Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur bordin e Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve AIDA. Ai i është referuar raportit ekonomik të OKB-së për Shqipërinë, i cili sipas kryeministrit është i njëjtë me atë të Komisionit Evropian, për sa i takon rritjes së investimeve të huaja dhe uljes së papunësisë në vend.
Sipas këtij raporti në Shqipëri janë rritur me 1 miliardë dhe 30 milionë dollarë investimet e huaja, si një vend me perfomacë shumë të mirë të atraksionit dhe kjo bazohet në sistemin fiskal dhe taksat e ulëta
“Sipas këtij raport Shqipëria renditet në grupin e vendeve me performancë shumë të mirë për sa i përket treguesve të atraksionit, tërheqjes, ajo qëndron më lart, pasi i referohet sistemit fiskal dhe takave të ulëta. Vendet me indeks potencialiteti të madh janë vendet e vogla. Dy janë faktorët: rregullat liberale dhe sistemi fiskal, pozicioni gjeografik dhe burimet natyrore”- theksoi shefi i qeverisë, i cili shtoi se investimet e huaja direkte në fushën e prodhimit, çka përbën një zhvillim pozitiv pasi punëson më shumë njerëz.
Ai tha se sipas raportit në Shqipëri papunësia jo vetëm që nuk u rrit, por pati tendenca të lehta ulje, si pasojë e rritjes së investimeve të huaja dhe rritjes së investimeve në fushën e prodhimit, e cila është shoqëruar me rritje punësimi nga viti në vit dhe ulje të papunësisë.
“Në kohën e sotme dhe në kushtet e një krize globale, nuk ka diskutim se problemi më madhor në çdo shoqëri mbetet punësimi. Qëllimi më i rëndësishëm i veprimtarive ekonomike është punësimi”- nënvizoi Berisha, i cili vijoi se ky raport është i njëjtë me atë të botuar në Komisionin Evropian.
Raporti i KE-së sipas kryeministrit jep alarmin e ekonomitë e mëdha janë në recesion, po jo në Shqipëri dhe në Kosovë.
Dukeu bazuar tek raporti i Komisionit Evropian për punësimin kreu i qeverisë publikoi edhe shifrat e uljes së papunësisë nga vit në vit në Shqipëri për sa i takon sektorit publik dhe privat dhe rritjes së investimeve.
“Suksesi i vërtetë është punësimi i qytetarëve. Çfarë thotë raporti i KE-së?
Punësimi në Shqipëri nga viti në vit u rrit me 4%, në sajë të punësimit në sektorin privat u rrit 5,5 %, në sektorin publik punësimi u zvogëlua, papunësia ka mbetur në nivelin 13.5%. Investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të 2012 u rritën dy herë më shumë se në tremujorin e parë të 2011. Borxhi publik ka rënë në 57%”- deklaroi Berisha, i cili garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka për të rritur investimet e huaja ne vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.