Beka: Investimet në blegtori duhet të zgjidhin ciklin e mbyllur

21/05/2018 4:06 PM 0 komente

Ismail Beka, nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), thotë se investimet në blegtori në disa raste nuk u menduan mirë. Në shumë raste u ndërtua një kompleks blegtoral me 200-500 lopë, apo 500-1000 bagëti të imta brenda një kompleksi stallash pa tokë bujqësore.

Investimet e mëdha u përqendruan në investime moderne të ndërtesave të stallave, nëpërmjet importit të racave të bagëtive me kapacitete të larta prodhuese nga vendet europiane, u instaluan sistemet moderne të mjeljes, por ndërkohë që i gjithë ushqimi për mbarështimin e tyre duhej të blihej nga importi me kosto të lartë, – thotë Beka.

Ai tha se për këto arsye, sektori po vuan nga konkurrenca me produktet e subvencionuara që vijnë nga importi. Beka thotë se situata zgjidhet me angazhimin e ekspertëve shqiptarë më të mirë, për të hartuar një studim konkret mbi bazën e gjithë zinxhirit të vlerës (ciklit) që ka të bëjë me një fermë blegtorale dhe tregun përkatës. Mbi të gjitha duhet menduar mirë se çfarë modele fermash duhet të marrim nga Europa.

 

Sa eficiente janë investimet në fermat blegtorale në Shqipëri?

Fakti që blegtoria është një nga degët më të rëndësishme të sektorit të bujqësisë, siguron më shumë të ardhura gjithëvjetore, ka potenciale të mëdha për zhvillim dhe pa diskutim, mundëson që investimet dhe mbështetja për këtë sektor të shkojnë drejt një ekonomie fitimprurëse.
Pa diskutim që, sektori i blegtorisë është sektori me peshën më të madhe të prodhimit bujqësor në Shqipëri. Vlerësohet që blegtoria përbën 52% të vlerës së prodhimit të përgjithshëm bujqësor. Prodhimi blegtoral ka njohur rritje të ndjeshme dhe luan rolin kryesor në të ardhurat e fermerëve. Ata sigurojnë 70% të të ardhurave nga shitja e prodhimeve blegtorale.

Gjedhi (lopët) përbëjnë bazën e blegtorisë shqiptare për sa i përket prodhimit, por edhe shtrirjes te fermat private. 290 mijë ferma (85% e fermave) kanë gjedhë. Ndërkohë që blegtoria e imët ka ruajtur afërsisht të njëjtin numër krerësh (2,6 milionë krerë).
Prodhimi i qumështit ka arritur në mbi 1,1 milionë tonë (870 mijë tonë qumësht nga lopët), ose 2,5 herë më shumë se në vitin 1989 dhe prodhimi i mishit ka arritur në 130 mijë tonë, ose gati 2 herë më shumë se viti 1989. Statistikat për blegtorinë dhe prodhimi blegtoral i vitit 2016 kundrejt vitit 1989 tregojnë për rritje të ndjeshme të prodhimit blegtoral (më shumë se dyfishim) kundrejt vitit 1989, me një numër më të vogël të bagëtive, por duke rritur rendimentet e prodhimit, si pasojë e mbarështimit më të mirë nga fermat private (të dhënat nga vjetarët statistikorë të bujqësisë).

Por investimi në ferma blegtorale për rritje industriale të bagëtive dhe për mbarështimin e tufave racore të importit me prodhimtari të lartë prodhuese, nisur nga kushtet specifike për një fermë blegtorale, përbën një situatë risku.

Ne kemi të dhëna se shumë ferma dhish dhe lopësh të racave të ndryshme që u hapën pas vitit 2008 kanë falimentuar. Sipas jush, pse po ndodh kjo?

Besoj se ndeshemi me të dy realitetet. Ka ferma blegtorale të suksesshme, por gjithashtu edhe mjaft prej tyre kanë falimentuar. Edhe pse nuk ka statistika dhe analiza të detajuara, është e sigurt që nuk pati një zhvillim të synuar nga shumë investitorë privatë, kryesisht biznesmenë që vinin nga fusha të ndryshme të ekonomisë dhe të ndërtimit.

Arsyeja kryesore, sipas mendimit tim, lidhet me faktin që nuk u mor në konsideratë, që investimi në ferma blegtorale është i lidhur me tokën bujqësore në shfrytëzim të vetë fermës në sipërfaqe të mjaftueshme për çdo krerë lopë apo bagëti të imët.
Në shumë raste u ndërtua një kompleks blegtoral me 200-500 lopë apo 500-1000 bagëti të imta brenda një kompleksi stallash pa tokë bujqësore dhe investimi më i madh u përqendrua në stalla moderne, raca importi dhe investime moderne në sistemet e mjeljes dhe ushqimit dhe në disa raste, edhe në investime në qendrat e përpunimit të qumështit.

Ndërkohë që i gjithë ushqimi për mbarështimin e tyre duhej të blihej, në formë të ushqimit të përpunuar që vjen nga importi, apo edhe nga tregu vendas me kosto të lartë. Pavarësisht numrit të vogël të fuqisë punëtorë që është angazhuar në kompleks, investitorët janë të detyruar të punësojnë ekspertë të kualifikuar për mbarështimin e kafshëve dhe veçanërisht të shëndetit të kafshëve. Të gjithë faktorët e mësipërm bëjnë që kosto e prodhimit blegtoral të jetë e lartë.

