Serbia ka nevojë për më shumë investime që ekonomia e saj të rritet më shpejt, referoi Peter Tabak, ekonomisti kryesor për Kroacinë, Serbinë dhe Rusinë në zyrën e kryeekonomistit në BERZH, duke shtuar se qeveria e re duhet të vazhdojë të përmirësojë klimën e biznesit.
Ai tha se raporti i tranzicionit të BERZH për 2015-’16 ka treguar se pas recesionit në Europën Juglindore, Serbia ka investuar më pak se më parë, dhe kjo sikundër shtoi ai, nuk ishte e mjaftueshme.
Serbia duhet të investojë më shumë në qoftë se ajo dëshiron rritje më të shpejtë ekonomike. Është e nevojshme që ajo të përmirësojë më tej klimën e biznesit për të nxitur flukse të investimeve të huaja të cilat sigurojnë teknologji bashkëkohore, përmirësojnë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë dhe në këtë mënyrë nxisin rritjen ekonomike, tha Tabak për Tanjug.
Tabak ka referuar se kushdo që mund të fitojë zgjedhjet duhet të vazhdojë të ndjekë politikën e rregullimit fiskal dhe reformat strukturore, diçka që, ndër të tjera, nënkupton përmirësimin e kuadrit ligjor dhe zgjidhjen e problemit të kredive të këqija.