Takimi i zhvilluar ndërmjet ministrave të BE-së pak ditë më parë përfundoi me një zhgënjim të madh për Maqedoninë e Veriut, e cila shpresonte se marrëveshja që ajo nënshkroi së fundmi me Greqinë, duke i dhënë zgjidhje një konflikti që vazhdonte prej dekadash, do të shpërblehej me një biletë pranimi në BE, shkruan Agata Palickova për EURACTIV.com.
Një prej çështjeve kryesore që u diskutua nga ministrat e BE-së në takimin në Luksemburg në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme, ishte edhe pranimi i Maqedonisë së Veriut dhe i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Por në përfundim të takimit, ministrat vendosën të shtyjnë vendimin për hapjen e bisedimeve deri në tetor 2019, një goditje e madhe për shpresat e këtyre dy shteteve në lidhje me pranimin e tyre në BE. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresonin shumë se ministrat europianë do t’i ndiznin dritën e gjelbër, bazuar edhe në një rekomandim të Komisionit Europian më 29 maj. Dhënia e një vendimi pozitiv do t’i kishte hapur rrugën bisedimeve të pranimit në BE për këto dy shtete.
Në emër të Presidencës rumune të BE-së, ministri i Çështjeve Europiane, George Ciamba, tha para takimit se vendi kishte bërë shumë në drejtim të nxitjes së procesit të zgjerimit të BE-së. “Tani Rumania është duke u përpjekur që të gjejë një mënyrë që të jetë sa më angazhuese dhe konstruktive, por që në të njëjtën kohë do të shërbente për të ruajtur ekuilibrin strategjik dhe rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për Europën. Ruajta e stabilitetit të rajonit është me rëndësi për Bashkimin Europian”, tha më tej z. Ciamba.
Edhe ministri çek i Punëve të Jashtme, Tomáš Petříček, foli në favor të hapjes së bisedimeve të pranimit për dy shtetet e Ballkanit Perëndimor. “Nëpërmjet këtij takimi është e nevojshme që të dërgojmë një mesazh të qartë, se këto dy vende janë përpjekur shumë gjatë kësaj kohe, duke zbatuar reforma dhe kushte të vendosura nga BE-ja. “Tani është radha jonë që të mbajmë premtimin ndaj tyre dhe të fillojmë bisedimet e pranimit”, tha z. Petříček para sesionit përfundimtar në Luksemburg.
Maqedonia e Veriut bëri një hap të madh në drejtim të zgjidhjes së konfliktit 27-vjeçar me Greqinë në lidhje me emrin e saj, që t’i rriteshin mundësitë për të filluar bisedimet e pranimit në BE. E ashtuquajtura “Marrëveshja e Prespës” e qershorit 2018, hapi rrugën për bisedimet e anëtarësimit në NATO dhe BE, të cilat deri atëherë ishin bllokuar nga Greqia. Duke theksuar se takimi i ministrave u mbajt në përvjetorin e parë të Marrëveshjes së Prespës, Federica Mogherini tha se kishte ardhur koha që BE t’i jepte një mundësi Maqedonisë së Veriut.
Por deklarata përfundimtare e miratuar nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme nuk e mundësoi këtë gjë, duke e shtyrë për më vonë vendimin për hapjen e bisedimeve. Në këtë deklaratë, Këshilli përshëndeti Marrëveshjen historike të Prespës, e cila paraqet një arritje të rëndësishme, si dhe duke u shndërruar në një shembull pozitiv, jo vetëm për rajonin por edhe më gjerë. Ajo përgëzoi guximin dhe vendosmërinë e palëve të përfshira në këtë marrëveshje, citohej në deklaratën përfundimtare të Këshillit.
Edhe traktati për marrëdhënie të mira fqinjësie me Bullgarinë, nënshkruar nga Shkupi para marrëveshjes së Prespës, u përgëzua nga Këshilli. Ndërsa, sa i takon Shqipërisë, pritshmëritë për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE, ishin edhe më të ulëta. Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme do të marrë vendimin për pranimin e Shqipërisë në BE, në tetor të këtij viti.
Një nga arsyet kryesore se përse shtetit shqiptar nuk iu dha mundësia për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, është armiqësia e brendshme politike që ekziston në këtë vend, të cilën disa prej ministrave europianë e kanë interpretuar si shenjë të papjekurisë në drejtim të zbatimit të standardeve demokratike.
“Ne nuk mund të injorojmë situatën politike në Shqipëri, e cila ka qenë edhe arsyeja kryesore në marrjen e vendimit. Shpresojmë që periudha deri në tetor të këtij viti të ndryshojë mendimin e të gjithë ministrave”, komentoi më tej z. Ciamba. “Kjo është gjithashtu një lloj thirrje për të gjithë Shqipërinë dhe mbi të gjitha, për partitë politike, si për pozitën ashtu edhe për opozitën”, shtoi Johannes Hahn, Komisioneri i BE-së, përgjegjës për negociatat e pranimit.
Në mbledhjen e Këshillit, Holanda konfirmoi edhe një herë qëndrimin e saj si kundërshtari më i vendosur i zgjerimit të BE-së. Parlamenti holandez është shumë skeptik ndaj pranimit të Shqipërisë në BE, për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar që ekziston në këtë shtet. Franca, nga ana e saj, argumenton se BE-ja duhet fillimisht të forcojë institucionet dhe vendimmarrjen e saj, përpara se të nisë çdo zgjerim të mëtejshëm.
Por z. Hahn e kundërshtoi qëndrimin e Francës, duke pretenduar se kohezioni dhe zgjerimi i brendshëm i Europës nuk ishin procese të ndara “që duhet të ndodhin njëra pas tjetrës”. Sipas tij, të dyja mund të ndodhin paralelisht. Ndërkohë, Këshilli vlerësoi përparimin e bërë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në reformimin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, luftën ndaj krimit të organizuar, si dhe atë kundër pastrimit të parave.
Qiproja, nga ana e saj, paralajmëroi se do të përdorte veton e saj kundër vendimit të zgjerimit dhe mund të ndryshojë mendim vetëm nëse BE-ja do të ndërmarrë veprime kundër Turqisë, e cila aktualisht po nxjerr gaz në zonën e saj ekonomike.
Qëndrimi i Qipros u kritikua nga ministri i Jashtëm, italian Enzo Moavero Milanesi, i cili tha për “Reuters” se çështjet e ngritura nga shteti i Qipros “nuk kanë të bëjnë fare me zgjerimin e BE-së”. Ndryshe nga ajo që mund të ishte menduar, takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, shërbeu për të thelluar ndarjet mes vendeve anëtare të BE-së lidhur me zgjerimin e bllokut, në drejtim të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Duke qenë se procesi i anëtarësimit të tyre në Bashkimin Europian, është lënë në pritje, vendet e Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar lojtarëve të tjerë të huaj si Rusia, Turqia dhe Kina, të cilët kanë bërë dhe po vazhdojnë të bëjnë investime të rëndësishme në këtë rajon.