Një arsye tjetër ka të bëjë me mungesën e kërkesave rigoroze në treg për produkte cilësore e të sigurta nga ana higjienike dhe sigurisë ushqimore.
Sfida më e madhe e këtyre komplekse është ballafaqimi në treg me prodhimet e tyre, me standarde shumë të larta për sa i përket sigurisë ushqimore, në të njëjtin çmim shitje tek industria përpunuese, si dhe fermerët e vegjël, të cilët, nga ana e tyre i mbajnë bagëtitë në kushte modeste, kanë tokë bujqësore për një pjesë të konsiderueshme të ushqimit, i mbajnë bagëtitë në gjendje të lirë dhe i kullosin kryesisht nga prindërit në pension apo në muajt e verës, për bagëtitë e imta edhe në kullota verore në stane.

Fermerët pranë qyteteve dhe zonave të banuara vazhdojnë të shesin të “pashqetësuar” dhe me çmime shumë të mira deri 100 lekë për 1,5 litër qumështin me pagure plastike, pa paguar për to asnjë taksë apo tarifë tjetër. Kjo konkurrencë thellohet më tej me përpunimin në familje, jo vetëm për konsum familjar por edhe për treg, përbën jo vetëm konkurrencë të pandershme me industrinë, por edhe rrezik për sigurinë ushqimore. Më shumë prodhime përpunohen në vetë familjet, krahasuar me ato të industrive përpunuese. Nga fermat shiten në treg 2 herë më shumë djathë-gjizë, 6 herë më shumë gjalpë, se sa nga prodhimi i industrive ushqimore.

Sfidë tjetër është sjellja e tregut për kërkesat për mish në peshë të vogël. Çdo restorant kasap kërkohen qengja dhe keca deri në 15 kg, gica 20-50 kg, apo viça më pak se 200 kg. Kjo i detyron prodhuesit e komplekseve të mos marrin fare kapacitetin prodhues të racave të tyre.
Një shqetësim tjetër është konkurrenca me produktet e subvencionuara që vijnë nga importi. Importi i lartë i produkteve blegtorale, veçanërisht mish, (më shumë 60.000 tonë), nga vende larg kontinentit europian, me shkallë të lartë subvencioni, siguron çmime të ulëta e të paarritshme krahasuar me fermat blegtorale të Shqipërisë.

Rrjeti i supermarketeve, i cili ka shënuar rritje të shpejtë gjatë viteve të fundit, për tregun e popullsisë së zonave urbane, ka shumë pak “hapësira” për produktet blegtorale shqiptare, veçanërisht për mungesë standardi të sigurisë ushqimore dhe higjienës nga fabrikat shqiptare të përpunimit të bulmetit. Mungesa institucionale për të eksportuar produkte të veçanta blegtorale në tregjet e huaja.

Çfarë duhet të ketë parasysh dikush që do të investojnë në ferma kafshësh?

Pavarësisht problematikes së mësipërme, me siguri ka vend për të mësuar nga përvoja të mira dhe për të realizuar investime të suksesshme të blegtorisë. Këshilla e parë ka të bëjë me angazhimin e ekspertëve shqiptarë më të mirë për të hartuar një studim konkret mbi bazën e gjithë zinxhirit të vlerës (ciklit) që ka të bëjë një fermë blegtorale dhe tregun përkatës.

Mbi të gjitha, duhet menduar mirë se çfarë modele fermash duhet të marrim nga Europa. Mbajtja vetëm në stallë e bagëtive, mund të jetë ndoshta orientimi më i pafavorshëm për kohën kur jemi dhe perspektivën. Mbajtja e bagëtive për gjatë kohës më të madhe të ditës gjatë gjithë vitit jashtë dhe qëndrimi e ushqimi në stallë shumë i kufizuar do të jetë një drejtim interesant.

Kujdes me kafshë race që nuk janë provuar në Shqipëri, edhe pse mund të kenë kapacitete të larta biologjike, veçanërisht për bagëtitë e imta. Kështu nëse flasim për dhi alpine, pse duhet të jenë ato për ferma në zona të ulëta e bregdetare. Të shfrytëzojmë sa më shumë resurset gjenetike të racave autoktone shqiptare dhe të mbështetemi tek tradita e mbarështimit të tyre në kullota malore. Edhe atje ka nevojë dhe mundësi për investime të suksesshme.

Kryerja e investimeve me cikël të mbyllur, duke arritur prodhimin final për treg me prodhim shumë cilësor për një konsumator të specializuar, siç mund të jenë hotelet dhe restorantet e turizmit si dhe konsumatorë të qytetit. Por në prodhimin blegtoral ka një rol të madh edhe shteti. institucionet e kontrollit ushqimor dhe monitorimit të sëmundjeve të blegtorisë. Ne çdo rast, duhet marrë në konsideratë bashkëpunimi më strukturat shtetërore për të krijuar një treg me të sigurt dhe me konkurrues për ushqimet që konsumojmë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of