Rritja ekonomike do të bjerë në 1.5% në vitin 2016 për shkak të ngadalësimit në absorbimin e fondeve të BE-së, por do ta “rimarrë veten” në vitin 2017, referoi Komisioni Europian në parashikimin e tij të fundit.
Nxitur nga çmime të ulëta të karburantit dhe eksportet solide, rritja e Bullgarisë do të regjistrojë 2.2% për vitin 2015, pasuar nga një rënie në 1.5% në vitin 2016 dhe një tjetër rritje sërish në 2.0% në vitin 2017, ka parashikuar KE në raportin e tij të parashikimeve për ekonominë europiane.
Raporti fajëson për rënien e këtij viti disa faktorë, përfshirë ngadalësimin e projekteve të bashkëfinancuara nga BE-ja.
Parashikimi për vitin 2016 është më i ulët se ai i nxjerrë nga qeveria bullgare, e cila parashikoi rritje prej 2.1% në buxhetin e shtetit të këtij viti.
“Rritja e rrezikut, një mjedis aspak mbështetës ndaj biznesit dhe hyrjet e limituara të kapitalit të huaj janë pozicionuar të frenojnë rritjen e investimeve në 2016-’17, pavarësisht kushteve të favorshme të financimit”, vuri në dukje Komisioni.
Në janar, dhjetë dhomat tregtare, që përfaqësojnë investitorët e huaj kryesorë në Bullgari, shkruan një letër të hapur për autoritetet, duke u kërkuar atyre të ndihmojnë biznesin me përshpejtimin e reformës gjyqësore.
Bullgaria ka rënë pesë vende në pozicionin e 60-të në Indeksin Global 2016 të Lirisë Ekonomike nga Heritage Foundation dhe ‘Washington Post’, kryesisht për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e pronësisë dhe korrupsionit.
Georgi Ganev, drejtor i Programit të Kërkimeve Ekonomike të Qendrës për Strategjitë Liberale me bazë në Sofje, tha se rënia e parashikuar në rritjen ekonomike nuk është ndonjë surprizë.
“Ritmi i rritjes në vitin 2015 ishte më i lartë për shkak të çmimit të ulët të euros dhe benzinës”, tha ai për BIRN-in.
Ganev shtoi se fondet e BE, nxitësi kryesor i ekonomisë së Bullgarisë që kur u bashkua me klubin europian, vijojnë ende të tkurren për periudhën e re të programit të vitit 2014 deri në vitin 2020.
Në dy vitet e fundit, vendi absorboi fondet e mbetura nga periudha e mëparshme me shpejtësi të lartë, që ishte një stimul për bizneset.
BE-ja pret që kërkesa e brendshme në Bullgari do ta ‘rimarrë veten’ në vitin 2016 dhe që norma e papunësisë të bjerë në 9.4% në vitin 2016 dhe 8.8% në 2017.
Deficiti buxhetor vlerësohet të bjerë në 2.5% të PBB-së në vitin 2015, pasi kërceu në 5.8% në vitin 2014, si rezultat i mbështetjes së dhënë vetëm një herë për sektorin financiar pas kolapsit të Bankës Korporative Tregtare.
Në krahasim me objektivin fillestar të deficitit prej 2.8% të PBB-së në vitin 2015, një rezultat më i mirë pasqyron të ardhura më të larta nga taksat, që i atribuohen kryesisht përmirësimit të mbledhjes së normës së taksave, vë në dukje BE-ja. Deficiti bazë parashikohet të bjerë në 2.3% të PBB-së në vitin 2016.
Pasiguritë gjeopolitike dhe stanjacioni në partnerët kryesorë tregtarë të Bullgarisë paraqesin një rrezik të vazhdueshëm për eksportet dhe rritjen për shkak të shkallës së lartë të hapjes së ekonomisë, paralajmëroi Komisioni.