Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) njoftoi se miratoi në datë 10 mars një linjë kredie në vlerën 100 milionë euro për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave.
Në dhënien e detajeve, BERZH nënvizoi se kjo linjë kredie e gatshme do të jetë në dispozicion për 2 vjet dhe e garantuar plotësisht nga Qeveria e Shqipërisë. ASD do të jetë në gjendje të tërheqë fonde nga kjo linjë kredie nën kushte të caktuara paraprakisht të rëna dakord, me qëllim vënien në dispozicion të fondeve, kryerjes së pagesave ose transfertave në lidhje me depozitat e siguruara në përputhje me ligjin në Shqipëri.
Tek objektivat e projektit, BERZH sqaron se ASD do të ketë të mundur të bëjë rregullime të përshtatshme pagesash emergjente, në mënyrë që të mbajë një besueshmëri të lartë në sistemin financiar dhe të mundësojë mbrojtje eficiente dhe të besueshme për depozituesit në Shqipëri.
“Projekti do të kontribuojë në cilësinë e qëndrueshmërisë përmes vendosjes në dispozicion së fondeve emergjente, të cilat do të forcojnë aftësinë e ASD-së për t’i bërë ballë çdo dështimi të mundshëm të bankave në kontekstin e krizës COVID-19 dhe të vazhdojnë të ruajnë besimin e lartë në sektorin bankar shqiptar.
Projekti gjithashtu do të mbështesë cilësinë e mirëqeverisjes përmes një programi gjithëpërfshirës të ndihmës teknike të përqendruar në forcimin e kapacitetit operacional dhe qeverisjes së ASD, duke automatizuar plotësisht procesin e pagesave, duke modernizuar sistemin e raportimit të brendshëm dhe duke hedhur bazat për prezantimin qasje bazuar mbi riskun primar” thuhet në sqarimin e BERZH.
ASD është një institucion publik që mbulon pjesë e sigurimit të depozitave në sistemin financiar në vend. Depozitë e siguruar në bankë dhe degë të saj është pjesa e depozitës së sigurueshme e një depozituesi, por në çdo rast jo më shumë se 2.5 milionë lekë, pavarësisht numrit të depozitave apo llojit të monedhës së tyre, të depozituara në këtë bankë.
Depozitë e siguruar në Shoqëritë e Kursim Kreditit është pjesa e depozitës së sigurueshme e një depozituesi, por në çdo rast jo më shumë se 2 milionë lekë, pavarësisht numrit të depozitave apo llojit të monedhës të tyre, të depozituara në këtë SHKK./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.