BE marrëveshje të re me Pfizer, siguron gati gjysmën e prodhimit të saj vjetor

08/01/2021 1:21 PM 0 komente

Bashkimi Europian po dyfishon stokun e saj të vaksinës së koronavirusit të zhvilluar nga Pfizer-BioNTech, ndërsa shqetësimet rriten për shpërndarjen e saj në të gjithë 27 vendet anëtare.

Vaksina e zhvilluar me bioteknologjinë gjermane ishte e para që u aprovua nga rregullatorët europianë dhe ajo është administruar në të gjithë rajonin që nga 27 dhjetori. Sidoqoftë, shpërndarja ka qenë e pabarabartë dhe Komisioni Evropian është kritikuar për mos blerjen e më shumë vaksinave.

Komisioni ka argumentuar se ka një portofol të larmishëm të kontratave të vaksinave, siç kërkohet nga vendet anëtare, që arrin në 2.3 miliardë doza nga “kandidatët më premtues”.

“Siç e dini ne tani kemi qasje në 300 milion doza të vaksinës BioNTech-Pfizer. Tani lajmi i mirë është: Ne tani kemi rënë dakord me BioNTech-Pfizer për të zgjatur këtë kontratë. Me marrëveshjen e re ne mund të blejmë gjithsej deri në 300 milion doza shtesë”, tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian.

Kjo do të nënkuptojë se BE është në rrugën e duhur për të marrë 600 milion doza të kësaj vaksine. Duke folur për CNBC në dhjetor, CEO i Pfizer u zotua të prodhonte 1.3 miliardë doza në total gjatë vitit 2021, që do të thotë se Europa do të marrë gati gjysmën e prodhimit të saj vjetor.

75 milion doza do të jenë në dispozicion në tremujorin e dytë të vitit 2021. Pjesa e mbetur do të dorëzohet në tremujorët e tretë dhe të katërt.

Rregullatorët europianë miratuan një vaksinë të dytë të koronavirusit të Mërkurën. Vaksina e Moderna pritet të jetë në dispozicion të qytetarëve europianë në ditët në vijim.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of