Flet Ervin Demo, Kryetar i Bashkisë së Beratit
Berati në heshtje ka shënuar bum turistik në vitin 2022, duke tejkaluar dukshëm periudhën e parapandemisë që ishte viti më i mirë historik i turizmit për Shqipërinë në tërësi.
Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, thotë për “Monitor” se turizmi është një nga sektorët me më shumë potencial, ku duket se është vendosur fokusi i investimit, qoftë nga bizneset private, qoftë nga institucionet.
Sipas tij, rritja e shpejtë e strukturave akomoduese po mbështetet kryesisht nga interesi i shtuar i vizitorëve që kanë filluar ta zgjedhin qytetin e “një mbi një dritareve” edhe si destinacion fundjave.
Sfidë, sipas tij, mbetet stafi i kualifikuar, por kjo sfidë është në tërësi për gjithë vendin dhe zgjerimi i shpejtë ka rritur presionet disa herë më shumë sesa ndodh në një proces normal.
Berati është një nga qytetet me potencial në turizëm, edhe si pjesë e trashëgimisë botërore, i përfshirë nga UNESCO në vitin 2008. Si ka ndryshuar dinamika e këtij sektori nga viti në vit, nga të dhënat që keni si institucion?
Me Beratin kanë ndodhur disa ndryshime strukturore, edhe te tipologjia e turistëve, edhe te qasja e re që kanë krijuar me territorin.
Problemi i qytetit ka qenë që, nuk po i hyjmë thjesht numrit të turistëve në vlerë absolute, nëse ka qenë më pak apo më shumë, por fakti që pjesa më e madhe e tyre kanë qenë ditorë.
Sfida që ka pasur qyteti, edhe për shkak të zhvillimit ekonomik, ka qenë që një turist të kalojë sa më shumë kohë në Berat, sepse kjo lidhet pastaj me konsumin dhe shpenzimet në tërësi që janë më të mëdha.
Në 2022 ka ndodhur një stuhi e përsosur, por kanë ndryshuar tre gjëra në të njëjtën kohë.
Së pari, numri i turistëve që është rritur shumë, nga 220 mijë në 2019 në 400 mijë në 2022, duke përdorur të njëjtën metodologji për të dyja rastet.
Ndoshta kjo metodologji lë vend për korrigjime, pasi të dhënat merren përmes rrugëve dytësore, si vizitat te Muzeu i Onufrit, te Muzeu Etnografik dhe elemente të tjera, por një tendencë e tregon. Rritja është e madhe.
Përtej kësaj, elementi i dytë lidhet me net-qëndrimin ku rezulton se pjesa dërmuese e turistëve qëndron të paktën një natë. Ka edhe grupe me 2-3 net, por Berati nuk është më vetëm një destinacion ditor.
Elementi i tretë që ka ndryshuar është zgjatja e sezonit. Nëse ai klasik i qytetit ka qenë mars-tetor në vitin 2022, pati një rënie të kurbës dy-tre javë pas tetorit, që tregon për një zgjatje, ndërkohë që nuk na shkoi në zero në dhjetor, janar e shkurt.
Ne ende kemi turistë, edhe pse jo në shifra të jashtëzakonshme. Është turisti vendas, që zgjedh fundjavën dhe ne turistin e fundjavës nuk e kemi pasur, pasi nuk kemi qenë destinacion i tillë.
A ka ndikuar edhe zhvillimi rural me agroturizme, apo kantina në këtë formësim të ri të profilit turistik të Beratit?
Absolutisht që po. Berati është nga ato qytete që ka bërë revolucionin e heshtur më të madh në zhvillimin e hotelerisë. Nëse sheh numrin e dhomave, bie në sy jo vetëm rritja e kapacitetit, por edhe rritja e cilësisë dhe standardit.
Berati sot bashkë me njësitë administrative ka 3 mijë shtretër kapacitet. Është një qytet që ka hyrë në fazën e maturimit nga pikëpamja e strukturës turistike.
Në 2019 kemi pasur 75 biznese të orientuara për turizmin, pjesa më e madhe bujtina, hotele, ndërsa në 2022, kishim 164.
Nëse flitet me bankat e nivelit të dytë, me atë çfarë marr unë si përshtypje nga drejtuesit e bankave në qytet, rreth 65% e kredive që jepen për biznesin janë të orientuara në turizëm.
Agroturizmet, nga ana tjetër, kanë ecur shumë mirë dhe janë disa investime shumë interesante.
Kantinat e verës gjithashtu dhe na kanë ndihmuar shumë. Jemi munduar që t’i promovojmë duke organizuar edhe Festivalin e Verës, që si edicion i parë, pati sukses.
Vetëm në fundjavën e Festivalit patëm 12 mijë vizitorë. Duke pasur parasysh këtë ritëm investimesh private bashkë me ato publike, mendoj se viti 2023 do të jetë absolutisht më i mirë dhe në 2024 do të jetë edhe më e konsoliduar.
