Tashmë kur Kryeministri e dha përgjigjen përfundimtare, kundër propozimit të PS-së për bërjen zero të TVSH-së për bukën, miellin, vezën, qumështin etj., me argumentin se dëmton biznesin prodhues vendas, tashmë debati është zhvendosur në të tjera variante. Javën e kaluar në “Monitor” ish-zëvendësministri i Financave, Florion Mima, tashmë anëtar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë, tha se ulja e TVSH-së nuk i shkon në ndihmë të varfërve, pasi konsumon më pak, por të pasurve. “Si rrjedhojë, mund të gjenden hapësira ndihmese në rast se rishikohet kufiri i pataksueshëm mbi të ardhurat”, deklaroi ai. Mima nuk bëri dallim mbi llojin e së ardhurës, por i përfshiu të gjitha. Aktualisht, sipas sistemit tatimor, për pagat mujore deri në 20 mijë lekë, nuk mbahet tatim, kurse mbi këtë nivel aplikohet taksa 10 për qind (mbi të ardhurat personale – TAP-i).
Një tjetër ekspert i fushës së taksave, po nga sfera e politikës, Ervin Mete, përforcon mundësinë e këtij varianti, pra i rritjes së kufirit. Duke iu referuar shembujve të vendeve të tjera, Mete, i cili ka studiuar për të drejtën tatimore në Universitetin e Harvardit, thotë se të varfrit ndihmohen më tepër në rast se për pagat deri në 30 mijë lekë nuk aplikohet TAP-i, dhe mbi këtë kufi të llogaritet diferenca.
Rekordi negativ i TVSH-së
Administrata tatimore nuk ka mundur të mbledhë në asnjë muaj të këtij viti më shumë se në 2010-n. Shifrat e paraqitura nga Ministria e Financave tregojnë se në periudhën janar-korrik, tatimet kanë dalë gjithnjë minus mesatarisht me 10 për qind, ku muaji prill dhe korriku shënojnë nivelin më të lartë, mbi 30 për qind deficit (në raport me 2010-n).
Duke iu mbetur të dhënave faktike, pra përfundimtare, në total nga TVSH-ja janë mbledhur gjithsej 63.6 miliardë lekë, ose 0.6 për qind më pak se një vit më parë dhe 0.1 për qind më shumë se parashikimi në buxhetin e rishikuar për vitin 2011. Administrata tatimore konsiderohet “delja e zezë” e TVSH-së, pasi deri në korrik janë mbledhur 14 miliardë lekë nga 14.2 miliardë lekë të planifikuara sipas buxhetit te rishikuar 2011, që do të thotë 1 për qind më pak se parashikimi dhe 16.7 për qind më pak se një vit më parë. Në këto kushte, ulja e TVSH në 10 për qind për vajin, sheqerin dhe orizin apo bërja zero % e miellit, bukës, qumështit, vezës dhe ilaçeve (propozime të PS-së), shikohet me ndrojë nga qeveria, pasi ul më tej të ardhurat në buxhet, që sipas socialistëve shkojnë deri në 3 miliardë lekë për mallrat e importit. Mimi Kodheli thotë se, deficiti nga ulja e TVSH të përballohet nga shitja e licencës 3G, kurse për zbatimin shton se “përshkallëzimi i TVSH-së me 0, 10 dhe 20%, teknikisht nuk duhet të sjellë probleme në zbatim, pasi vendosja e kasave fiskale duhej tashmë të kishte ulur në mënyrë të dukshme evazionin fiskal në të gjitha hallkat”.
Ervin Mete*, kryetar i G99: Sistemi aktual i taksave, regresiv
Të varfrit paguajnë më tepër taksa
në përqindje se sa të pasurit
nëntitull
Pagat deri në 300 mijë lekë, të mos tatohen
Si i gjykoni propozimet e PS për heqjen e TVSH-së 20% për disa produkte bazë të konsumit, si dhe bërjen me 10% për disa të tjera?
