Flet Matteo Colangeli, drejtor i BERZH-it për Shqipërinë
BERZH parashikon që të angazhohet edhe në projektin TAP. Kredia parashikohet të jetë në 1.5 miliardë euro, më e larta e akorduar ndonjëherë.
Nga kjo shumë, 500 milionë euro do të akordohen si një kontribut direkt i BERZH-it, ndërsa pjesa tjetër do të jepet përmes një huaje sindikale nga bankat tregtare. Rreth 50% e kësaj huaje do të përdoret për projektin në Shqipëri.
A mendoni se TAP ka një ndikim të konsiderueshëm në ekonominë shqiptare, përveç faktit se do të shërbejë për të rritur shifrën e Investimeve të Huaja Direkte?
Unë mendoj se 2017-a do të jetë një vit i rëndësishëm për ndërtimin e TAP-it, kur do të realizohet një pjesë intensive e punimeve. Kjo do të ofrojë mundësi të mira për nënkontraktorët shqiptarë, për të siguruar tenderë dhe kontrata dhe do të ketë gjithashtu ndikim pozitiv edhe në punësim.
Zhvillimi i një tregu për gazin në Shqipëri që do të mundësohet nga TAP, por edhe nga kërkimet e vazhdueshme në sektorin e hidrokarbureve në vend do të duhet të plotësohet nga një kuadër ligjor dhe një set institucional për rregullimin dhe operimin në këtë sektor të ri të ekonomisë shqiptare. Krijimi i Albgaz, si operatori i sistemit të transmetimit të gazit në vend, është një nga hapat e parë në këtë drejtim. Ne mund të shqyrtojmë mundësinë që ta mbështesim këtë proces me asistencë teknike. Kjo do të krijonte një mundësi të mirë për transferimin e njohurive dhe aftësive të reja në vend, bashkë me mundësi punësimi për fuqi punëtore të kualifikuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.