, u takuan javën e kaluar për të diskutuar mbi ndryshimet në kontratat me Pfizer dhe me prodhues të tjerë.
- Komisioni Europian do të zbatojë masa të mëtejshme për lehtësimin e borxhit për Greqinë, pasi vendi përmbushi angazhimet e tij gjatë rishikimit të fundit të borxhit, sipas një zyrtari të BE-së. Në muajin gusht, Greqia është gjithashtu gati të dalë nga regjimi i rreptë i monitorimit pas ndihmës që mori nga institucionet e BE-së./ Bloomberg