I konsideroj të drejta, por megjithatë jo të paplota, pasi ka mundësi për më shumë. Të drejta, sepse ne sot ndodhemi në një situatë absurde, ku i varfri tatohet në përqindje më shumë se i pasuri. Sot sistemi ynë tatimor, në tërësinë e tij, është regresiv. Me regresiv, kuptoj që me rritjen e të ardhurave, përqindja e të ardhurave që shkojnë për pagim taksash zvogëlohet. Si TVSH-ja ashtu edhe tatimi i sheshtë, dy tatimet tona kryesore, janë për nga natyra regresive. Kontributet e sigurimeve shoqërore janë gjithashtu thelbësisht regresive. Gjithashtu, ne taksojmë konsumin por jo kursimin, pra pasuria e akumuluar nuk taksohet në një kohë që të ardhurat e të varfërve thuajse taksohen të gjitha, sepse thuajse të gjitha konsumohen. Shto këtu edhe taksat fikse, si ajo mbi banesën, gjelbërimin, televizionin etj., të cilat si përqindje rëndojnë më shumë të varfrit dhe kemi një situatë të padrejtë e të papranueshme. Në këto kushte është e domosdoshme të bëhet një ndërhyrje, ndaj propozimet janë të drejta.
Nga ana tjetër, them janë të paplota, sepse nuk mjaftojnë as për t´i lehtësuar mjaftueshëm personat me të ardhura të pakta në vend dhe as për të ekuilibruar sistemin. Së paku, propozimet duheshin shoqëruar edhe me dy elementë të tjerë: përjashtimi nga tatimi për pagat e ulëta dhe taksimi i pasurisë së akumuluar. Pagat deri në 30.000 lekë, unë mendoj duhen përjashtuar tërësisht nga tatimi. Kjo është një praktikë e ndjekur nga shtetet më të përparuara perëndimore. Anglia p.sh. përjashton nga tatimi të ardhurat vjetore deri 9.800 GBP, Shtetet e Bashkuara deri në 10.500 USD e kështu me radhë. Kjo është një masë, që e shoqëruar me propozimin e PS-së do t´i lehtësonte realisht ata me të ardhura të pakta. Nga ana tjetër, të dyja këto nisma do të sillnin mungesa në buxhet, ndaj të ardhurat e humbura prej tyre duhen kompensuar disi. Mendoj me vend do të ishte aplikimi i një takse të pasurish në Shqipëri. Të themi nëse dikush ka një pasuri prej 1 milion eurosh, ai duhet që një përqindje vjetore, p.sh. 0.5% ta paguajë si taksë. Kjo është një taksë që ekziston në shumë vende të botës dhe njihet si taksë e mirëqenies. Kjo do të rikuperonte të hyrat në buxhet, por edhe do të ndikonte disi në uljen e polarizimin që po bëhet gjithmonë e më i mprehtë në Shqipëri.
Elemente të tjera si heqja e TVSH-së për energjinë elektrike, që është një shpenzim kryesor për qytetarët, gjithashtu mund të ishte konsideruar.
Megjithatë, Kryeministri ka dalë kundër kësaj teze, duke e lidhur me faktin se ulja e TVSH-së dëmton biznesin vendas. çfarë rreziku shkakton kjo masë, nëse realisht kemi një të tillë?
Mendoj se prodhuesit vendas nuk ndihmohen, duke ngarkuar me taksa qytetarët e këtij vendi. Ndihma për ta duhet të jepet duke strukturuar e integruar tregjet e mallrave bujqësore, duke nxitur zgjerimin e fermave dhe ekonominë e shkallës, duke ju ardhur në ndihmë me trajnime e metoda bashkëkohore, duke integruar tregjet tona me tregjet rajonale me të cilat janë komplementare, duke aplikuar nyjën e grumbullim-distribuimit si ndërmjetësim mes prodhuesve vendas e tregtarëve, etj., por jo nëpërmjet rritjes së taksave te qytetarët. Ne duhet të synojmë të bëjmë produktet tona më konkurruese, si brenda ashtu edhe jashtë vendit dhe jo të fokusohemi në politika proteksioniste.
Për më tepër, nuk ka asnjë korrelacion mes tatimit të mbledhur nga taksimi i këtyre produkteve dhe ndihmës financiare që ju jepet prodhuesve vendas. Thënë ndryshe, të ardhurat e kësaj takse nuk destinohen për prodhuesit vendas. Më tej akoma, për një pjesë të këtyre produkteve, si sheqeri apo orizi, nuk ka prodhim vendas.
