Besimi i shqiptarëve te Bashkimi Europian, rënie të ndjeshme më 2019

09/03/2021 11:01 PM 0 komente

Ecejaket për fillimin e negociatave dhe zgjatja përtej pritshmërive e procesit të integrimit në BE duket se e kanë ndikuar negativisht besimin e shqiptarëve te Bashkimi Europian.

Rezultatet që dolën nga një anketë e Bankës Qendrore të Austrisë me qytetarët në rajonin e Europës Juglindore tregojnë se besimi i shqiptareve te Bashkimi Europian ka pësuar rënie me gati 13 pikë për qind brenda një viti.

Në vitin 2019 vetëm 51% e shqiptarëve të anketuar kishin besim tek BE në raport me 64% në vitin 2018. Besimi tek BE ka shënuar luhatje vitet e fundit, prej një kulmi 77%, që kishte arritur në vitin 2011, menjëherë pas heqjes së vizave.

Me gjithë këtë ulje, shqiptarët mbeten në nivelin më të lartë të besimit në BE në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në katër vendet jo anëtare, Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe Shqipëri, ku është zhvilluar anketa, besimi në Bashkimin Europian ka shënuar rënie të ndjeshme më 2019. Në të kundërt, qytetaret në vendet anëtare të BE të tilla si Bullgaria, Çekia, Hungaria dhe Polonia kanë rritur besimin tek BE më 2019.

Siç shihet nga grafiku në fund, në dekadën e fundit 2009-2019 shqiptarët kishin nivelet më të larta të besimit te BE edhe se shtetet e reja anëtare, por kushtet për hapjen e negociatave duket se kanë humbur durimin e shqiptarëve.

Por, pandemia Covid -19 i ka larguar edhe më shumë vendet e Ballkanit dhe shqiptarët nga Bashkimi Europian. Mungesa e solidaritetit për të zgjeruar ndihmat në rajonin më të varfër të Europës dhe tani së fundmi me mungesën e furnizimeve me vaksina, mund të rrisin skepticizmin.

Pas daljes nga diktatura në vitin 1992 u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Në vitin 1999, BE propozoi Procesin e ri të Stabilizim -Asocimit (PSA) për pesë vende të Europës Juglindore, duke përfshirë Shqipërinë. Që nga viti 1999, Shqipëria nisi të përfitojë nga tregtia e lirë e Tregtisë me BE.

Në qershor 2001, Komisioni rekomandoi ndërmarrjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (SAA. Më 2006, MSA u nënshkrua në Këshillin e Marrëdhënieve të Përgjithshme dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Luksemburg, ndërsa po në nëntor 2006, Komisioni Europian vendosi të fillojë negociatat për lehtësimin e vizave me Shqipërinë.

Më 15 dhjetor 2010, hyri në fuqi lëvizja pa viza në zonën Schengen dhe më 10 tetor 2012 Komisioni Europian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE-së, në varësi të përfundimit të masave kyçe në fusha të caktuara. Më 24 qershor 2014, nën Presidencën Greke të BE-së, Këshilli i Bashkimit Europian ra dakord të japin statusin e kandidatit të Shqipërisë, i cili u miratua disa ditë më vonë nga Këshilli Evropian. Në samitin e 24 Marsit 2020 u mor vendimi i hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriut./ B.Hoxha

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of