Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të aktorëve politik dhe ekonomik të vendeve të rajonit të Evropës Juglindore dhe vendeve të Bashkimit Evropian, për fuqizim të bashkëpunimit rajonal, në Vjenë u mbajt takimi i 10-të jubilar i Forumit Ekonomik të Vjenës, iniciativës rajonale që ka në fokus kryesor bashkëpunimin ekonomik në mes vendeve të rajonit të Evropës Lindore dhe Evropës Juglindore. Në takim në cilësinë e anëtarit të rregullt, u përfaqësua edhe Republika e Kosovës, përmes Ministrit të Financave, Besim Beqaj. Në dy panele të ndryshme të udhëhequra nga Erhard Busek, kryetari i Forumit Ekonomik të Vjenës, ministri Beqaj prezantoj progresin e vendit në bashkëpunimin rajonal dhe promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, përfshirë rezultatet konkrete nga dialogu me Serbinë, si dhe reformat gjithëpërfshirëse dhe progresin e brendshëm, përfshirë: organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në tërë territorin e vendit, reformën strukturore të ekonomisë dhe fuqizimin e stabilitetit makrofiskal të vendit. Në fokus të veçantë të diskutimit të Ministrit Beqaj ishte implementimi i projekteve të infrastrukturës dhe të energjisë, brenda vendit dhe ato me karakter rajonal, të cilat shërbejnë për krijimin e parakushteve, që sektori privat të jetë motor i zhvillimit ekonomik të vendit. Në margjina të takimeve të Forumit Ekonomik të Vjenës, Ministri Beqaj u takua me Zëvendëskryeministren e Bullgarisë, ministra nga vendet e rajonit, pjesëmarrës nga komuniteti i biznesit dhe media.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.