Opinion i posaçëm për “Monitor” nga zëvendëskryetarja Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor e Bankës Europiane të Investimeve (BEI)
Hekurudhat po rishihen në të gjithë kontinentin europian si mjet transporti i gjelbër, i shpejtë dhe i përballueshëm. Ato po zëvendësojnë fluturimet e distancave të shkurtra dhe të mesme në Europë dhe rigjallërimi i disa itinerareve të shërbimit të natës mund të bëhet një nga treguesit e rolit të ri që hekurudha do të luajë në Europën neutrale ndaj karbonit. Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria janë pjesë e këtij transformimi drejt transportit më të qëndrueshëm, efikas dhe neutral ndaj karbonit.
Samiti i parë i Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur kohët e fundit në Beograd, ishte një hap i parë drejt integrimit të Ballkanit në tendencat mbareuropiane, duke lehtësuar lëvizjen e shpejtë dhe të sigurt të njerëzve dhe të mallrave në të gjithë kontinentin.
Samiti përcaktoi veprime konkrete për të ndihmuar në zhvillimin e një rrjeti hekurudhor më inteligjent, të dixhitalizuar dhe ndërveprues në Ballkanin Perëndimor. Banka Europiane e Investimeve (BEI) synon ta mbështesë këtë transformim me financim më të përballueshëm dhe këshilla teknike për përgatitjen e projektit. Banka ka grumbulluar përvojë të pashembullt në zhvillimin e projekteve hekurudhore gjatë më shumë se 60 viteve të historisë dhe të përfshirjes në projektet kryesore hekurudhore në të gjithë kontinentin.
Vizioni i BEI-t është i thjeshtë – një rrjet funksional, modern dhe i shpejtë hekurudhor që lidh Shqipërinë me Europën. Më shumë europianë që mrekullohen me liqenin e bukur të Shkodrës ose që u gëzohen bukurive të Adriatikut shqiptar, ose një kompani në Durrës që u eksporton me shpejtësi partnerëve të saj në rajon dhe në BE, janë disa nga shembujt e përfitimeve që do të kenë njerëzit dhe bizneset nga ky vizion. E gjithë kjo, ndërsa mbrohet mjedisi dhe lehtësohen efektet e ndryshimeve klimatike.
Transport me të vërtetë i qëndrueshëm për të ardhmen
Transporti ishte një nga sektorët më të goditur nga pandemia e COVID-19 dhe mbetet një nga kontribuuesit më të mëdhenj në emetimin e CO2 në rang global. Qëllimi ynë do të ishte të sigurohej rikuperimi i tij i gjelbër – për të rindërtuar sektorin duke ulur ndikimin e tij në ndryshimet klimatike.
Mes ndryshimeve klimatike dhe pandemisë globale që po riorganizojnë peizazhin ekonomik dhe social, dekarbonizimi mbetet një nga sfidat më të mëdha për këtë sektor, i kombinuar me efikasitet më të lartë që mund të arrihet me zgjidhje më inteligjente dhe teknologji të reja. Në të njëjtën kohë, duhet të bëhet më i arritshëm për grupe të ndryshme shoqërore dhe të mundësojë ndryshimin nga modeli privat në atë publik. Me fjalë të tjera – transport me të vërtetë i qëndrueshëm në dispozicion të të gjithëve. Ka një rrugë të gjatë përpara, por është inkurajuese të pranojmë se transformimi tashmë ka filluar.
Sektori hekurudhor ofron zgjidhje për ndryshimin modal midis pasagjerëve dhe transportit të mallrave. Në BE, hekurudha është përgjegjëse për më pak se 0,5% të emetimeve të gazrave serrë që lidhen me transportin, që vjen falë efikasitetit të saj të lartë energjetik dhe pjesës së rëndësishme të elektrifikimit.
Ai është gjithashtu një modalitet transporti jashtëzakonisht i sigurt, që lidh bizneset dhe njerëzit në të gjithë kontinentin. Marrëveshja e Gjelbër Europiane gjithashtu e përcakton hekurudhën si një nga mënyrat drejt arritjes së qëllimeve tona klimatike dhe për të mundësuar që Europa të bëhet kontinenti i parë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050.
