Beteja për ajrin

22/02/2020 2:26 PM 0 komente

Gara për ajrin ka qenë më e fortë në 2019-n. Pas shtimit të destinacioneve, Italia ka lëshuar terren, por vijon të dominojë gjysmën e tregut. Rritjen më të fortë të trafikut e shënoi Londra, e ndjekur nga Milano, por nuk mbeten pas as destinacionet gjermane. Hyrja e linjave low cost ka ulur ndjeshëm çmimet e biletave

 

Biletat më të lira dhe shtimi i destinacioneve direkte nga Rinasi kanë nxitur shqiptarët të udhëtojnë më shumë jashtë gjatë vitit të kaluar. Në kahun tjetër, kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik të preferuar ka sjellë gjithnjë e më shumë turistë nga jugu në veri dhe ka rritur numrin e pasagjerëve që udhëtojnë me çartera me destinacion vendin e shqiponjave.

Aeroporti i Rinasit ka qenë shumë i zënë vitin që kaloi. Në total, sipas të dhënave zyrtare nga Tirana International Airport (TIA), përmes tij udhëtuan në total 3.3 milionë pasagjerë, me një rritje prej 13.3% në krahasim me vitin e kaluar, duke arritur në një nivel rekord. Qytetet italiane vijojnë të mbeten destinacionet kryesore, me Romën, Milanon e Begramon, që kryesojnë. Në 201-n u shtuan disa destinacione të reja, kryesisht në Zvicër e Gjermani, si Zyrihu, Gjeneva, Memingeni, Dyseldorfi. Londra shënoi rritjen më të lartë sa i takon numrit të pasagjerëve.

Hyrja e operatorëve me kosto të ulët si Wizz Air dhe Easyjet (në fund të 2019-s) ka sjellë jo vetëm shtimin e destinacioneve, por edhe uljen e çmimeve të biletave ajrore, të cilat kanë zbritur edhe në 20 euro në një drejtim në disa raste, ndërsa mesatarisht luhaten në rreth 30-60 euro në një drejtim.

Kryeson Italia, me 50% të tregut të fluturimeve, rritje e fortë e Wizz Air

Italia mbetet destinacioni kryesor i fluturimeve nga dhe drejt Rinasit, me 50% të trafikur total të pasagjerëve, me një rënie 4 pikë përqindjeje në raport me vitin e kaluar. “Blue Panorama” është operatori më i madh, me 21% të tregut në 2019-n. Pas saj u rendit “Fly Ernest”, me 17%.

Kompania, që prej fillimit të muajit janar të këtij viti nuk fluturon më, pasi licenca e saj u pezullua nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil. Sipas ENAC, kompania e fluturimeve “Ernest” nuk do të jetë në gjendje të kryejë asnjë fluturim dhe transportuesi do të pushojë të gjitha operacionet, duke lënë në këtë mënyrë një hapësirë të konsiderueshme tregu për operatorët e tjerë.

“Alba Wings” është në vend të tretë, me peshë tregu të pandryshuar prej 10%. Kompania është zgjeruar përtej Italisë, duke nisur fluturimet dhe drejt Gjermansë (Dyseldorf, Hamburg, Frankfurt) dhe Londrës.
“Alitalia” ka humbur ndjeshëm pjesën e tregut në raport me disa vjet më parë. Nga 32% në 2015-n (më i madhi pas daljes nga tregu të “Belle Air”), në 2019-n, përmes operatorit ajror italian u realizuan vetëm 7% e fluturimeve.

“Wizz Air”, operatori hungarez me kosto të ulët, ka shënuar rritjen më të madhe në 2019-n, duke dyfishuar pjesën e tregut (nga 3 në 6%) dhe duke u renditur në vend të pestë (aktualisht të katërt pas daljes së “Fly Ernest”). Pasi nisi me fluturimet drejt Hungarisë, “Wizz” u zgjerua me shpejtësi dhe sot nga Tirana fluturon drejt Vjenës, Gjermanisë (Dortmund, Memingen), Londrës. Pas largimit të “Ernest”, operatori hungarez me kosto të ulët filloi fluturimet dhe drejt Italisë (Bologna, Milan Bergamo, Piza, Venecia).

“Easy Jet”, një tjetër kompani me kosto të ulët, nisi fluturimet në fund të 2019-s në Milano dhe Gjenevë.
“Air Albania”, që filloi fluturimet drejt Stambollit në mes të vitit të kaluar dhe në shtator drejt tre desinacioneve italiane (Milano, Bolonja, Romë), ka pasur mesatarisht një peshë tregu prej 1% për gjithë 2019-n, por që ka ardhur në rritje deri në 4% në muajin dhjetor. Kompania me kapital shqiptaro-turk ka njoftuar shtimin e destinacioneve në Bergamo, Piza, Verona. Në planet e saj është edhe Londra.

