Banka Europiane e Investimeve (BEI) dhe Erste Bank AD Novi Sad (EBS), ranë dakord për një hua 30 milionë eurosh, për të mundësuar rimëkëmbjen e fortë të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) në Serbi, në përgjigje të COVID-19.
Kredia do të lejojë që EBS të japë hua për ndërmarrjet e prekura rëndë nga pandemia, duke i ndihmuar ato të ruajnë vendet e punës, likuiditetin dhe të sigurojnë vazhdimësinë e biznesit.
Ky është operacioni i parë në Serbi, si pjesë e programit financiar të BEI-së prej 400 milionë eurosh, të destinuar për sektorin privat në Ballkanin Perëndimor, për të siguruar një përgjigje të shpejtë dhe rimëkëmbjen nga pandemia COVID-19, siç u njoftua në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, të mbajtur në Zagreb, në prill 2020.
Kreditë do të jenë në dispozicion të kompanive që operojnë në sektorë të ndryshëm, të goditur fuqishëm nga pandemia, si tregtia me shumicë dhe pakicë, akomodimi, transporti, ushqimi, pijet dhe shërbimet. BE është një partner strategjik për Serbinë, për shkak të integrimit të saj të lartë ekonomik me BE-në. Me fondet nga banka e BE-së, EBS do të ndihmojë në rimëkëmbjen e qëndrueshme ekonomike të NVM-ve serbe, duke adresuar nevojat e tyre për kapital qarkullues afatshkurtër, por në të njëjtën kohë, duke mundësuar investime me maturim më të gjatë.
Nënkryetari i BEI-së, Dario Scannapieco, tha: “Sondazhet tregojnë se rreth 85% e NVM-ve serbe janë prekur negativisht nga kriza, ndërsa 60.5% e kompanive, kanë qenë të detyruara të ulin në mënyrë drastike kapacitetet prodhuese. Ne e kuptojmë se pa mbështetje urgjente për sektorin privat, recesioni ekonomik i shkaktuar nga pandemia do të përshkallëzohet më tej, duke penguar rimëkëmbjen e përgjithshme socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, BEI dhe nisma Team Europe kanë bashkuar forcat për të injektuar një likuiditet shumë të nevojshëm për NVM-të, të cilat punësojnë mbi 60% të popullsisë që punon në Serbi. Duke vepruar kështu, ne shpresojmë t’i inkurajojmë ata që t’i rezistojnë rënies ekonomike dhe të hapin rrugën për rimëkëmbjen afatgjatë”.