Sesa eficiente ka qenë qeveria në ndihmën e saj ndaj prodhuesve vendas e tregon fakti që ne sot kemi një raport 1:10 midis prodhimit bujqësor vendas dhe atij të importit. Nëse filozofia e qeverisë ka qenë ndihma e prodhimit vendas nëpërmjet ngarkimit të qytetarëve me taksa, kjo qartazi ka dështuar.
Për të gjitha këto arsye ky argument më duket i pavend dhe thjesht mburojë për paaftësinë menaxhuese të qeverisë të një TVSH-je me disa shkallë tatimore.
Po mendimi juaj lidhur me tezën, se ulja e TVSH ndihmon më shumë të pasurit, pasi janë ata që konsumojnë më tepër, cili është?
Ky është një argument absolutisht i pabazë. Le të mbajmë parasysh faktin se për çfarë konsumi po flasim. Bëhet fjalë për produkte bazike të jetës së përditshme, për të cilat të gjithë njerëzit kanë nevoja jetike thuajse të njëjta. Nuk mund të thuhet se një i pasur konsumon më shumë bukë apo kripë apo sheqer se një i varfër, përkundrazi. I pasuri mund të konsumojë më tepër për të blerë apartamente apo makina, apo për të shkuar me pushime, por nuk po diskutojmë këtë lloj konsumi.
Mazhoranca merr si shembull vendet e tjera, të cilat në kohë krizash, i kanë rritur taksat. Keni koment për këtë?
Nëse mazhoranca ka nevojë të rrisë taksat, kjo nuk mund dhe nuk duhet të bëhet në kurriz të të varfërve. Kjo është paradoksale në gjenezë. Vendet e tjera i rrisin taksat për ata që mund t´i paguajnë. çdo sistem i drejtë tatimor bazohet mbi parimin “ai që ka më tepër, paguan më shumë”. Ata që duhen tatuar janë të pasurit, qoftë duke iu rikthyer një tatimi progresiv apo duke vendosur taksa mbi pasurinë e akumuluar si ajo që fola më lart.
Nëse forcat politike nuk bien dakord, cila, sipas jush do të ishte masa më e duhur në mbrojtje të atyre konsumatorëve të varfër?
Forcat politike duhet domosdoshmërisht të bien dakord që të ulin barrën tatimore ndaj personave me të ardhura të pakta në Shqipëri, pavarësisht nëse bien dakord për propozimet konkrete të PS-së apo jo. Përndryshe, ne e shtyjmë këtë shtresë të shoqërisë drejt informalitetit dhe kulturës së mospagimit të taksave.
*Autori ka Master në studimet mbi të drejtën tatimore në Universitetin e Harvardit dhe në “London School of Economics”
Gjokë Uldedaj, biznesmen, deputet i PD-së, anëtar i Komisionit të Ekonomisë
Ulja e taksave penalizon investimet
Nevojiten masa të tjera
Tashmë, zyrtarisht PS-ja ka depozituar në Kuvend një projektligj mbi disa ndryshime te TVSH-ja. Si e vlerësoni ju këtë propozim?
çdo lehtësim nga taksat është gjithmonë i mirëpritur nga biznesi, por më së shumti nga konsumatori. Mirëpo duhet të mos harrojmë faktin se ndryshimet gjithnjë duhet të kenë kohën e vendin e duhur, pasi taksat e kanë një funksion, e në të kundërt të gjithë do dëshironin të mos i kishin fare. Në këtë kuptim, edhe ky propozim i opozitës duhet lexuar me kujdes. Mirë se po ulim TVSH-në ose po e bëjmë zero për ushqimet, por impakti që marrim cili është? Mendoj se në kushtet që është ekonomia shqiptare, propozimi është më shumë një show populist se sa një alternativë e argumentuar. Përse? Sepse së pari, diferencimi i TVSH-së nxit cenimin e konkurrencës së lirë në treg. Kjo lëvizje, nëse realizohet ndonjëherë, duhet të jetë në sintoni me vendin e kohën e duhur. Me fjalë të tjera, kur legjislacioni dhe monitorimi fiskal të jenë në nivele të kënaqshme, vetëm atëherë mundësojnë impaktin e lehtësimit të efektit rëndues të TVSH-së në xhepat e qytetarëve. Në këtë moment kur po konsolidohet sistemi fiskal, nuk ka shumë garanci se do të shkojë në vendin e duhur dhe se do të përfitojë nga kjo