Pavarësisht këtyre avantazheve, vetëm rreth 7% e pasagjerëve dhe 17% e mallrave udhëtojnë me hekurudhë. Strategjia e Lëvizjes së Qëndrueshme e dhe Inteligjente e Bashkimit Evropian synon të dyfishojë transportin hekurudhor dhe të trefishojë aktivitetin hekurudhor të shpejtësisë së lartë deri në vitin 2050.
Ky synim ambicioz kërkon investime të konsiderueshme për ndërtimin dhe modernizimin e shinave dhe të stacioneve drejt elektrifikimit, si dhe përvetësimin dhe modernizimin e mjeteve të lëvizjes për pasagjerë dhe mallra, depot e mirëmbajtjes dhe terminalet hekurudhore që kombinojnë hekurudhën me mënyra të tjera të transportit.
Vetëm gjatë 10 viteve të fundit, në të gjithë botën, BEI ka mbështetur sektorin hekurudhor me më shumë se 39 miliardë euro investime, duke ndihmuar në ndërtimin ose përmirësimin e pothuajse 2000 kilometra shina dhe 304 stacione, duke mundësuar blerjen dhe rehabilitimin e mbi 1100 njësive në mjete lëvizjeje.
Zhvillimi i rrjetit hekurudhor të teknologjisë së fundit në të gjithë rajonin
Mirëmbajtja dhe zhvillimi hekurudhor i Ballkanit Perëndimor është penguar nga hendeku i investimeve, duke e bërë të pamundur zëvendësimin e motorëve me naftë me ato me energji elektrike. Hekurudhat më të shpejta, më të sigurta dhe të modernizuara do të kontribuojnë në zvogëlimin e zhurmës, ndotjes së ajrit dhe emetimit të CO2, duke rritur atraktivitetin e kësaj mënyre transporti te popullsia e rajonit. Plani ekonomik dhe i investimeve i Komisionit Europian ofron mbështetje të konsiderueshme teknike dhe financiare që arrin në rreth 30 miliardë euro për zbatimin e projekteve strategjike, duke përfshirë linjat hekurudhore në korridoret kyçe rajonale.
BEI është një financues kryesor i hekurudhës dhe ofron mbështetje teknike dhe këshilluese, duke investuar rreth 650 milionë euro deri më sot në Ballkanin Perëndimor. Ekipet e ekspertëve të BEI-t që punojnë në kuadrin e JASPERS, asistenca e përbashkët e BE-BEI, ndihmojnë në planifikimin, përgatitjen dhe zbatimin e projekteve hekurudhore në përputhje me standardet e BE-së për prokurimin, ato sociale dhe mjedisore. Së bashku me Komisionin Europian dhe nën kuadrin e investimeve në Ballkanin Perëndimor, BEI mbështet projektet kryesore hekurudhore dhe të transportit, si seksionet Nish-Dimitovgrad dhe Bar-Vërbnicë.
Në Shqipëri, projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore midis Durrësit dhe Pogradecit në juglindje të Shqipërisë është në fazën e vlerësimit nga BEI. Ky seksion i rëndësishëm hekurudhor formon pjesën perëndimore të Korridorit VIII midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Angazhimi ndaj hekurudhës, i nënshkruar nga ministrat e Transportit
I gjithë rajoni duhet të bashkohet në miratimin e platformave dhe të mekanizmave të përbashkët për përshpejtimin e modernizimit të këtij modeli të rëndësishëm të transportit. Kjo është arsyeja pse Samiti i parë Hekurudhor i Ballkanit Perëndimor është një aktivitet i rëndësishëm, ku të gjithë ministrat përgjegjës për transportin nga i gjithë rajoni nënshkruan
“Një premtim përkushtimi ndaj hekurudhës” gjatë ceremonisë së hapjes. Kontributi tjetër i rëndësishëm i këtij aktiviteti ishte nënshkrimi i “Memorandumit të mirëkuptimit për krijimin e rrjetit të koordinimit të menaxherëve të infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor”, që do të mundësojë bashkëpunim më të koordinuar midis profesionistëve hekurudhorë në të gjithë rajonin. Samiti që u mbajt për herë të parë në Beograd në shtator përkoi me mbërritjen e “Connecting Europe Express” me rastin e Vitit Europian të Hekurudhës (një nismë e organizuar nga Komisioni Europian).
