Banka Europiane e Investimeve po punon ngushtësisht me Komisionin Europian për investime të rëndësishme në fushën e gazit. Massimo D’Eufemia e bëri të ditur këtë gjatë takimit ministerial të Këshillit për Korridorin Jugor të Gazit.
D’Eufemia tha se BEI po merr në konsideratë realizimin e këtij korridori.
“ Ky projekt është kyç për infrastrukturën e rajonit dhe për Europën. Korridori Jugor i Gazit do të ofrojë burime të reja energjie për Europën, si dhe do të krijojë konkurrencë të re në tregun e gazit”, tha D’Eufemia.
Gjatë vitit të kaluar BEI ka punuar ngushtësisht si me TAP, ashtu edhe me TANAP dhe vazhdon të intensifikojë përpjekjet.
“ Ne duam të sigurojmë se BEI do të sigurojë fonde të mjaftueshme për zbatimin e plotë të këtyre projekteve, si dhe jemi duke konsideruar financimin e komponentëve të tjerë të Korridorit Jugor të Gazit”, tha ai.
Parashikohet që përmes këtij projekti të transportohen 10 miliardë metër kub gaz nga Azerbajxhani përmes Detit Kaspik në Europë ( përmes Gjeorgjisë dhe Turqisë).
Në fazën fillestare, gazi do të prodhohet në fushat e Shah Denis 2 dhe konsiderohet si burimi kryesor i Korridorit Jugor të Gazit. Me këtë projekt mund të lidhen edhe burime të tjera. Gazi nga fushat e Shah Deniz 2 do të eksportohet në Turqi dhe në tregjet europiane, me zgjatimet e gazsjellësit South Caucasus, Trans-Anatolian Natural dhe TAP.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.