Me rastin e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, më 9 Nëntor, në Berlin po organizohen evente dhe instalacione me këtë temë.
Mbi të gjitha, spikat vepra përpara Portës së Brandeburgut, 120 mijë yje shumëngjyrëshe, një e katërta e të cilave përmbajnë mesazhe për paqen
Një valë shumëngjyrëshe noton në ajër, mbi Rrugën 17 Qershori (Straße des 17. Juni) përpara Portës së Brandeburgut. Ky është një nga organizimet më të bukura – padyshim bie më shumë në sy nga të tjerët – që Berlini ka zgjedhur për të kujtuar dhe për të festuar 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, më 9 Nëntor.
Instalacioni imponues – me sipërfaqe thuajse 2 mijë metra katrorë dhe gjatësi, jo më pak se 150 metra, është vepër e artistit amerikan Patrick Shearn dhe ekipit të tij Poetic Kinetics, një emër që duket shumë i rëndësishëm për ata që admirojnë, edhe vetëm në fotografi, masën fluide dhe shumëngjyrëshe në lëvizje. Instalacioni, me formë drejtkëndore, të sjell ndër mend Murin e Berlinit që u ndërtua pranë Portës së Brandeburgut – natyra e zhdërvjellët dhe në lëvizje të vazhdueshme dëshiron t’i kundërvihet strukturës së tij (Murit) të ngurtë që për vite me radhë ndau qytetin në dy pjesë, duke evokuar konceptin e një muri të rënë.
Instalimi përbëhet nga rreth 120 mijë yje prej një pëlhure të lehtë, të bërë bashkë falë një ngjitëseje dhe 1200 nyjeve, në mënyrë që të duket sikur notojnë në ajër. Nëse do të fryjë erë, ajo do të krijojë një efekt të mrekullueshëm, zhytjeje. 30 mijë prej këtyre yjeve përmbajnë mesazhe paqe, të shkruara nga qytetarët e kryeqytetit gjerman dhe nga e gjithë bota.
Kulturprojecte Berlin, i cili ka kontribuar për këtë projekt dhe 6 të tjera me rastin e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, i mblodhi këto mesazhe gjatë një fushate që u zhvillua në shtator – kujtesa e së shkuarës, dëshirat dhe shpresa për të ardhmen mund të lexohen në fasadat e “brendshme” të yjeve.
Instalacioni i Portës së Brandeburgut është një nga shtatë eventet që Kulturprojekte Berlin ka organizuar nga data 4 – 9 nëntor, me rastin e festivalit “30 years peaceful revolution – fall of the wall”.
Eventet që do të zhvillohen gjatë këtyre ditëve i gjeni në faqen https://mauerfall30.berlin/en/