Zhvillimi i turizmit kërkon edhe staf të kualifikuar. A ka shkolla private në Berat që nxjerrin punonjës për nevojat që ka sektori dhe a janë të mjaftueshme këto burime?
Berati ka dy shkolla profesionale që ndihmojnë sektorin, por zgjerimi i shpejtë që po ndodh së fundmi ka sjellë presion nga pikëpamja e burimeve njerëzore dhe kjo është sfida që kanë sot pjesa më e madhe e bizneseve.
Kur flasim për bizneset turistike, që kanë në thelb shërbimin, presioni është edhe më i lartë, pasi nuk duan thjesht punonjës, por i duan të kualifikuar, pasi shërbimi duhet të ofrohet në standard dhe me cilësi. Sfida nuk është vetëm e Beratit, pasi e sheh kudo në Shqipëri.
Turizmi ka marrë një tjetër rëndësi në qytet dhe ka fokus e investime serioze. Kjo duket qartë nga të dhënat e tërthorta që ne kemi.
Për shembull, disa vite më parë, bizneset kërkonin lehtësi për ndërprerjen e kontratave me OSHEE, pasi hotelet mbylleshin gjatë dimrit. Këtë vit, asnjë biznes nuk është mbyllur, gjë që tregon për rëndësinë që ka marrë ky sektor.
Cilat janë disa nga investimet kryesore të Bashkisë që mendoni se kanë pasur ndikim pozitiv në turizëm?
Mendoj se investimi më i rëndësishëm është ai i furnizimit me ujë. Në 2019-n, Berati kishte 8 orë ujë, ndërsa në 2022 u sigurua 24 orë ujë.
Ky është një investim që kemi pasur me bankën gjermane për ujin e pijshëm dhe rrjetin e kanalizimeve. Për fat të mirë, ne këtë pjesë investimesh e bëmë gjatë pandemisë dhe nuk ndikoi në turizëm.
Pas kësaj do të nisë faza e dytë, për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, në mënyrë që të mos derdhen më ujëra të papërpunuara në Osum. Një ndërhyrje që ka pasur ndikim mendoj se është ajo për Bypass-in e vogël të qytetit.
Për të hyrë në Berat kishte vetëm një rrugë dhe duke ofruar një mundësi të dytë, është lehtësuar trafiku dhe jeta e banorëve.
Është bërë gjithashtu Bypass-i i madh në dalje të qytetit që nuk ka ndikim vetëm për Berain, por ka edhe për ata që duan të shkojnë Poliçan dhe Skrapar.
Në këtë pjesë ka mbetur një distancë diku te 400 metra ku ka vetëm një rrugë dhe është nga Ura e Goricës deri tek Ura e Varur, sepse kur vjen tek kjo e fundit ke serish dy alternativa.
Nëse flasim për Kalanë, investimi aty ka zgjidhur një problematikë të madhe, pasi ka qenë shumë sfidues për turistët.
Unë kam marrë përshtypje më herët nga shumë agjenci, të cilat pranonin se kishin hequr turret ditore, pasi ngjitja në kala ishte i vështirë.
Në një pjesë të rrugës ndodhen varrezat e qytetit dhe në ditë të caktuara, autobusët me turistë mund të mbeteshin 45 minuta të bllokuar. Tani rruga është zgjeruar dhe ka pasur ndikim pozitiv pasi turret ditore janë aktivë.
Një nga vlerat më të mëdha të qytetit janë lagjet muzeore të saj për të cilat ka disa projekte. Si ka qenë ecuria e tyre?
Transformimi që po bëjmë në lagjet muzeore vijon. Kemi restauruar gjithë Goricën. Po bëjmë një pedonale në këtë lagje. Restaurimi përfshin ndriçim të ri.
Në 11 godinat që janë kategori e parë do ketë ndriçim më të veçantë. Gorica ka ndryshim tërësor.
Kemi bërë ndërhyrje masive në Mangalem, duke nisur nga rrjeti i kanalizimeve dhe jemi te ndriçimi. Kemi shtuar një shesh të ri.
Mangalemi ka pasur një perde, një shkollë që ishte ndërtuar në vitet ‘50-’60 e cila mbulonte krejt pamjen. E prishëm atë dhe po shtojmë një shesh të ri që për mua është sheshi më i bukur në Berat.
Në një gjatësi në më pak se 500 metra po shtojmë dy sheshe të reja, njëri tek ish-agjencia që është i rëndësishëm, sepse në të njëjtin shesh kemi dhe Katedralen dhe Xhaminë e Plumbit.
Ky shesh lidhet me sheshin mbi Parkimin me 200 poste për makinat. Po rikthejmë identitetin e rrugës me kalldrëm nga Mangelemi, tek ish-agjencia dhe ka nisur puna për këtë.
LEXONI EDHE:
Thirrja e origjinës; “Të rikthyerit” që po investojnë në vendlindje
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.