Komisioni Europian deklaroi sot se 70% e popullsisë së moshës së rritur në Bashkimin Europian, është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, duke arritur objektivin e vendosur në fillim të vitit.
Ky njoftim shënon një arritje në strategjinë e vaksinimit të BE-së pas një fillimi të ngadaltë, por gjithashtu maskon dallimet e mëdha midis vendeve të ndryshme të BE-së, ku disa shtete e tejkalojnë objektivin prej 70%, ndërsa të tjerë në rajonin më të varfër lindor, kanë mbetur ende mbrapa.
“70% e të rriturve në BE janë plotësisht të vaksinuar. Dua të falënderoj shumë njerëz që e bënë të mundur këtë arritje të madhe”, u shpreh presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një postim në Twitter.
Në janar, Komisioni tha se “deri në verën e vitit 2021, vendet anëtare duhet të kenë vaksinuar një minimum prej 70% të popullsisë së moshës së rritur”.
Kjo u interpretua sikur çdo shtet anëtar i BE-së duhet ta arrijë objektivin deri në shtator. Shumë, nga frika se nuk do ta përmbushnin dot synimin, e kritikuan Komisionin në takimet e brendshme, sipas Reuters.
Tani blloku në tërësi ka vaksinuar 70% të popullsisë së rritur, që do të thotë se të paktën 255 milionë njerëz kanë marrë dy doza të vaksinës Pfizer/BionTech, AstraZeneca ose Moderna, ose një dozë të vetme nga Johnson & Johnson.
Situata ndryshon shumë midis vendeve. Malta ka vaksinuar plotësisht mbi 90% të popullsisë së rritur, sipas të dhënave nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), një agjenci e BE-së.
Irlanda dhe Portugalia gjithashtu kanë imunizuar më shumë se 80% të popullsisë së rritur, dhe Franca mbi 70%, sipas shifrave nga ECDC, të cilat zakonisht përditësohen pak më vonë se informacioni në dispozicion të Komisionit të BE-së.
Por në lindje, Bullgaria ka vaksinuar plotësisht vetëm një të pestën e popullsisë së rritur, dhe Rumania rreth 30% të të rriturve. Kroacia, Letonia, Sllovenia dhe Sllovakia kanë imunizuar rreth gjysmën e personave mbi 18 vjeç.
“Ne duhet të vazhdojmë më tej! Kemi nevojë për më shumë europianë të vaksinuar. Dhe duhet të ndihmojmë edhe pjesën tjetër të botës të vaksinohet”, tha von der Leyen./ Reuters