Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) njofton se rritja ekonomike e Kosovës për vitin 2022 do të jetë 4 për qind apo 6.5 për qind më pak se sa viti i kaluar.
Sipas raportit “Prospekti Ekonomik Rajonal, maj 2022”, BERZH thekson se edhe një vitin 2023 rritja do të jetë e njëjtë sikurse e 2022-së.
“Ekonomia parashikohet të rritet me 4 për qind si në vitin 2022 ashtu edhe në 2023. Rreziqet kryesore për këtë janë pasiguritë në rritje, rritja e çmimeve të mallrave dhe dobësitë e mundshme në sektorin e jashtëm”, thekson raporti.
BERZH-i thotë se diaspora ka ndihmuar në rikthimin e ekonomisë pas pasojave të krijuara nga pandemia COVID-19.
“Ekonomia u rimëkëmb me shpejtësi në vitin 2021, duke u rritur me 10.5 për qind sipas vlerësimeve paraprake, me mbështetjen e fortë nga diaspora. Konsumi i familjeve u mbështet nga flukset e larta hyrëse të remitancave dhe rritja e ndjeshme kreditore”, tha BERZH.
Kjo bankë thekson se rritja e çmimeve dhe kriza energjetike, të ndikuara nga kriza në Ukrainë, ka bërë që të rëndohen llogaritë fiskale.
“Kriza e energjisë dhe rritja e çmimeve të ushqimeve janë përkeqësuar nga ndikimi ekonomik i luftës në Ukrainë dhe rritja e inflacionit për 10 për qind. Kjo rezultoi në rritjen e shpenzimeve për importet e energjisë elektrike dhe masat sociale për të mbështetur ekonomisë, duke rënduar llogaritë fiskale”, përfundon banka.
Për rajonin e Ballkanit Perëndimor, BERZH parashikon rritje ekonomike prej 3.2 për qind në vitin 2022 dhe 3.6 për qind në 2023-në.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.