Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të japë kredi deri në 5 milionë euro për Sparkasse Bank në Bosnjë- Hercegovinë, për të rritur konkurrencën e bizneseve të vogla vendase.
Kredia për Bankën Sparkasse po jepet në kuadër të Programit për Mbështetjen e Konkurrencës së NVM-ve, një nismë e përbashkët e BERZH dhe e Bashkimit Europian (BE). Kredia do të sigurohet nga obligacione sovrane ndërkombëtare, hera e parë që BERZH ka përdorur një strukturë të tillë financimi për një projekt me një bankë tregtare në Bosnjë-Hercegovinë.
Sparkasse do të huazojë fondet e BERZH-it për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) me synimin për të rritur konkurrencën e tyre dhe përputhshmërinë me standardet teknike të BE-së, për shembull, në lidhje me eficencën e energjisë, ujit, minimizimin e mbetjeve, riciklimin dhe përmirësimin e standardeve të shëndetit dhe sigurisë. Të paktën 60% e kredive do të përdoren për të mbështetur tranzicionin e gjelbër.
Programi i Mbështetjes së Konkurrencës së NVM-ve kombinon financimin me hua dhe grante, duke ofruar grante të financuara nga BE me vlerë deri në 15% të shumës totale të huasë për zbatimin e suksesshëm të investimeve. Kjo do t’i bëjë ndërmarrjet vendase më konkurruese dhe do të përmirësojë shanset e tyre për të pasur sukses në tregjet e brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare.
Sparkasse Bank administron asete totale prej 1.84 miliardë BAM (943 milionë euro) dhe ka më shumë se 500 punonjës në 38 degë në të gjithë Bosnjë-Hercegovinën. Banka u shërben individëve privatë, NVM-ve, kompanive të mëdha, klientëve institucionalë dhe sektorit publik. Ajo është në pronësi të Steiermarkische Bank und Sparkassen AG të Austrisë.
Manuela Naessl, shefja e BERZH-it për Bosnjë-Hercegovinën, tha: “Ne jemi shumë të kënaqur që po nënshkruajmë këtë marrëveshje kredie sot dhe mbështesim forcimin e ekonomisë në Bosnjë- Hercegovinë së bashku me partnerin tonë të vjetër, Sparkasse Bank. Për rimëkëmbjen nga Covid-19, bizneset duhet të fillojnë të investojnë sërish dhe kjo linjë kredie do të mbështesë NVM-të lokale në kryerjen e investimeve dhe rindërtimin e një ekonomie më të fortë, elastike, ekologjike dhe konkurruese”.