Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka thënë se kanë siguruar 95 mijë doza për Kosovën. Ajo ka thënë se qëndrojnë përkrah partnerëve në Ballkanin Perëndimor, siç i ka thënë edhe kryeministrit Albin Kurti.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka ndarë për Kosovën 95 mijë doza të vaksinës “Pfizer” në luftën kundër pandemisë COVID-19.
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen me anë të një njoftimi në Twitter thotë se qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe Albin Kurtit.
“Qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe 95.000 doza të vaksinave të financuara nga BE-ja do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit. Ne jemi në këtë së bashku”, ka shkruar ajo
Po ashtu, Austria ka njoftuar se planifikon që deri në muajin gusht t’i shpërndajë 651 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19 të kompanisë Pfizer për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si pjesë e një skeme të Bashkimit Evropian.
Sasia më e madhe e dozave do të shkojë për Bosnje e Hercegovinën, së cilës BE-ja do t’ia dhurojë 214 mijë doza, pastaj Shqipërisë 145 mijë doza, Maqedonisë së Veriut 119 mijë dhe Serbisë 36 mijë doza. Serbia ka marrë më pak sesa vendet tjera për shkak se ajo tashmë ka avancuar shumë në procesin e vaksinimit, duke qenë në pozitë edhe më të mirë sesa vendet e Bashkimit Evropian. Burimet në BE kanë sqaruar se këto 651 mijë doza janë ndarë në bazë të nevojave për t’i vaksinuar kategoritë me prioritet dhe ato të rrezikuara, e jo në bazën pro-rata, pra në bazë të numrit të banorëve.
Bashkimi Evropian kohë më parë kishte ndarë një shumë prej 70 milionë eurosh shtesë për t’i ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për vaksinim. Por, ende asnjë dozë e vetme në asnjë vend të rajonit nuk ka ardhur si donacion i BE-së. Kjo ka bërë që të dëmtohet edhe imazhi i BE-së, ndërsa vendet e rajonit, sidomos Kosova, të jenë të dëshpëruara. BE-ja beson se kjo ndihmë do të jetë e dobishme në këtë moment dhe po punon që ndihma të vazhdojë pasi fjala është për një nevojë, e cila do të jetë më e gjatë.Në muajin janar, Komisioni Evropian ka prezantuar planin për shpërndarjen e vaksinave. Austria tha se do të shërbente si koordinatori i këtij mekanizmi për Ballkanin Perëndimor dhe se kjo shpërndarje e parë e dozave mund të ndiqet nga të tjerët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.