Brukseli po harton një propozim për të përdorur buxhetin e BE-së për të financuar blerjet e armëve dhe municioneve, në një sulm të paprecedentë në industrinë e mbrojtjes, për të përshpejtuar furnizimet me armë në Ukrainë.
Komisioni Europian po kërkon një mundësi për të shfrytëzuar buxhetin e bllokut, për të siguruar parapagime për prodhuesit e armëve, në mënyrë që të stimulojë shtimin e prodhimit.
Ky hap, vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve, nëse Europa mund të prodhojë armatim të mjaftueshëm me të njëjtën shpejtësi që Kievi po i konsumon ato, në mbrojtjen e tij kundër agresionit rus.
Një propozim përfundimtar i komisionit, do të paraqitet mes 27 anëtarëve të BE-së përpara një takimi të ministrave të mbrojtjes më 7 mars.
BE ka nevojë për një injeksion të ri financiar, për të vënë në lëvizje industrinë e mbrojtjes.
Planet po hartohen me ndihmën e avokatëve të komisionit, duke pasur parasysh se traktatet qeverisëse të BE-së ndalojnë përdorimin e fondeve të bllokut për qëllime ushtarake. Ato mund të rregullohen përpara se të bëhen publike duke pasur parasysh kompleksitetin ligjor.
Propozimi do t’i bënte jehonë iniciativës së komisionit për të siguruar vaksinat Covid-19 në fillimin e pandemisë. Në atë kohë, Brukseli kreu pagesa paradhënie për kompanitë farmaceutike, në mënyrë që shtetet anëtare, të cilët mbuluan koston përfundimtare të vaksinave, të kishin furnizime të mjaftueshme.
Ursula von der Leyen, presidente e komisionit, tha fundjavën e kaluar se marrëveshjet e blerjes paraprake do t’i jepnin industrisë së mbrojtjes mundësinë për të investuar në linjat e prodhimit tani, për të qenë më të shpejta dhe për të rritur sasinë që mund të ofrojnë.
Sigurimi i furnizimeve të mjaftueshme të municionit për Ukrainën, është bërë një çështje e mprehtë javët e fundit, pasi zyrtarë të lartë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, kanë paralajmëruar se industria e mbrojtjes e Europës është shumë e tendosur, duke u përpjekur të mbulojë kërkesën.
Rusia po hedh mbi 20,000 predha artilerie në Ukrainë çdo ditë, aq sa fabrikat europiane prodhojnë në një muaj. Ukraina po i kundërpërgjigjet me rreth një të katërtën e kësaj.
Si përgjigje, kryeqytetet e BE-së, i kanë mbështetur propozimet për kontrata të përbashkëta prokurimi, për të përmirësuar sasinë e artilierisë në vijën mbrojtëse dhe për të inkurajuar prodhuesit të zgjerojnë prodhimin e tyre, siç është një propozim estonez, që vendet të kombinojnë një kontratë 4 miliardë dollarë për të blerë 1 milion predha artilerie.
Propozimi i komisionit, do ta avanconte ndjeshëm përpjekjen, duke përdorur buxhetin shtatëvjeçar prej 1 trilion eurosh të bllokut, për të garantuar furnizimin që nevojitet.
Puna për propozimin e komisionit, për parapagimin, vjen pas pothuajse një viti të të ashtuquajturit fond të BE-së Paqen, European Peace Facility Fund, me vlerë 5.5 miliardë euro, i cili është përdorur për të rimbursuar shtetet anëtare për armët që i kanë furnizuar Kievit.
Por, zyrtarët thonë se nevoja urgjente për të nxitur industrinë e mbrojtjes për të zgjeruar prodhimin e saj, do të thotë se paratë kërkohen përpara, dhe jo në retrospektivë.
“Ukraina ka topa, por atyre u mungojnë municionet,” tha të hënën Josep Borrell, shefi i jashtëm dhe i sigurisë i BE-së. “Kështu që, ne bëjmë gjithçka mundemi,” shtoi ai, duke iu referuar skemës ekzistuese të rimbursimit dhe mënyrave të reja që përfshijnë komisionin për të “bërë blerje të përbashkët”. / Financial Times