Ekonomia shqiptare do të rritet me rreth 3.5% në vitin 2017. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim publikoi prospektin rajonal të ekonomisë për vendet ku operon.
Sipas raportit, vendet e rajonit të Europës Juglindore gjatë vitit 2016 kanë pasur performanca të ndryshme ekonomike, më e ndryshueshme ka qenë situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria dhe Kosova kanë pasur rritjen më të fortë dhe më të qëndrueshme, ndërsa me ritme të ulëta ka performuar ekonomia në BosnjË – Hercegovinë, Maqedoni dhe Mal të Zi.
Të gjitha ekonomitë e rajonit parashikohet të rriten në periudhën 2017 – 2018, por pasiguritë kryesore do të vazhdojnë të jenë prezente, të shoqëruara nga probleme të brendshme politike.
Parashikimi për Shqipërinë
Performanca ekonomike u përmirësua gjatë vitit 2016. Rritja ishte rreth 3.5% nga 2.6% që ishte në vitin 2015, duke u ndikuar nga konsumi privat dhe investimet.
Shpenzimet publike u rritën në mënyrë të moderuar pas një tkurrjeje të ndjeshme në vitin paraardhës. Vlera neto e eksporteve gjithashtu pati një kontribut pozitiv edhe pse të vogël veçanërisht në shërbime dhe turizëm.
Investime të ndryshme në sektorin e energjisë janë duke u zbatuar, gjë e cila ndikon në rritjen ekonomike të vendit. Kompanitë shtetërore të sektorit të energjisë si KESH dhe OSHEE janë duke iu nënshtruar reformës, gjë që do të garantojë rritjen e këtij sektori në terma afatgjatë.
Politika fiskale e ndjekur nga qeveria ka qenë e kujdesshme, ndërsa në shkurt të këtij viti u mbyll edhe programi trevjeçar i FMN-së. Norma e inflacionit ishte 1.3% në vitin 2016 nën targetin e Bankës së Shqipërisë që kuotohet në 3%.
Politika monetare është e qëndrueshme dhe norma bazë është në nivelin më të ulët historik në 1.25% që nga maji 2016.
Parashikimi në terma afatmesëm është pozitiv, por rreziqet e brendshme janë domethënëse.
Rritja ekonomike parashikohet të jetë në 3.5% në vitin 2017, me rritje në 3.7% në 2018-n kjo për shkak të rritjes së kërkesës së brendshme dhe investimeve të huaja, kryesisht nga ndërtimi i gazsjellësit Trans-Adriatic Pipeline (TAP).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.