lëvizje, grupi i duhur i interesit. Hallka e sistemit fiskal, stabilizimi i kasave fiskale dhe amnistisë, të cilën PS nuk e votoi, duhet më parë të plotësohet në zinxhirin që ushqen ekonominë formale, me votimin e gjykatës administrative. Më pas, në kushtet e një ekonomie formale, në një masë mbi 85%, mund të bëhen edhe ndërhyrje të tilla si TVSH apo përshkallëzime të ndryshme të specifikuara të taksave të ndryshme, të cilat domosdoshmërisht kërkojnë monitorim efikas, përkatësisht në nivelin e administrimit dhe teknologjisë së informacionit. Së dyti, në një buxhet, zvogëlimi i të ardhurave patjetër duhet të balancohet me zvogëlimin e shpenzimeve, e në këtë moment një impakt p.sh. në rrogat dhe pensionet do të cenonte drejtpërdrejt interesat e qytetarëve. Apo nëse e mbështesin në uljen e investimeve publike të cilat kanë ndikim shumëplanësh, përsëri efektet do të jenë negative. Kurrsesi nuk mund të mbështetet ky zvogëlim i të ardhurave, me një të ardhur të përkohshme, siç është e ardhura nga shitja e licencës 3G të një operatori të telefonisë celulare apo me një të ardhur nga privatizimi. Mjafton vetëm ky argument që të kuptohet se propozimi opozitar bëhet vetëm për efekte populiste. Dhe së treti, kur shtyllat e parametrave makroekonomikë duhet të mbështeten dhe ushqehen për t´u mbajtur në këto kuota, një gur i lëvizur nga ky themel i shëndoshë që po funksionon, mund të lëndojë skemën ekonomike shqiptare që prezantohet stabile.
Ka një debat (edhe në rang botëror) lidhur me sistemin e taksave në tërësi. Si e gjykoni ju, cilën kategori prekin më shumë detyrimet fiskale, sa i takon familjeve dhe biznesit dhe a duhet bërë një ndarje në varësi të të ardhurave?
Në kushtet kur ekonomia botërore është futur në një cikël krizash, eksplorimi i të gjitha mundësive për të dalë nga kjo situatë është domosdoshmëri. Pjesë e këtij eksplorimi është edhe debati për ndërhyrje në sistemet fiskale, të cilat si gjithmonë, kanë vend për t´u përmirësuar. Mendoj se në këtë drejtim, ne duhet të ndjekim me vëmendje të gjitha zhvillimet ndërkombëtare. Përvoja e të tjerëve sigurisht që gjithmonë është e vlefshme. Ju shtroni pyetjen se cilën kategori prekin më shumë detyrimet fiskale? Sigurisht që kur bëhet fjalë për taksa, më i rënduar është biznesi. Por kjo nuk do të thotë aspak se edhe konsumatorët nuk i kanë ngarkesë taksat, që njihen ndryshe si taksat e tërthorta. Në raport me tërësinë e sistemit fiskal, ekuilibrat sigurisht që nuk mund të ndryshojnë nga njëri kah në tjetrin. Megjithatë ndryshime në ngarkesën fiskale për kategori të caktuara gjithmonë janë bërë e mund të bëhen.
A nevojitet rishikimi i taksave në tërësi, në favor të familjeve të varfra, duke pasur parasysh ndikimin e tyre te produktet dhe çmimet?
Abuzohet shumë me këtë. Si mund të ulësh taksat, vetëm për familjet e varfra. Si mund të bëhet kjo ndarje. Në kushtet e këtyre vështirësive, buxhetet publike kanë krijuar skemat e mbështetjes për të varfrit. Ndërkohë sa i takon rishikimit të taksave, në fokus nuk janë të varfrit, por të pasurit. Besoj se e keni ndjekur debatin që po zhvillohet në SHBA, pas propozimit të Presidentit Obama, për taksimin e të pasurve. Atje sigurisht që është një realitet ndryshe nga ky që kemi në Shqipëri. Por megjithatë, argumentet që sillen mund të vlejnë edhe për ndryshime që ne mund të ndërmarrim në të ardhmen, ashtu siç kemi ndërmarrë dhe deri më tani. Ndërhyrja në taksa nuk është tabu, por kjo nuk do të thotë se ne mund të ndërhyjmë në to edhe “për qejf”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.