Komisioni Europian miratoi 8.1 miliardë euro (8.7 miliardë dollarë) ndihmë shtetërore për projektet në fushën e mikroelektronikës dhe teknologjisë së komunikimit, si pjesë e përpjekjes së Bashkimit Europian për të qenë pararojë në inovacionin teknologjik.
Ekzekutivi i BE-së deklaroi të enjten se 14 shtete anëtare mund të ofrojnë ndihmë për 68 projekte që përfshijnë kompani si Airbus, ASML dhe Ericsson.
Projektet janë cilësuar si Projekte të Rëndësishme me Interes të Përbashkët Europian (Important Project of Common European Interest – IPCEI) duke i kualifikuar ato sipas rregulloreve të BE-së mbi ndihmat shtetërore. Ato ndjekin disa projekte të mëparshme IPCEI në të njëjtin sektor, të miratuar në 2018.
Projektet, që përfshijnë 56 kompani, synojnë kërkimin dhe zhvillimin e materialeve dhe mjeteve, si dhe projektimin dhe proceset e prodhimit të çipave. Projektet lidhen me teknologjinë e telekomunikacionit 5G dhe 6G, drejtimin autonom, Inteligjencën Artificiale dhe informatikën kuantike.
Pajisjet e para inovative mund të dalin në treg që në vitin 2025, ndërsa projekti i përgjithshëm pritet të përfundojë deri në vitin 2032.
“Duhet të jemi pionierë. Duhet të zhvillojmë zgjidhje me të vërtetë inovative, dhe natyrisht, zbatimin e parë të tyre industrial në Europë” – deklaroi zv.presidentja e Komisionit, Margrethe Vestager, në një konferencë për shtyp.
Komisioni shpreson që projektet të tërheqin 13.7 miliardë euro investime private shtesë. Ndër kompanitë pjesëmarrëse janë edhe GlobalFoundries, Orange, Analog Devices, Continental Automotive dhe Bosch.
Edhe Renault, NXP, STMicroelectronics, Wacker Chemie dhe Infineon do të jenë pjesë e projekteve.
Vendet që ofrojnë ndihmën shtetërore janë Austria, Republika Çeke, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Irlanda, Italia, Malta, Holanda, Polonia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
Ato mund të tërheqin një pjesë të ndihmës shtetërore nga projektet që kanë pasur sukses.
/ Reuters