Operatorët e tjerë, “Turkish Airlines”, “Austrian, Airlines”, “Aegean”, “British”, kanë mbajtur pak a shumë të njëjtat pozicione si vitin e mëparshëm, me 4-5% të tregut. “Lufthansa” ka arritur të marrë sërish 3% të pasagjerëve, pas rënies në dy vitet e mëparshme.

“Adria Airways” transportoi 4% të totalit të pasagjerëve, deri në fillim të tetorit, kur shpalli dhe falimentimin.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil, viti 2019 ka qenë një vit dinamik sa u përket hyrjeve dhe daljeve të kompanive ajrore nga tregu shqiptar i fluturimeve. Kështu, në muajin mars 2019 filloi operimin kompania flamurmbajtëse shqiptare “Air Albania”, e cila e mbylli vitin 2019 me 125 072 pasagjerë. Dy kompani të tjera të reja në tregun shqiptar, vitin që lamë pas, ishin zvicerania “Edelweiss” dhe kompania evropiane me kosto të ulët “EasyJet”.

Por përgjatë vitit 2019 pati edhe 4 kompani të larguara nga tregu shqiptar. Ndërkohë që kompanitë italiane “Volotea” dhe “Mistral Air”, të cilat operonin pak fluturime për/nga TIA, vendosën të mos fluturonin më në tregun tonë, të tjerave si “Adria Airways” dhe kompania “Fly Ernest”, iu pezullua licenca e operimit ajror nga autoritetet kompetente kombëtare sllovene dhe italiane, rrjedhimisht duke çuar në daljen e tyre nga tregu shqiptar.

Gjithashtu, që prej marsit 2019, pasagjerët shqiptarë nuk mund të shohin më logon e kompanisë “Turkish Airlines” të operojë në TIA, pasi kjo kompani është tashmë zotëruese e 49% të kompanisë flamurmbajtëse “Air Albania”, e cila i shërben edhe linjës historike Tiranë-Stamboll-Tiranë.Numri i destinacioneve nga/për Tiranë është rritur, duke shtuar në 59 vitin që lamë pas, nga 52 në vitin 2018 dhe 45 në vitin 2017, sipas raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil.

Të gjitha rrugët të çojnë në Romë… dhe Milano

Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit vijon të jetë Roma, me 334 mijë pasagjerë në 2019-n, me rritje prej 1.8% me bazë vjetore. Roma shërben jo vetëm si destinacion direkt, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Europë dhe jashtë saj.

Destinacioni i dytë është Milano, me 317 mijë pasagjerë, me rritje të fortë prej 12% në raport me një vit më parë. I treti është Bergamo, me 169 mijë pasagjerë (rritje 18%). Në fakt, të marra së bashku, për shkak të afërsisë, Milano po shënon trafikun kryesor në Itali, duke tërhequr dhe linjat e reja. Krahas “Blue Panorama” e “Alba Wings”, dret Milanos apo Bergamos kanë nisur fluturimet dhe “Air Albania”, “Easy Jet” dhe “Wizz Air”, duke rritur konkurrencën dhe duke ndikuar në uljen e çmimeve.

Destinacione të tjera italiane që kanë parë rritje të fortë ishin Venecia (22%), Xhenova (37%), Piza (17%), Bolonja (20%). Drejt disa qyteteve të tjera, si Brindizi, Trieste, Pescara nuk kishte lidhje me fluturime në 2019-n.
Në total, pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1.7 milionë në vitin 2019 (rritje 2%), duke përbërë 50% të trafikut gjithsej, nga 54% vitin e mëparshëm. Stambolli është në vend të tretë, me 253 mijë pasagjerë (4.2% rënie). Stambolli është bërë konkurrues vitet e fundit si një destinacion tranzit, kryesisht drejt vendeve aziatike, por dhe destinacioneve të tjera të Europës dhe atyre të largëta.

 

Rritet Londra dhe destinacionet gjermane

Pas operimit të tre linjave direkte “British”, “Wizz Air” dhe “Alba Wings”, Londra është bërë një destinacion i preferuar, me 224 mijë pasagjerë në 2019-n, duke shënuar rritjen më të lartë të trafikut (60%) dhe duke kaluar për herë të parë në vend të katërt. Pas rritjes së Londrës, Vjena ka kaluar në vend të pestë, ndonëse trafiku drejt saj është rritur me 11%. Vjena është një nga pikat pika kryesore të kalimit drejt së gjithë Europës e jashtë saj, me 187 mijë pasagjerë në 2019-n.

Destinacionet gjermane kanë parë një rritje të fortë në 2019-n, si rrjedhojë e operimit të linjave low cost. Trafiku me Frankfurtin arriti në 127 mijë pasagjerë (rritje 35%), duke ia kaluar për herë të parë dhe Athinës.
Në Dortmund, trafiku u shumëfishua në rreth 50 mijë pasagjerë. Nga dhe drejt Athinës kanë udhëtuar rreth 126 mijë pasagjerë, me një rritje të ndjeshme prej gati 26%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of