Ndërhyrjet rehabilituese dhe në funksion të përmirësimit të disa rrugëve do të mbështeten me një kredi 50 milionë dollarë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në një njoftim për shtyp të kësaj të fundit bëhet me dije se ndërhyrjet në rrugë do të bëhen në funksion të lehtësimit të zhvillimit të turizmit, mbështetjes së integrimit rajonal si dhe zgjerimit të sigurisë në rrugë ne vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kjo kredi do të financojë rehabilitimin e disa rrugëve rajonale dhe lokale në vend ndër të tjera: një segment rrugor me gjatësi 10.6 kilometra përfshirë dy rikonstruksione të vogla mes qytetit të Vlorës dhe Orikumit përgjatë bregut të Jugut . Po kështu një segment me gjatësi rreth 13 kilometra mes qytetit të Shëngjinit dhe fshatit Baks-Rrjoll afër Velipojës përgjatë bregut të Veriut. Një segment afërsisht 47.1 kilometra në gjatësi mes fshatit Zgosht dhe Ura e Çerencit në pjesën lindore të vendit.
Ky investim sipas BERZH do të shoqërohet me masa që mbështeten nga qeveria e Japonisë për të ofruar trajnime mbi punën për të rinjtë gjatë ndërtimit. Përmirësimet në sigurinë e rrugëve do të ndjekin edhe rekomandimet në një audit të sigurisë rrugore që financohet nga vetë burimet e bankës.
Projektimi i rrugëve do të prezantojë masa adaptuese me klimën duke zgjeruar rezistencën e rrugëve që janë shpesh të përmbytura apo me rrëshqitje dherash duke garantuar një rrjedhje eficente të rrymave ujore.
Deri më sot BERZH ka investuar 1.4 miliardë euro në 96 projekte në Shqipëri.
Denaj firmos marrëveshjen me BERZH
Ministria e Financave dhe Ekonomisë nënshkroi me Bankën Europiane për Rindërtim Marrëveshjen për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri.
Marrëveshja u firmos nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj dhe drejtori i BERZH-it për Shqipërinë, z. Matteo Colangeli, ndërsa do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Programi parashikon dhënien e një shume prej 50 milionë dollarëve, në formën e huasë, për përmirësimin e infrastrukturës në tri akse rrugore lokale në vendin tonë që prekin zonën Vlorë-Orikum; Shëngjin-Velipojë dhe Librazhd-Bulqizë.
Ministrja Denaj vlerësoi marrëveshjen e firmosur me BERZH dhe tha se qeveria shqiptare është e angazhuar në përmbushjen e prioritetit të saj për të rritur aksesin drejt zonave rurale, jo vetëm nga qytetarët e turistët, por edhe nga investitorët e huaj, duke ndikuar kështu në zhvillimin ekonomik të tyre dhe në rritjen e punësimit.
“Këto tre akse janë pjesë e kësaj marrëveshje huaje, por janë pjesë e një programi më të gjerë të kontektivitetit rajonal dhe lokal, i cili nuk do të sjellë vetëm një përmirësim të shtuar të akseve në aspektin e transportit por, mbi të gjitha, do të zgjerojë mundësitë e zhvillimit ekonomik në këto zona. Ky është një prioritet i qeverisë shqiptare, për të bërë zonat rajonale e zonat rurale më të aksesueshme për individët, turistët dhe mbi të gjitha për investitorët vendas dhe të huaj, të cilët në këto zona do të mundësojnë jo vetëm marrjen e shërbimeve të duhura, por njëkohësisht do të krijojnë mundësinë e një zhvillimi ekonomik dhe punësimi akoma më të gjerë”, u shpreh znj. Denaj.
Drejtori i BERH për Shqipërinë, z. Colangeli, tha se nënshkrimi i marrëveshjes konfirmon bashkëpunimin shumë të mirë me qeverinë shqiptare për modernizimin dhe zgjerimin e rrjetit rrugor të vendit tonë, ndërkohë që investimi i parashikuar do të ndikojë në përmirësimin e ekonomisë lokale. “Mendoj qe këto investime janë të rëndësishme pasi shërbejnë dhe ndikojnë në përmirësimin e ekonomive lokale, në zonat që do të përfitojnë nga mundësi më e mirë ndërlidhjeje, veçanërisht për fushën e turizmit, i cili për ne është gjithashtu një sektor prioritar për investimet. Do të doja gjithashtu të nënvizoja se investimet në infrastrukturë kanë të bëjnë me rritjen e standardeve, përmirësojnë mjedisin, aspektet sociale, sigurinë rrugore, ndërhyrje që janë maksimizuar në detajet teknike të këtyre projekteve”, u shpreh z. Colangeli.
Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv i FSHZH, z. Dritan Agolli, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, falënderoi BERZH dhe MFE dhe u shpreh se: “Të tre projektet janë me standarde nga të lartë, pasi kanë marrë në konsideratë edhe standardet mjedisore, veçanërisht zona e Shëngjin – Velipojës, ku projekti ka parashikuar marrjen e masave të duhura për mbrojtjen mjedisore, pasi kalon në një zonë shumë të veçantë natyrore”.
Tre segmentet rrugore që parashikohen të financohen nëpërmjet Projektit janë:
- Rehabilitimi i Rrugës Ekzistuese Uji i Ftohtë – Orikum, ku pjesë e rehabilitimit të këtij segmenti do të jetë edhe ndërtimi i dy bypass-eve që do të përmirësojnë qarkullimin (10.7km);
- Ndërtimi i rrugës Shëngjin – Velipojë (12.4 km);
- Sistemim dhe asfaltim i rrugës Zgosht – Ura e Çerenecit (47.1).
Objektivi i këtij projekti është përmirësimi i infrastrukturës rrugore me qëllim krjimin dhe rritjen e zhvillimit ekonomik të zonave të gjendura në bashkitë Vlorë, Lezhë, Shkodër, Librazhd dhe Peshkopi, si rezultat i përmirësimit të potencialit të tyre turistik dhe zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë. Sektori i bujqësisë dhe ai i turizimit, përfaqësojnë dy sektorë kryesorë në drejtim të punësimit dhe rritjes ekonomike në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.