Zyrtarët europianë po përgatiten për një paketë incentivash në prag të formimit të qeverisë së re greke, për ta bindur atë që t’i qëndrojë marrëveshjes aktuale të paketës së shpëtimit pas zgjedhjeve të së dielës.
Paketa do të përfshijë ulje të mëtejshme të normave të interesit dhe shtyrje të afateve të pagesave për kreditë, si dhe pra të tjera nga BE për të nxitur investimet në programet e punëve publike të Greqisë, nëpërmjet Bankës Europiane për Investim.
Këto masa zbutëse planifikohen për qeverinë e re vetëm në rastin që ajo do të kryesohet nga Antonis Samaras, kreu i krahut pro paketës së shpëtimit, partisë Demokracia e Re.
Demokracia e re po garon rrotë më rrotë me radikalen e majtë Syriza, e cila është betuar të grisë memorandumin aktual të shpëtimit.
“Në skenarin që Samaras fiton zgjedhjet, europianët do të duan ta shikojnë të angazhuar bindshëm ndaj zotimit për t’iu përmbajtur memorandumit,” tha një zyrtar i BE-së. “Ata do të bashkohen me qeverinë greke dhe do të thonë: ja si mund ta bëjmë jetën pak më të ëmbël, më pak të ashpër.”
Zyrtarët e eurozonës nuk e kanë përjashtuar idenë që e njëjta ofertë t’i bëhet edhe Alexis Tsipras, udhëheqësit të Syriza-s, nëse ai fiton zgjedhjet e së dielës dhe formon një qeveri të re në vendit të Z. Samaras.
Z. Tsipras ka zbutur tonet e tij në ditët e fundit gjatë diskutimit të paketës së shpëtimit. Prapëseprapë, retorika e fushatës së tij ka grumbulluar përkrahje për partinë e tij, dhe shumë zyrtarë nuk besojnë se ai do të ketë vullnetin për t’iu përmbajtur objektivave të deficitit të buxhetit në paketën aktuale prej 174 miliardë eurosh.