Komisionari i ri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, deklaroi se shpreson që Qeveria e re e Kosovës do të punojë për të rifilluar dialogun me Beogradin, përfshirë hapat siç është heqja e tatimit 100 për qind për mallrat serbe.
Ai këto komente i bëri në tryezën e rrumbullakët për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor në Parlamentin Evropian (PE), e cila u mbajt në Bruksel.
“Sa i përket Kosovës, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve duhet sa më parë të formohet qeveria, e cila urgjentisht duhet të fokusohet në reforma, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të heqë taksat e vendosura ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës për importin e mallrave”.
Varhelyi kujtoi se kreu i ri i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka paralajmëruar se dialogu Beograd-Prishtinë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, do të ishte një nga prioritetet e tij kryesore dhe shtoi se ai ofroi të gjithë ndihmën e tij, me shpresën për ta përfunduar atë deri në fund të vitit të ardhshëm.
Varhelyi tha se ishte e rëndësishme që pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, Kosova të bëhet me një qeveri të re sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi ka punë të rëndësishme për të bërë në fusha të tilla si zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo anulimin e kësaj takse, duke e cilësuar atë në kundërshtim me parimet e marrëveshjes së CEFTA-s për lirinë e qarkullimit të mallrave.
Vendosjen e taksës, Beogradi e ka cilësuar si pengesë edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Kujtojmë se më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të vendosë taksë 100 % ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.
Kosova brenda një viti, të paktën zyrtarisht, importon nga Serbia mallra në vlerë 400 milionë euro. Por, tash kur janë bërë një vit nga vendosja e takës Serbia ka humbur 99 për qind të tregut të Kosovës.
Që nga 21 nëntori i vitit të kaluar, vlera e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë është 4 milionë euro, kurse nga Bosnjë e Hercegovina, 2 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.