Aksioni i nisur kundër informalitetit do të përmbyllet në dhjetor të këtij viti. Ky është plani afatshkurtër i këtij operacioni që pritet më pas të pasohet nga një tjetër plan afatgjatë i shtrirë në një hark kohor 2 vjeçar.
Zëvendës.Ministrja e Financave, Irena Beqiraj, e ftuar në emisionin “Ekopolitikë” deklaroi se duhej ndërmarrë ky hap për të shkëputur mbështjen e politikës nga informalitetit.
Beqiraj: Ky nuk është aksion, është operacion, planveprimi që është ndarë në dy faza. Një fazë është plani afatshkurtër që do të vazhdojë deri në dhjetor dhe absolutisht do të vazhdojë me një reformë të gjatë 2 vjeçare që do të prekë vitin 2016-2017. Por le të flasim për planin afatshkurtër, ka tre shtylla baza. Shtylla e parë është komunikimi, ndryshimet legjislative dhe e treta terreni. Me komunikim nënkuptojmë marrëdhënie intensive me biznesin, publikun dhe institucionet.
Lufta kundër informalitetit nuk është një cështje që i përket vetëm qeverisë, por gjithë shoqërisë.Por ka nevojë për një hap të parë që është shumë i rëndësishëm, shkëputjen e politikës nga mbështetja e informalitetit. Të gjitha qeveritë në përgjithësi e kanë dëshirë këtë vallëzimin në ekonomitë informale për të krijuar dhe një qetësi politike”.
E pyetur nga gazetarja se pse vjen pikërisht në këtë moment ky aksion dhe a ka ndikuar në rritjen e informalitetit edhe ndryshimi i shpeshtë i taksave, ajo u përgjigj:
Beqiraj: “Nuk ka filluar tani, ka qenë një ndër politikat kryesore të qeverisë. kemi pasur një aksion për naftën. Në të njëtën kohë nga një analizë që u bëmë të ardhurave, jo vetëm në këto 2 vjet por në 15 vjeçarin e fundit, nuk ka qëndrueshmëri. Ka ulje dhe ngritje nga ndryshime të caktuara të politikës fiskale apo dhe rrotacionit politik, por qëndrueshmëria është vunerabël. Ne nuk mund të kemi ekonomi të qëndrueshme pa një ekonomi formale.Korrelacioni që bëhet më shpesh është se po rrite taksat shtohet informaliteti, apo po ule taksat shtohet pagesa. Eksperiencat botrëtore kanë treguar se nuk është gjithmonë e vërtetë, dy vendet që kanë taksat më të mëdha janë Amerika dhe Zvicra por kanë evazionin më të ulët. Problemi është sa e kemi moralin e taksës dhe marrëdhënien që qeveria krijon me ekonominë informale”.
Në ndryshim nga Beqiraj, kryetari i Dhomes se Tregtise dhe Industrise, Nikolin Jaka, është i mendimit se ndryshimi i shpeshtë i sistemit tarifor të taksave është një nga shkaqet kryesore i rritjes së informalitetit.
Jaka: “Kjo është e vërtetë për vendet që janë të konsoliduara, ndërsa për vendet që janë në zhvillim në 99% të rasteve ka ndikim të drejtëpërdrejtë sistemi tarifor i taksave. Nëse sistemet nuk krijojnë sigurinë dhe stabiltetin e duhur për mbledhjen e taksave, nëse mungon administrimi i duhur dhe informaliteit është në shifra të frikshme, është më se normale që tendenca e biznesit kur kemi rritje të tarifës fiskale është që të jetë brenda zonës gri, apo zonës informale”.
/Ora News
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.