Egis Rail i Francës i ka ofruar Beogradit një sërë modelesh për rrjetin e ri të metrosë, si pjesë e studimit të mundshëm të tij.
Nëse Beogradi miraton një nga propozimet e Egis Rail, metroja e qytetit do të lëvizë si mbi, ashtu edhe nën tokë. Qyteti gjithashtu mund të sigurojë një urë të re hekurudhore përgjatë lumit Sava.
Kompania ka propozuar disa opsione për rrugët e metrove. Për rrugën e parë, e cila pritet të drejtohet nga Zvedara në Zemun dhe të jetë gati deri në vitin 2018, francezët kanë propozuar që trenat të lëvizin nëntokë në pjesën e vjetër të qytetit dhe mbi tokë në Beogradin e Ri.
Një alternativë është që trenat të udhëtojnë përmes një korridori shumë lart mbi tokë që do të mbështetet në shtylla, ndërsa stacionet do të jenë në platforma tek të cilat do të shkohet nëpërmjet shkallëve dhe ashensorëve.
Brenda muajve të ardhshëm, autoritetet do të shqyrtojnë propozimet dhe kostot dhe do të vendosin se cilën nga alternativat do të zbatojnë.
Rrjeti do të ketë 55 stacione përgjatë tri linjave, duke mbuluar 36 kilometra dhe duke i shërbyer 660,000 njerëzve në ditë.
Trenat do të udhëtojnë me 28.2 kilometra në orë, duke iu dashur 26 minuta për të arritur nga fundi i një linje te tjetra.
Sipas kushteve të një marrëveshje të nënshkruar mes Francës dhe Serbisë në nëntor të vitit 2011, Franca dhuroi 3 milionë euro për studimin dhe garantoi një kredi prej 500 milionë eurosh për projektin.
Egis Rail ishte caktuar të kryente studimin, ndërsa një konglomerat (korporata të mëdha të formuara nga shkrirja e kompanive të veçanta) francez, “Alstom”, do të marrë përparësinë e negociatave për blerjen e trenave.
“Alstom”, një firmë që operon prej 70 vitesh, ka qenë e përfshirë në ndërtimin e dhjetëra hekurudhave nëntokësore.