Ndërtimi i tubacionit Trans-Adriatik (TAP) do të lehtësojë kalimin nga qymyri në gaz në Ballkanin Perëndimor.
Kjo deklaratë është theksuar në raportin e fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Aktualisht, termocentralet me qymyr përbëjnë një pjesë të rëndësishme të energjisë elektrike të rajonit dhe, si rezultat, dioksidi i karbonit është tre herë më i lartë se mesatarja e BE. Ballkani Perëndimor duhet të kalojë nga qymyri tek hidroenergjia, energjia e rinovueshme dhe gazi për të reduktuar kontaminimin.
“Ndërtimi i Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), i cili do të sjellë rreth 10 miliardë metra kub gaz nga Azerbajxhani, do të hapë mundësi të reja për kalimin e rajonit nga qymyri në gaz,” theksoi raporti.
Trans-Anatolia (TANAP) dhe Trans-Adriatic (TAP) Tubacionet janë projekte me më pak emetim të karbonit. Tubacionet TANAP dhe TAP janë hartuar në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe BERZH.(Lexo: http://www.monitor.al/berzh-tap-dhe-tanap-projektet-me-me-pak-emetime-co2/)
BERZH ka ndaluar financimin e projekteve të qymyrit nën strategjinë e re. Gazi natyror tashmë është bërë një zgjedhje e mirë me lançimin e projekteve TANAP dhe TAP për vendet që nuk kanë pasur akses në këtë burim të energjisë, citon artikulli.
Kostoja totale e TAP vlerësohet në 4.5 miliardë euro, ndër të cilat 3.1 miliardë euro janë shpenzuar në TAP deri në fund të korrikut 2018. Në atë muaj, Bordi i Drejtorëve i BERZH-it miratoi një kredi deri në 500 milionë euro për TAP. Projekti, tashmë ka tërhequr 1.5 miliardë euro nga Banka Europiane e Investimeve (EIB), e cila miratoi kredinë në shkurt 2018.
TAP, së bashku me TANAP, është pjesë e projektit të Korridorit Jugor të Gazit. Projekti parashikon transportin e gazit nga fusha e gazit Shah Deniz në Azerbajxhan, në Greqi dhe në Italinë jugore përgjatë Detit Adriatik përmes Greqisë dhe Shqipërisë.
Marrëveshja ndërqeveritare për projektin TAP u nënshkrua nga Shqipëria, Italia dhe Greqia në shkurt të vitit 2013. Tubacioni TAP prej 878 kilometrash (Greqia 550 kilometra, Shqipëria 215 kilometra, Deti Adriatik 105 kilometra dhe Italia 8 kilometra) do të lidhet me TANAP në kufirin turko-grek dhe do të kalojë përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik, përpara se të arrijë në në jug të Italisë.
Më herët në nëntor, TAP dhe TANAP përfunduan me sukses lidhjen e tyre në brigjet e lumit Merich në kufirin turko-grek. Ndërtimi i gati 74.6 përqind të tubacionit prej 878 km është përfunduar. Tubacioni TAP pritet të nisë funksionimin në vitin 2020. Kapaciteti fillestar i TAP do të jetë 10 miliardë metra kub gaz në vit, me mundësinë e dyfishimit të tij.
Aksionerët e TAP përfshijnë BP (20 përqind), SOCAR (20 përqind), Snam S.p.A. (20 përqind), Fluxys (19 përqind), Enagas (16 përqind) dhe Axpo (5 përqind).
Projekti TAP është një nga objektivat strategjike të BE-së në sigurinë e energjisë dhe diversifikimin e burimeve të energjisë, e zgjedhur si mënyra më e shkurtër dhe e drejtpërdrejtë për eksportin e gazit natyror azer, në tregjet evropiane.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.