BEI, së bashku me Sekretariatin e Komunitetit të Transportit dhe BERZH-in, arriti të mirëpresë të gjithë aktorët përgjegjës për zbatimin e suksesshëm të planit – nga përfaqësuesit e Komisionit Europian, qeverive lokale dhe të sektorit hekurudhor.
Të dy dokumentet bazohen në parimet e përcaktuara në strategjitë e BE-së për zhvillim më të shpejtë dhe të qëndrueshëm të transportit në Ballkanin Perëndimor: plani i veprimit për hekurudhat i komunitetit të transportit i vitit 2020, strategjia rajonale për hekurudhat e vitit 2018, strategjia e lëvizjes së qëndrueshme dhe inteligjente e BE-së dhe plani ekonomik dhe i investimeve i Komisionit Europian.
Transport më i gjelbër për ajër më të pastër
Si banka e Bashkimit Europian për klimën, BEI mbështet qëllimin ambicioz të Europës për t’u bërë kontinenti i parë neutral ndaj klimës deri në vitin 2050. Banka ka konfirmuar se me udhërrëfyesin e saj të bankës për klimën të miratuar në vitin 2020, angazhohet për të dedikuar të paktën 50% të financimit të saj vjetor në aktivitetet për klimën dhe qëndrueshmërinë mjedisore deri në vitin 2025, dhe për të mbështetur me 1 trilion euro investimet për klimën dhe mjedisin në këtë dekadë.
Ballkani Perëndimor nuk do të mbetet prapa në këto nisma dhe BEI i ka vendosur tashmë burimet e saj këshilluese dhe financiare në dispozicionit të zhvillimit dhe zbatimit të projekteve të qëndrueshme mjedisore për të mbështetur rimëkëmbjen e gjelbër nga pandemia e COVID-19.
Projekte të tilla përfshijnë rehabilitimin e transportit urban në krahinën e Sarajevës dhe rrugët ujore në brendësi të territorit përgjatë lumenjve Sava dhe Danub, që të dyja projekte të lëvizjes së qëndrueshme që do të mundësojnë ndryshime modale drejt modeleve më të gjelbra të transportit dhe do të ndihmojnë rajonin të përmbushë qëllimet e tij mjedisore.
BEI është në pritje të planeve ekonomike dhe të investimeve për të ndihmuar partnerët lokalë të kenë akses në fondet e vëna në dispozicion, që arrijnë rreth 30 miliardë euro. Tranzicioni i gjelbër dhe dixhital, krijimi i tregut të përbashkët, lidhja më e qëndrueshme dhe rritja gjithëpërfshirëse është rruga e drejtë përpara për zhvillimin më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor dhe prosperitetin e njerëzve të tij. Dhe BEI do të vazhdojë t’i mbështesë këto përpjekje.
Shqipëria
Vizioni i BEI-t është i thjeshtë – një rrjet funksional, modern dhe i shpejtë hekurudhor që lidh Shqipërinë me Europën. Më shumë europianë që mrekullohen me liqenin e bukur të Shkodrës ose që u gëzohen bukurive të Adriatikut shqiptar, ose një kompani në Durrës që u eksporton me shpejtësi partnerëve të saj në rajon dhe në BE, janë disa nga shembujt e përfitimeve që do të kenë njerëzit dhe bizneset nga ky vizion. E gjithë kjo ndërsa mbrohet mjedisi dhe lehtësohen efektet e ndryshimeve klimatike.