Zyrtarët serbë kanë dhënë deklarata të shumta lidhur me Kosovën dhe mundësinë e vazhdimit të dialogut. Ata kanë thënë se Prishtina s’ka shumë opsione për vazhdimin e dialogut pas heqjes së taksës. Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendosë taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
Kryeministrja Ana Brnabiq gjatë ditës se djeshme ka qëndruar në Luksemburg. Ajo nga aty ka thënë se shpreson që pas zgjedhjeve, në Kosovë do të mundë të vazhdohen negociatat për zgjidhje afatgjate dhe të kompromisit mes Beogradit e Prishtinës.
“Shpresoj që pas zgjedhjeve, do të kemi njerëz që do të jenë mjaftueshëm të guximshëm dhe të përgjegjshëm, fillimisht para qytetarëve të tyre dhe të aftë për të biseduar rreth zgjidhjes afatgjate. Ne do të jemi aty”, ka thënë ajo.
“Nëse ndaloni qarkullimin e mallrave, atëherë nuk kemi çfarë të flasim”, tha Brnabiq, duke shtuar se Prishtina duhet të tërheqë vendimin për taksën, e vendosur në nëntorin e vitit të kaluar.
Lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, foli edhe homologu i saj, Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel. Bettel tha se është e rëndësishme që Beogradi e Prishtina të vazhdojnë bisedimet dhe të arrijnë kompromis, duke përmendur se marrëveshja e të dyja palëve ishte e rëndësishme për paqen dhe rrugën e tyre drejt BE-së.
“Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është e rëndësishme për qytetarët e të dyja vendeve. Është e rëndësishme të vazhdoni rrugën drejt BE-së, të siguroni paqen për vendet tuaja dhe të arrini kompromis, në mënyrë që të afroheni më shumë me njëri-tjetrin”, ka thënë Bettel.
E për dallim nga Brnabic, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Djuric ishte më i ashpër, duke theksuar se ‘herët ose vonë, Prishtinës do t’i duhej që të kryejë obligimet e veta. Ai ka theksuar se Prishtina nuk pranon asgjë tjetër përpos njohjes nga Serbia, por se kjo nuk do të ndodhë.
“Nuk do të ketë zgjidhje të lehtë e të qëndrueshme lidhur me Kosovën. Kjo nuk do të na lëkundë, derisa përkrahja ndaj serbëve në Kosovë, vetëm sa do të fuqizohet”.
Kujtojmë se kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, gjatë muajit të kaluar ka qëndruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku edhe nga atje i ka bërë thirrje Kosovës që ta heqë takën 100% që i është vendosur Serbisë gjatë vitit të kaluar.
Ajo ka thënë se Kosova, duke iu referuar si “Prishtina”, duhet të rishqyrtojë vendimin rreth taksës për mallrat nga Serbia.
“Shumë më mirë është të bashkëpunojmë se sa të bllokojmë. Prishtina duhet ta shqyrtojë vendimin rreth taksës për mallrat serbe”, tha Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë gjatë ceremonisë së fillimit të menaxhimit të përbashkët kufitar “One stop Shop”.
Kurse, ish kryeministri Ramush Haradinaj ka vazhduar gjatë tërë kohës të thotë se taksa nuk do të hiet derisa Serbia ta njohë Kosovën.
“Guxim është t’i thuhet sot Serbisë që s’mund të na e rrezikosh ekzistencën tonë. Taksa është shtet, nëse s’mundesh për të mbajtur taksën deri në njohje, nuk do të marrim njohjen reciproke të dy shteteve. Është komponentë e të shtet-bërjes, nuk është votë”.
Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendosë taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.
Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në Serbi.
Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.