Me përpjekjet e Bullgarisë dhe shtatë vendeve të tjera anëtare të BE-së është miratuar versioni i zbutur i standardit të ri Euro 7, për emetimet nga motorët me benzinë dhe naftë.
Italia, Bullgaria, Republika Çeke, Franca, Hungaria, Polonia, Rumania dhe Sllovakia, e kundërshtuan projektin fillestar, duke e quajtur jorealist dhe me ndikim negativ në investimet në sektorin e automobilave, për zhvendosjen në makinat elektrike.
Franca dhe Italia, të cilat kanë industri të fuqishme automobilistike, thanë se standardi kërcënonte konkurrencën europiane në një sektor që punëson 14 milionë europianë. Euro 7 do të zëvendësojë Euro 6 nga viti 2025 dhe do të jetë i detyrueshëm për të gjitha automjetet e reja të shitura. Ai gjithashtu vendos standarde më të larta për bateritë e makinave.
Në Këshillin e Konkurrencës në Bruksel, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Industrisë, Ivajlo Shotev, theksoi se qasja ndaj makinave elektrike ndryshon në vende të ndryshme të BE-së dhe se Euro 7 do të rrisë kërkesën për makina të përdorura.