Komisioni Evropian tha të hënën se po investon 363.3 milion euro (398.2 milion dollarë) për të ndërtuar një urë mbi Danubin në qytetin e Braila.
Projekti duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2023 dhe shuma që do të investohet vjen nga Fondi Evropian i Zhvillimit Rajonal (ERDF), deklaron KE në një njoftim për shtyp.
Projekti gjithashtu përfshin ndërtimin e rrugëve lidhëse me qëllim të përmirësimit të lidhjeve të transportit nga Deti i Zi në pjesën verilindore të Rumanisë.
“Ky projekt i financuar nga BE do të përmirësojë qartë cilësinë e jetës në rajon përmes rrugëve më të shkurtra dhe më të sigurta. Përmes lidhjeve më të thjeshta me Moldavinë dhe Ukrainën, projekti i kohezionit gjithashtu do të kontribuojë në intensifikimin e marrëdhënieve të BE me fqinjët e saj,”-tha Johannes Hahn., Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat për Zgjerimin dhe Politikën Rajonale.
Ky projekt, i cili është pjesë e rrjetit trans-evropian të transportit, do të përmirësojë gjithashtu lidhjen midis pjesës veriore të vendit, qytetit të Tulcea në lindje, Delta e Danubit dhe portit të Kostandinës në jug. Aktualisht, lidhja është e mundur vetëm përmes urës Giurgeni-Vadul Oii, e cila ndodhet 88 km në jug të Braila ose me traget nga Braila dhe Galati. Zakonisht, kalimi i trageteve është i mbyllur në dimër dhe pranverë për shkak të ngricës, mjegullës ose stuhisë.
Ura e re do të ofrojë një alternativë më të shpejtë, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit me rreth 50 minuta.
/ SEENEWS