Banka Europiane e Investimeve (BEI) nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me qytetin Niš në Serbi, për të financuar përgatitjen e një plani të qëndrueshëm të lëvizshmërisë urbane, duke i mundësuar qytetit të marrë vendime të informuara për investime në rrjetin e transportit.
Duke marrë parasysh modelet ekzistuese të udhëtimit, tendencat e zhvillimit dhe objektivat e planifikimit strategjik të bashkisë, plani i qëndrueshëm i lëvizshmërisë urbane do të ndihmojë të sigurohet që investime të tilla të optimizohen për të ofruar lëvizshmëri efikase, të sigurt, të përshtatshme dhe më pak të varur nga karboni. Përveç kësaj, asistenca teknike do t’i mundësojë qytetit Niš të eksplorojë mundësitë e krijuara nga eliminimi i trafikut të mallrave nga korridori ekzistues hekurudhor ndërurban që përshkon qytetin.
Plani i qëndrueshëm i lëvizshmërisë urbane dhe investimet që ai do të gjenerojë, do ta ndihmojnë qytetin të rritet, me mbështetjen e një rrjeti transporti cilësor dhe të integruar mirë, duke rritur popullaritetin e qytetit si një vend i mirë për të jetuar dhe për të investuar. Asistenca teknike është ofruar nën programin Team Europe dhe Nismën e përbashkët Financiare të Projekteve Urbane midis BEI dhe Agence Française de Développement (AFD), e krijuar për të mbështetur projekte ambicioze të zhvillimit urban.
Zëvendëspresidentja e BEI, Lilyana Pavlova, përgjegjëse për aktivitetet e bankës në Ballkanin Perëndimor, tha: “Një nga prioritetet e BEI si bankë e BE-së, është të promovojë transport më ekologjik dhe më të qëndrueshëm, duke modernizuar hekurudhat, rrugët ujore dhe kapacitetet e transportit urban në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo asistencë teknike do të sigurojë një bazë për zhvillimin e projekteve që do të sjellin përfitime të shumëfishta për njerëzit që jetojnë dhe udhëtojnë në Niš, si dhe përfitime ekonomike që rrjedhin nga lidhjet më të mira brenda qytetit dhe me komunat përreth. Në të njëjtën kohë, projekti do ta ndihmojë qytetin të adresojë zhvillimin urban dhe sfidat e lidhura me klimën, dhe në këtë mënyrë do të përmirësojë kushtet mjedisore dhe të jetesës.
Kryetarja e bashkisë e qytetit Niš, Dragana Sotirovski, tha: “Ky qytet po zgjerohet dhe po zhvillohet me shpejtësi. Frekuenca e trafikut është rritur në një mënyrë që plani i qëndrueshëm i lëvizshmërisë urbane, do të na mundësojë të harmonizojmë rrjetin e trafikut me ciklin e ri të investimeve dhe drejtimet strategjike të zhvillimit të qytetit Niš. Angazhimi ynë për reduktimin e gazrave të dëmshëm dhe mbrojtjen e ujit, tokës dhe ajrit, ka një rëndësi të madhe për planet tona strategjike të zhvillimit. Ne e fillojmë me shumë kënaqësi dhe entuziazëm bashkëpunimin tonë me Bankën Europiane të Investimeve, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar. Kjo lloj ndihme dhe rezultatet që do të arrijmë së bashku, do të jenë të vlefshme për të ardhmen”.