Treguesi i besimit në ekonomi vijoi përmirësimin edhe në tremujorin e parë të këtij viti.
Mbështetur në vrojtimin e besimit dhe biznesit të konsumatorit, të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike u rrit me 10.3 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Këtë tremujor përmirësimi erdhi nga rritja e njëkohshme e besimit si për bizneset, ashtu edhe për konsumatorët.
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë shënoi rritje të fortë gjatë tremujorit të parë, me 9.5 pikë përqindje, duke u zhvendosur mbi mesataren historike për herë të parë, që pas goditjes negative të një viti më parë. Kjo i detyrohet kryesisht rritjes së balancës së prodhimit, me 20.3 pikë përqindje dhe rritjes së balancës së kontratave porositëse, me 11.8 pikë përqindje. Ecuri të përmirësuar shfaqën edhe balancat e tjera si gjendja financiare, kontratat porositëse nga eksportet, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, si edhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve.
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit u rrit me 8 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë, por
vijon të mbetet nën mesataren historike. Rritja u përcaktua kryesisht nga rritja e balancës së aktivitetit ndërtues me 15.2 pikë përqindje, në një kohë që balanca tjetër formuese e treguesit,
kontratat porositëse, shënoi rritje të lehtë me 0.8 pikë përqindje. Midis balancave të tjera, rritje shënuan edhe gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për të në tremujorin e ardhshëm.
Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve shënoi rritje gjatë tremujorit të parë, me 9.5 pikë përqindje. Megjithatë, edhe për këtë sektor treguesi vazhdon të mbetet nën mesataren historike. Rritja erdhi kryesisht nga përmirësimi i ecurisë së biznesit, me 13.1 pikë përqindje dhe nga rritja e kërkesës, me 6 pikë përqindje.
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë u rrit me 5.4 pikë përqindje gjatë tremujorit të pare dhe rezulton aktualisht mbi mesataren historike. Përmirësimi i atribuohet kryesisht rritjes së
balancës së ecurisë së biznesit, me 8.6 pikë përqindje, dhe në një masë më të vogël rritjes së komponentit tjetër përbërës, balancës së pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, me 2.2 pikë përqindje. Rritje shënuan edhe balancat e tjera të vrojtimit si gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm.
Treguesi i besimit konsumator (TBK) shënoi rritje me 1.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë, por vazhdon të mbetet ndjeshëm nën mesataren e vet historike. Rritja tremujore u ndikua nga përmirësimi i tre prej balancave përbërëse: blerjet e mëdha, me 3.9 pikë përqindje; situata
financiare e pritur e familjes, me 1.3 pikë përqindje; dhe situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend, me 0.8 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca e katërt përbërëse e TBK-së, të ardhurat dhe shpenzimet, shënoi rënie me 1.7 pikë përqindje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.